Gjeneralmegafoni

Fabula me Kryeministër

E-mail Print PDF

Më ka intriguar gjithmonë Fenomeni X. E kam quajtur X për dy arsye; për ti rënë shkurt, sepse një përkufizim të saktë e me pak fjalë nuk e jap dot; dhe sepse ka të bëjë me shenjën X, të cilën e kemi të drejtë kushtetuese  e detyrë qytetare ta vendosim në fletët e votimit. Fenomeni X në radhë të parë më ka krijuar përshtypjen që është ekskluzivisht shqiptar, madje nuk do të gabohesha nëse përjashtoja këtu bashkëkombësit në Kosovë dhe Maqedoni.

Do të thosha që më së shumti e kam parë te votuesi i ri në moshë, por jo domosdoshmërisht, kryesisht i zonave urbane dhe në pjesën dërrmuese me arsim të lartë. Te këta votues shoh objektivitet mendimi, pjekuri  politike, ide liberale dhe botëkuptim perëndimor, sidomos gjatë periudhës midis dy zgjedhjeve (kujdes!). Te këta të rinj shoh neveri ndaj të vjetrës dhe intolerancë ndaj mbeturinave të sistemit të kaluar, mbeturina të cilat shfaqen fuqishëm në lidershipin aktual të vendit. Shoh mbi të gjitha mos identifikimin e tyre me atë çka shfaqet në TV e serviret nëpër gazeta çdo ditë. Një neveri për atë çka thuhet dhe mënyra si thuhet, ndaj asaj çka bëhet dhe mënyra si bëhen gjërat, më konkretisht neveri nga  klasa politike por kryesisht nga figura e Kryeministrit. Nëse shohin veten në pasqyrë këta të rinj kurrsesi nuk do të gjejnë një shëmbëlltyrë që ti afrohet sado pak Kryeministrit Berisha.

Pra fenomeni X, i cili duhet thënë se është masiv edhe pse në dukje selektiv, i përket qytetarëve shqiptarë me këto pikëpamje e këto karakteristika por edhe me një veçori tjetër që do mundohem ta sqaroj me sa më pak fjalë. 

Tani, mbase po e ekzagjeroj, por jam i bindur që them një të vërtetë shkencore nëse përjashtoj nga ky fenomen edhe votuesit e majtë të Republikës së Shqipërisë. Këta në pjesën dërrmuese, krenohen me bindjet e tyre politike, dhe hapur, e deklarojnë simpatinë për liderin aktual të opozitës, paçka se vota duhet të jetë e fshehtë dhe deklarimi publik i saj nuk është motiv krenarie. Meqë dua të jem sa më i saktë nuk po i kategorizoj si të djathtë votuesit tek të cilët kam vënë re këtë fenomen (në Shqipëri ka shumë konfuzion mbi kahun politik të cilit i përkasin partitë), por po i kategorizoj si votues të Partisë Demokratike. Tani, e di që po e stërholloj shumë përshkrimin por dua ti vë pikat aty ku duhet. Po shtoj që mbase nuk janë as thjeshtë votues të PD-së por janë votues të Sali Berishës dhe e them këtë me bindje, se kam përshtypjen që nuk do të kishim Fenomen X pa fenomenin Berisha.

Domethënë fenomeni X përbëhet nga ajo pjesë e rinisë, që jeton në qytet, ka një formim të lartë, ide liberale, botëkuptim perëndimor, mban qëndrim kritik ndaj bastardimit politik në vend, ka neveri për regjimin Enverist dhe gjithë dishepujt e tij, përfshirë edhe kryeministrin aktual.  Kjo pjesë e shoqërisë gjithashtu nuk pranon të identifikohet me metodat feudale, të tipit: fyej, përça, vrit e sundo të Kryeministrit dhe njerëzve të tij por, dhe ketu qëndron e veçanta, një herë në dy vjet, sa herë afrohen zgjedhjet, këta rreshtohen, në rresht për një dhe votojnë totalitaristin e fundit të Evropës.

I kërkoj ndjesë votuesit të bindur të Zotit Kryeministër nëse gabimisht u ndje i prekur nga sa më sipër. Dua të sqaroj që ky shkrim nuk ka në shënjestër votuesin e bindur, votuesin e deklaruar të djathtë. Aspak... Këta të fundit mund të votojnë e të zënë be për bacën e tyre. Asgjë nuk më habit nga kjo besëtytni.  Fenomeni komik X nuk ka të bëjë fare me bestytninë e tyre. Aq më pak me liderin e tyre shpirtëror. Fenomeni masiv X shfaqet përkundrazi te ata që e kryqëzojnë për 2 vjet rresht Kryeministrin, nga zgjedhjet e përgjithshme te ato për pushtetin vendor dhe anasjelltas; nuk ndjehen të përfaqësuar prej tij, madje edhe turpërohen për njeriun që përfaqëson këtë vend e që rrjedhimisht përfaqëson edhe vetë ata. Në 730 ditët që ndajnë afërsisht zgjedhjet nga njëra tjetra, nuk mund të gjesh opozitarë më të paepur se fenomenalët X. Problemi i madh me këta dhe me koherencën e tyre qëndron vetëm në një ditë çdo 2 vjet. Vetëm një në 730. Ditë kur ata rreshtohen, e duke u betuar kush për Kryq e kush për Mekë, X-in e shënojnë te fleta e votimit përkrah emrit Sali Berisha.

Vota është e shenjtë dhe vota është e lirë. Të paktën derisa shkon në dorë të Ristanëve të radhës dhe të liderit të përhershëm. Ndaj dhe ky shkrim nuk ka për qëllim të jetë një sulm ndaj votës së askujt. Por veshët tanë janë lodhur duke dëgjuar moralistë dhe pishtarë të së drejtës. Nëse akti më i rëndësishëm i pjesëmarrjes së tyre në jetën politike të vendit, vota, bie rigorozisht ndesh me llomotitjet në formë predikimi që bëjnë jashtë qendrave të votimit, me përulje dhe njëkohësisht insistim do t’iu kërkoja të votonin ashtu siç kanë bërë deri më sot, duke shfrytëzuar më pas mundësinë që iu jepet, të heshtin me dinjitet. 

Dikur indinjohesha përballë mendjelehtësisë dhe papërgjegjshmërisë së fenomenalëve X, sot ironizoj dhe buzëqesh përballë këtyre komedianëve, por në vetvete uroj që Berisha të qëndrojë aq gjatë në pushtet sa rrota e pushtetit të tij të rrokulliset edhe mbi kokat e tyre. Qartësisht një urim nën zë dhe jo seriozisht sepse egoizmi më shtyn që në radhë të parë të mendoj për veten dhe të ardhmen e vendit tim.

Onufri

 

 

 

Share

Shto koment Kerko
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Sa për koherencë

Ilir Rusmajli u godit nga dy ish te përndjekur që po asistonin të pafuqishëm në harresën totale të një bashkëvuajtësi të tyre që dhe në çastin e fundit të jetës mbeti i vetmuar. Nuk i dimë mirë rrethanat e ngjarjes po ama disa gjëra duhet të thuhen. Kjo ngjarje tregon minimalisht faktin se ish të përndjekturit vazhdojnë të jenë të përndjekur nga harresa e të gjithëve dhe mbi të gjitha, e atyre që erdhën në pushtet me premtimin e ndreqjes së fajeve historike të regjimit të kaluar.

Harresa mund të mos jetë e qëllimshme, por bëhet e tillë sa më shumë që kalon koha dhe të përndjekurit do të ndihen më shumë të përdorur sesa përfitues nga politikat e qeverive të deritanishme. Ajo bëhet akoma më e qëllimshme kur të përndjekurit, të cilët nuk patën mundësi të krijonin një jetë dhe një familje të tyren, të shikojnë sesi fëmijët e ish kastës së kuqe të drejtojnë aktualisht vendin. Ilir Rusmajli është njëri prej tyre. Historirat me fëmijë bllokmenësh duhet të zhduken përfundimisht, gjithashtu fakti që Ilir Rusmajli është djali i nëpunësit më të zellshëm të Komitetit Qendror mund të jetë thjesht një rastësi. Fëmija nuk ka pse të vuajë fajet e paraardhësve të tij. Por as të përndjekurit nuk kanë përse të vuajnë injorimin e shtetit dhe lojrat e shëmtuara që u luhen në kurriz të tyre.

Modeli ekonomik berishian

Djali i Presidentit të një vendit afrikan të quajtur Guineja Ekuatoriale ka në pronësi një apartament prej 5,000 metrash katrorë në Paris. Guineja Ekuatoriale është një vend me burime natyrore të jashtëzakonshme, sidomos naftë, me një GDP prej 18,645 dollarë për frymë dhe gjendet në vendin e 44 në renditjen botërore. Por, nga ana tjetër, është shteti që gjendet në vendin e 129 në renditjen e treguesit të zhvillimit njerëzor dhe shpresa për banorët e këtij shteti për të jetuar më shumë se 50 vjet është shumë e vogël. Mos kemi vallë një mospërputhje therrëse midis zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit njerëzor: thënë ndryshe, mos ka gjë një shpërndarje tërësisht të pabarabartë të pasurisë?


Nuk kemi pse të bëjmë sikur nuk kuptojmë. Ky është modeli i Sali Berishës. Ai mburret me një rritje ekonomike, që në ndryshim nga Guineja Ekuatoriale është tërësisht e pajsustifikuar, që në fakte nuk përkthehet kurrkund me një rritje të mirëqënies së shqiptarëve, ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Modeli i Saliut është modeli i regjimeve më të korruptuara afrikane. Këtë duhet ta kuptojmë të gjithë.

 

 

E ka kush e ka

Spahiu i dorëzon dorëheqjen e tij të parevokueshme presidentit. PD nxehet, nuk pranon dhe deklaron që do ta shkarkojë të vetëshkarkuarin me komision hetimor. Sipas anëtarëve të komisionit hetimor Spahiu nuk mund të vetëshkarkohet pasi ai nuk është vetëemëruar.  Dhe nuk e kanë tërësisht gabim. Në fakt Kreshniku është emëruar në atë post nga grupi parlamentar i PD-së, dhe sado të na duket e çuditshme ne tokësorëve, deri ne 2010-ën marëdhëniet e tij me PD-në shkonin vaj. Problemet filluan kur Kreshnikut i shkrepi në kokë të mbledhë pas tij Kreshnikët Kuq e Zinj. Sidoqoftë Alibeaj nuk ka për të pranuar as nëse shkarkimin e firmos Topi. Ndërsa i vetëshkarkuari Spahiu habitet nga zelli i atyre që vetë e emëruan në postin e Nënkryetarit të KLD-së, për të mos pranuar vetëshkarkimin sepse preferojnë shkarkimin...

Nëqoftëse nuk e kuptoni se çfarë po ndodh e keni ngaqë nuk keni luajtur në fëmijëri lojën "E ka kush e ka".

 

Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte çfarë quan sukses Haxhinasto por meazallah!


Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania