Gjeneralmegafoni

Boll ma!

E-mail Print PDF

Ka ardhur koha të bëjmë ca bilance. Si për ne, ashtu dhe për gjeneralin. Jo për Gërvenin, për gjeneralin e kufirit sa të harruar aq dhe të shkelur si të ishte portë inekzistuese hani dhe jo kufi shtetëror, por për këtë Gjeneralin tonë, ku shkruajmë, lexojmë dhe shprehim çfarë është e tepërt dhe çfarë është me pakicë në këtë Shqipërinë tonë, çfarë është absurd dhe çfarë del përtej (duke hamendësuar se absurdi është parimi dhe çfarë del prej tij është përjashtimi), pse e kemi të vështirë të themi “po, të lutem, si urdhëron, nuk kam kohë se kam punë” e të tjera “orientalizma” si ky dhe pse lëvizim kokën me tangërllik në vend të fjalës “mirëmëngjes”, pse e kërkojmë diçka kur s’kemi të drejtë dhe nuk e kërkojmë kur kemi, pse…? Po e lë me kaq se biem prapë te parimi, pra te absurdi.

Thamë që erdhi koha të bëjmë një bilanc. Deri më tani kemi konstatuar të gjithë shumë fenomene që nuk shkojnë në Shqipëri. Një miku im më tha pas një udhëtimi në kryeqytetin e një vendi fqinj por jo kufitar, Beogradi, se në fund të fundit kishte shkelur në një vend ballkanik, po ndryshimi me qytetet tona (në fakt Tiranën vetëm) ishte kryekëput thelbësor. Ndoshta në këtë ndryshim radikal ka gisht dhe mungesa e demokracisë së brendshme në partinë më të madhe të opozitës, nuk e vë dorën në zjarr, po them mbi të gjitha se kjo është një nga aspektet e varfërisë pluridimensionale që na ka kapur në formë ngërçi qënien tonë si pjesë e kësaj shoqërie. Thjesht krahasimi që kemi filluar të bëjmë me qytete fqinj (sa poshtë paskemi rënë) si puna e Podgoricës në Mal të Zi ose në raport me qetësinë dhe artin që vlonte para vitit ’90 në Shqipëri janë në vetvete shqetësues. Nuk është ndonjë çudi sikur të jemi futur në një periudhë regresivo-reaksionare ku do të pranonim një despot në krye të Shqipërisë, por jo çdo lloj despoti, e duam të ndriçuar se po e shikojmë ku po na çojnë disa syresh… Nuk do të ishte aspak çudi sikur dhe kritikuesit më të mëdhenj të qeverisë dhe të gjërave që nuk shkojnë mirë një ditë të bukur të heqin dorë dhe të shpallin disfatën, atëherë po, despoti që do të ketë realizuar një gjë të tillë, i ndriçuar apo jo do të sundojë këtë vend si askush tjetër. Dhe e gjithë kjo diatribë në lidhje me despotin fillon nga një gjendje faktike 20 vjeçare e karakterizuar nga humbja e referimeve, nga çoroditje, nga oreks i tejskajshëm dhe i vazhdueshëm për kulturë, nga llomotitje politikanësh ish teknikë lavatriçesh (profesion i nderuar nëse është nevoja ta them) dhe nga pamundësia për të vlerësuar gjërat ashtu siç duhet. Duam s’duam kjo të çon në rraskapitje mendore me përjashtim të ndonjërit që ose i ka të tepërta, lekët dmth, ose dikush që i ka të pakta, mendtë… I pari që do ngrejë dorën dhe do të guxoj, i pari që do të nuhasë këtë frikë, do të jetë fituesi i llotarisë.

 Që të evitojmë skenare të tillë bonapartesk ose hindenburgian duhet që të ndërgjegjësohemi dhe mos ta konsiderojmë veten të rënë përtokë. Duhet të marrim fatet tona në duar dhe të përcaktojmë qëllime dhe të propozojmë ide. Në këtë kuadër, edhe gjenerali pas shumë artikujsh denoncues, konstatues ose thjesht kritikues sa për kritikë kritike, duhetë hedhë hapat e parë drejt dhënies së ideve sesi mund të dalim nga ky batak ku kemi rënë.
Është e rëndësishme ta kuptojmë se bataku është i thellë. Ja për shembull, në 2005, shqiptarët ose pjesa dërrmuese mendonte se si  do të ndërtonim një park, si do të zhduknim fenomenon plehra në çdo cep pallati, si do fshihnim pluhurat e rrugëve me të njëjtën thjeshtësi si pluhurat mbi televizor, si do ndërtonin një Shqipëri evropiane si nga pikëpamja e fasadës ashtu dhe e brendësisë duke ruajtur dhe mbajtur si ujët e pakëta, ato institucione post revolucion ’90 që ndërtuam. Ndërsa sot, 4 vjet e gjysëm më vonë, kemi probleme me rrogat e funksionarëve, ka rritje të përqindjes së familjeve që vuajnë ekonomikisht, ka një kaos urban dhe rrugor, korrpusioni ndrit si llampa mbi televizor kur ikin dritat, nuk kemi ende vende ku fëmijët, por edhe më të rriturit, të luajnë të lexojnë, të kultivohen dhe të mësojnë se nuk ka vetëm seks, benz, alkool, lekë dhe tallava në jetë, kemi shkatërrime tunelesh qeveritare, përmbytje zonash të urbanizuara pa leje nga qeveria, shpërthime anonime në derë të Tiranës, pranë portit dhe karshi aeroportit dhe më e keqja më pak shpresë për të ardhmen. Kjo nuk ka nevojë të shkruhet, ndjehet.

Dhe tani na lind detyrimi të ndërtojmë, të ngremë kokën dhe të propozojmë, të hedhim ide, ta bëjmë jetën tonë më të gjallë dhe Shqipërinë më aktive. Si? Mbase nuk do jepen në këtë artikull, po është e rëndësishme për ne të gjithe dhe për gjeneralin të mos mbytet në këtë kritikë të kritikës kritike, pasi gjërat janë të qarta: kemi një lidership që promovon injorancën dhe lekun e thjeshtë, duhet të ngremë struktura dhe të gjenerojmë ide që një gjë e tillë të marrë fund, ose të paktën të tregojmë që jeta e tyre është fundi i Shqipërisë, ndërkohë që jeta jonë mund te jetë vetëm e ardhmja e saj. Nuk jemi pak, po jemi të fshehur, të mbytur nga skepticizmi dhe të përvuajtur nga skrupujt. Duhet më shumë kurajo që injorancës gjithpërfshirëse t’i jepet fund.
                                                                                                                                                                 Stavri

Share

Shto koment Kerko
Franko   |2010-02-01 08:12:06
Sic eshte thene edhe ne shkrim, ky mish mashi politik s'na ka lene me mend te
arsyetojme, nuk ka nje linje apo nje program per zhvillimin shoqeror, por
rendomt konstatohet ligji i me te fortit. Politika eshte nje shfaqje krekosjesh
grupore, qe shpresohej se do kishin vene mend fale kontateve te shpeshta qe kane
me vizitat e tyre ne ambjentet evropiane. Por ce do qe ka pasur nje mutacion te
sjelljes se tyre, tashme ne vendim-marrje kemi hibrid mutante, qe bejne ligje
per shqiperine por vete jetojne ne evropi ose te rrethuar nga kamja e ligjit te
te fortit. Mendoj se si fillim duhet tiu japim nje emer gjerave qe me pas te
shtrojme mendime per zgjidhje!
keperele   |2010-02-01 08:26:45
ok. fillojme me sabri godon ose arti i te berit politike, ose kuzhinieri i
politikes shqiptare: sa sheqer, miell, gjalpe dhe veze duhen per te bere nje kek
me shurup presidence, me pak berishe te skuqur dhe ed te grrire...
politikane
te tille qe na shesin trute e tyre vend e pa vend dhe qe i japin oksigjen atyre
politikaneve qe po fundosen dhe duhet te fundosen nuk na duhen.
armandS.  - nuk jemi pak?   |2010-02-15 22:35:23
nuk me duket keshtu,ne raport me ke e mendon ndryshe jemi akoma shume pak,por
ama shumica jane akoma per tu vendosur kjo po eshte pozitive i bie qe pak te
punojne shume per tu mbushur mendjen atyre qe jane shumica e thjeshte duket nuk
eshte e pamundur.
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania