Gjeneralmegafoni

Ali Dixhitalbi dhe 40 antenat

E-mail Print PDF

“Shpesh kam menduar që të japësh është më e vështirë se të marrësh. Por të marrit është për të zgjuarit, të dhënit është për të marrët”. Këtë kam kuptuar së fundmi në atdheun e nënë Terezës. Akoma edhe më shumë kam zbuluar, por deri dje kam hezituar ta them haptazi pasi druhesha mos më etiketonit si naiv, si të vjetër, të prapambetur.  “Të vjedhësh është edhe më mirë se të marrësh”. Më kuptoni drejtë, sepse çfarë mendojnë të tjerët është e rëndësishme, nuk vjedh vetëm lugati që natën hyn nëpër shtëpi nga dritarja, bën një pastrim falas të banesës dhe nuk pretendon as faturë.  Ky i fundit madje s’është gjë tjetër veçse një fundërrinë e shoqërisë, një i dobët, fukara, që ligji i të pushtetshmit herët a vonë e hedh të kalbet në birucat me hekura. Vjedh Kryeministri, vjedh ministri, vjedh drejtori, vjedh avokati dhe vjedh doktori... dhe këta vjedhin si profesionistë, krenohen, nderohen, paguhen dhe shpeshherë dekorohen që të vjedhin (por kë vjedhin?!). Ndërsa unë naivi nuk e paskam ditur sa të lartësoka kusaria, aq sa shumë prej jush do të qeshin me mua që e trajtoj këtë çështje sikur të kem zbuluar Amerikën.

Rregullat e lojës janë pak dhe të thjeshtë, madje një RREGULL të vetëm ka: “Po nuk vodhe do të të vjedhin”.

Të gjitha këto mendime dhe zbulimi i “Amerikës” time e kanë zanafillën te vjedhja që bën Digitalbi. Te mashtrimi, te përdhosja e klientit, te monopoli që tashmë ka krijuar dhe që i jep një arrogancë fisnike prej të pushtetshmi kësaj kompanie prestigjoze. Sfidoj cilindo që ka një problem me sinjalin satelitor, të gjejë një portë të hapur apo një shërbim minimal. Klienti është i detyruar të paguaj çdo muaj për të parë dhe nëse nuk shikon dot, atëhere duhet të presë. As mos e provo të kërkosh të drejtën tënde pranë zyrave të Digitalbit sepse të duhet mik që të lësh takim me drejtorin, ashtu sikurse ndodh me çdo zyrtar tjetër privat apo shtetëror. Nëse nuk njeh, nëse nuk je i pushtetshëm, do të shkelesh me këmbë dhe këtë mund t’ia kursesh fare mirë vetes duke pritur në heshtje, përballë televizorit memec me ekran blu. Se mos të shkon mendja të ankohesh te Fiksi?! Është e tepërt t’ju kujtoj fenomenin e monopolit. Po gënjeshtra? Mos harrojmë gënjeshtrën që është medalja e babëzisë në gjoksin e kusarit. “Tregoi klientit sesi ke blerë të drejtat televizive për X vjet, s’do e kuptojë kurrë që negociatat me UEFA-n behen çdo vit”. “Reklamo kanale të reja se klienti s'ka ku përplas kokën kur të zbulojë gënjeshtrën”.
 Dhe atëhere me vjen sërisht inat me symbyllësinë time. Si nuk e kisha kuptuar më parë që po nuk vodhe të vjedhin! Dhe kështu po mendoj t’i dedikohem piraterisë. Të vjedh unë i pari se kështu bëjnë të gjithë. Madje po të tregosh shkathtësi dhe pangopësi në të qënurit i pari nuk do të ndëshkohesh asnjëherë. Nuk po them gjepura, mund t’jua ilustroj me shembuj që kështu ndodh rëndom dhe që kryeministri nuk i ndëshkon ata që tregojnë zotësi.
 Do kohë më parë një i fortë duke hyrë në kryeministri goditi një grua të verbër. Besoj të gjithë e mbani mend! Ajo sëbashku me dhjetra të verbër të tjerë që protestonin, i kishte zënë rrugën biznesmenit. Me një të rënë të dorës rruga iu hap biznesmenit (anonim për ne) dhe jo vetëm atij por edhe biznesit të tij, që s’e kuptoj sesi mund t’i hapet në kryeministri! A mos vallë e ndëshkoi ligji këtë ndjekës të RREGULLIT?

 Pak kohë më vonë u rrah në mes të bllokut gazetari Mero Baze. Dini gjë kush u ndëshkua për këtë?!

 Rruga Durrës-Kukës ka zbrazur buxhetin e shtetit, e ka çuar borxhin e brendshëm në 100% dhe unë nuk di të ketë ndonjë përgjegjës për këtë mrekulli të kusarisë.
 Të më falni që nuk ju përmenda sesi, edhe për një tragjedi të rëndë me dhjetra viktima, në hyrje të kryeqytetit, s'ka për të patur kurrë ndëshkime. E kemi pranuar të gjithë në heshtje një fat të tillë, madje kemi filluar edhe ta harrojmë tashmë.

 Një deputet u vra një vit më parë dhe policia ka shumë pista hetimi por asnjë të dyshuar...


Po të jesh i shkathët, i fortë, kusar dhe i pushtetshëm në atdheun tonë të vogël, je edhe i virtytshëm, në dëm të të qenurit i ndershëm, bujar, solidar, karakteristika këto të të pavirtytshmit. Kaq gjë e ka kuptuar edhe Digitalbi, Vizioni, Topi (jo ai i presidencës), Klani etj...  E kanë kuptuar të gjithë deri tek qytetari më i thjeshtë...
Dhe një pyetje të fundit i bëra vetes para se të kuptoja të vërtetën. Po votat a janë vjedhur? Që të quhesh i virtytshëm, që të mos ndëshkohesh, duhet të jesh i zoti në vjedhje dhe jo si lugati që përfundon pas hekurave.  Dhe atëhere t’i harrojmë kutitë sepse nuk kanë për t’u hapur kurrë. RREGULLI i lojës është një dhe i vetëm.

 

 Ps. Ne shqiptarët jemi popull i gjallë, energjik që i përshtatet më së miri çdo rrethane dhe çdo sistemi. Në çdo kohë i kemi luftuar ndryshimet dhe kemi qenë të fundit që kemi ndryshuar. Por pasi ndryshimi ka ndodhur kemi qenë gjithmonë të parët, më të dedikuarit, më të rreptët dhe më të paepurit duke shkëlqyer kudo. Të fundit që ramë nën pushtimin Osman, nxorrëm pashallarët më gjakatar, sunduam popuj anembanë perandorisë dhe i dhamë plot pashallarë Portës së Lartë. Të fundit që fituam pavarësinë por më të pangopurit, me dhjetra qeveri të ndryshuara në pak vite. Të fundit që krijuam mbretëri por me mbret për kokë të mbretit, që fal majtas e djathtas toka nga Shqipëria e cila ka plot të tilla. Të fundit komunista në evropë por me diktaturën e proletariatit që konsiderohet si më e hekurta. Të fundit në kapitalizëm, por kusarët më të denjë që njeh sistemi.

                                                                                                                                                                  Onufri

Share

Shto koment Kerko
stavri   |2010-06-11 09:02:54
autoriteti i konkurrences dhe keshilli i kombetar i radio televizionit jane ci
karikatura e xhandarit zogian: qe dredhin zinxhirin tere dites, nen hijen e
fikut dhe ne lartesine e injorances te lumtur... rrjedhimisht, digitalbi do te
beje cfare te doje: a nuk eshte misioni i cdo kompanie te nxjerr sa me shume
fitime aty ku i lejohet?
Franko   |2010-06-12 05:21:11
Gjitcka eshte tragjiko-qesharake...
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania