Gjeneralmegafoni

Fushata e ëndërruar!

E-mail Print PDF
Do  të donim një fushatë tjetër, një fushatë ndryshe, krejt ndryshe. Ku , së pari, të mos vriten njerëz,   të mos dhunohen njerëz. Po bëhet gati e përditshme dhuna e lidhur me procesin zgjedhor.  Dhe sikur kjo situatë të vazhdojë kështu deri në ditën e zgjedhjeve, edhe sikur vetë zgjedhjet në 8 maj të jenë demokratike , ky proces do të jetë dëmtuar rëndë pikërisht nga dhuna parazgjedhore.
Duhet ndaluar një orë e më parë kjo frymë dhune,  dhe duhet të jenë  vetë partitë politike që të qetësojnë militantët e tyre; gjithashtu,  edhe shoqëria civile duhet të reagojë ndaj këtij fenomeni brutal të përhershëm shqiptar. Boll më. Por të parat nuk e bëjnë sepse në dhunë e shprehin më mirë potencialin e tyre ndërsa të dytët kanë shitur shpirtin e tyre për ca grusht florinj dhe shtrëmbërohen nëpër karrige debatesh televizive nga sikleti i dukshëm i të thënit diçkaje që nuk ka kuptim.
Për sa i përket partive politike ato që nuk garantojnë aspak këtë proces. Njëra prej palëve e ka deklaruar që këto zgjedhje janë politike, ndërsa pala tjetër me fjalë ka deklaruar të kundërtën, por me vepra edhe ajo po vepron si për zgjedhje politike. Këtu lind edhe një pyetje: në cilin  vend të botës, ministra dhe deputetë dorëhiqen për të kandiduar  për  drejtues vendorë? Raste të kundërta edhe janë parë e dëgjuar. Na u tha që për shkak të  së ardhmes së qytetit u bë gjithë kjo sakrificë e dhimbshme. Pallavra.

Do të donim një fushatë ndryshe. Një fushatë ku të përplaseshin idetë dhe premtimet. Një fushatë ku të përplaseshin cv-të e kandidatëve . Por jo,  në fakt kemi një përplasje të gënjeshtrave, kush gënjen më bukur, kush shtiret më bukur.  Kemi përplasje të shpifjeve dhe fyerjeve reciproke. Turp.
Le të ndalemi pak tek premtimet, se tek e fundit ato janë thelbi i çdo fushate, qofshin premtime konkrete apo premtime që kanë të bëjnë me ide dhe vizione. Po përse u dashka gënjyer, përse u dashka premtuar pa fund?  Po se vetëm kështu mund të trullosen mendjet e fjetura të shqiptarëve të varfër, e shqiptarëve që shpresa ju vdes e fundit, si e çdo njeriu në botë, edhe atij banorit të shkretë në Fukushima. Ky shqiptari i shkretë me vete thotë mbase kësaj here është ndryshme, mbase këto premtime janë të vërteta.

 Por  gënjeshtra në Shqipëri nuk i ka këmbët e shkurtra. Ajo nuk ka këmbë fare. Këtu gënjehet, ose një term pak më i butë: premtohet kot;  këtu premtohet pa fund, sepse dihet që nuk ka një opinion publik që nesër mund të reagojë apo edhe të gjykojë ndaj këtyre gënjeshtrave, e cila automatikisht do shndërrohej në një rrufe përgjegjësie mbi autorin e gënjeshtrës: mbi gënjeshtarin. Ka prova që populli shqiptar ose halli që e ka zënë popullin shqiptar ka bërë që kujtesa e tij historike të jetë e shkurtër, më e shkurtër se koha që i duhet një individi për të vënë një plus në formë kryqi në fletën e votimit.

Po mund të thoni, se ku ka fushata pa premtime?! Oh, po, patjetër që do të keni të drejtë, premtime bëhen gjithandej në fushatat e vendeve demokratike, por ama atje nuk guxohet që të gënjehet mbi premtimet. Një gabim sado i vogël, ose edhe i pandërgjegjshëm  do kishte kosto të larta politike në procesin e ardhshëm zgjedhor dhe në vetë integritetin e kandidatit.
Sikur ne shqiptarët të gjykonim drejtë mbi premtimet që na janë bërë në këto 20 vjet, atëherë nuk do kishin parë dy herë të njëjtin kandidat. Do i ishte “prerë” gjuha si gënjeshtar apo do i ishin “prerë” duart si hajdut.

Ne prisnim një fushatë tjetër, një fushatë me premtime natyrisht, por me premtime jo sipas dëshirës, p.sh. mungon një shkollë këtu dhe me vrap  premtimi “këtu do të ngrihet një shkollë moderne dhe sipas standardeve perëndimore”, ka një rrugë të pa shtruar këtu, atëherë natyrshëm vjen premtimi “këtu do të ndërtojmë një rrugë”, e me radhë me mijëra problemet e një qyteti, që u zgjidhkan me një fjalë goje.  Është shumë e thjeshtë të konstatosh në një vend ku nuk ka shkollë  që këtu duhet shkollë, këtu s’ka rrugë, atëherë këtu duhet rrugë, lulishte...  Por harrohet fatura financiare. Çdo premtim ka një faturë financiare, çdo shkollë kushton, çdo rrugë kushton, çdo lulishte, bibliotekë, teatër, kushton lekë; janë lekët e taksapaguesve, janë lekët e popullit. Dhe pikërisht që këtej mund të nisej një premtim, në çdo njësi vendore, ku dihen se sa janë vlerat e të ardhurave nga taksat, shpenzimet për rroga dhe ato administrative, ndihma sociale etj. Prandaj mendojmë se kandidatë duhet të na tregojnë se si do ta ndajnë buxhetin që kanë në dispozicion (nisur nga vitet e fundit si dhe duke pasur parasysh edhe rritjen në katër vitet e ardhshme), duke shpjeguar çdo detaj të shpenzimeve deri në qindarkën e fundit.

Por jo kjo nuk ka për të ndodhur , sepse nuk është përmbushur ende kushti i parë, kushti i kostos ndaj premtimeve të pambajtura.
                                                                                                                                           Marka X

Share

Shto koment Kerko
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Shpifja vs puçi

Sot Policia e Shtetit shkarkoi nga detyra të vetëshkarkuarin prej së paku një jave, ish komandantin i Forcave Speciale dhe Drejtorin e Policisë së Dibrës, Shemsi Prençin. Kjo taktikë e shkarkimeve pasi i shkarkuari jep dorëheqjen, kohët e fundit është kthyer në modë. Le të kujtojmë rastin e Nën Kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Edhe ky dha dorëheqjen, por këtu ka shtet që iniciativën e merr vetë. Pak me vonesë por ama e merr.

Prençi u shkarkua nga detyra për shkak të shpifjeve dhe shkeljes së ligjit. Ai akuzoi strukturat më të larta të shtetit si të implikuara në mafien e kromit.
Të hedhësh baltë mbi uniformën blu pasi ke dhënë dorëheqjen nga çdo strukturë e kësaj force, është e ndëshkueshme me shkarkim nga detyra. 

Mos harrojmë që Prençi ka edhe një precedent tjetër të shkarkimit nga detyra. Ai është filmuar gjatë sulmit të Kryeministrisë dhe Televizionit Shqiptar në 14 Shtator 1998, ndërsa udhëhiqte turmën e armatosur. Kujtojmë që gjatë kësaj periudhe Prençi ishte oficer i Policisë së Shtetit, i cili mori dënimin maksimal që jepet në vendin tonë për Puç të armatosur. Shkarkim nga detyra. Sesi u rikthye në detyrë Prençi dhe sesi i ngjiti shkallët e karrierës, askush nuk e di. Një oficeri policie i cili heq uniformën për të drejtuar armët kundër institucioneve të shtetit, për mendimin tonë modest atë uniformë nuk duhet t’ia vishnin më, sepse ndodh që ai mund ta njollosi sërish. Kësaj rradhe edhe më keq, duke shpifur (?!). Apo puçi është më i rëndë?! Shpifja apo puçi, puçi apo shpifja?! Le të presim qeverinë e majtë e të shohim nëse e rehabiliton oficerin Prençi duke i dhënë fund edhe dilemës tonë.

Barbarizëm

Civilizimi i një populli kuptohet nga mënyra si trajton kafshët. Mu kujtua kjo shprehje e Mahatma Gandit ndërsa shikoja një video që qarkullon kohët e fundit në ueb dhe që dokumenton fushatën e  ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit për shfarosjen e qenve endacakë. Ekzekutimi i kafshëve në mes të rrugës nuk është gjë tjetër veç barbarizëm. Në prag të sezonit turistik qëllimi, një qytet i pranueshëm për pushuesit, nuk mund të justifikojë mjetin, eliminimi fizik i qenve.

Problemi i kafshëve pa zot, ose që zot kanë rrugën, është i përhapur në çdo qytet të Shqipërisë. Kequshqyerja dhe kushtet në të cilat jetojnë bëhen shkas për sëmundje të ndryshme, sëmundje që përbëjnë rrezik edhe për shëndetin publik. Një problem tjetër, që lidhet me natyrën e qenve, është grumbullimi në tufë duke sulmuar në disa raste njeriun. Strukturat për kujdesin mungojnë dhe do të vazhdojnë të mungojnë për sa kohë shteti nuk ka struktura strehimi as për qytetarët. Të shumta dhe në rritje janë rastet e të varfërve që detyrohen të enden, rrugëve të qyteteve, si dhe mos më keq se kafshët. Edhe këta shteti i vret. Me indiferentizëm. Ndërsa për qentë shteti ka gjetur një metodë më të shpejtë dhe më efikase. Shfarosjen masive.

Dorëzimi përpara këtij akti makabër i cili ndodh rëndom në çdo qytet të Shqipërisë, është zgjedhja më e thjeshtë, por nuk është zgjedhja jonë. Kush i hap rrugë barbarizmit, zgjedh të largohet një orë e më parë nga ky vend, duke qenë se nuk mund të japë kontribut për ndryshim. Ne zgjedhim të qëndrojmë dhe të denoncojmë çdo akt çnjerëzor që nuk është pjesë e kulturës tonë, çdo barbarizëm që, i përkohshëm ashtu si shteti i kalbur i cili na përket, nuk na përfaqëson

 

Krym kundër dinjitetit

A e njihni Fatbardh Kadillin? Sigurisht që jo! As ne nuk e njohim por dimë që ka mandat deputeti si përfaqësues i Partisë Demokratike, ka qënë këshilltar i Kryeministrit Berisha, dhe herë pas here del në konferenca për shtyp. Po të kthehemi pak në kohë, do të zbulojmë që Bardhi vjen nga një familje e persekutuar gjatë Diktaturës Hoxhiste, si pak të tjerë në PD. Për të qënë më të saktë një sekretar partie si Berisha duhet të jetë figurë e urryer për Bardhin. Sa shumë kanë hequr familjet disidente nga sekretarët e partisë?!

Por Bardhi sot,  ashtu si edhe më parë e shfryu mllefin e akumuluar prej vitesh, kundër Edi Ramës. A thua se është ky i fundit apo shokët e këtij që luanin me top llastiku aso kohe, që e përndoqën e i nxinë jetën fatziut?! Kur prindërit e tij u internuan Edi i kishte buzët me qumësht, kurse Saliu me bozë pushteti...

Fatbardh hapi sytë e ruaj pak dinjitet! Dikur Saliu ishte zar i Enverit, sot ti po bëhesh zar i Saliut. Ndërsa Shqipëria po rrokulliset si zar drejt një rruge pa kthim.

 

Reforma në administratë

 

Zbardhet faksimilja midis një eksponenti të PD-së dhe shefit të burimeve njerëzore në Republikën e Shqipërisë:

Përshëndetje Lulo,

Më poshtë po të dërgoj listën e prurjeve nga PD-ja dhe aleatët, lista të azhornohet çdo orë, se po afrojnë zgjedhjet e përndryshe kena me fitu nji mut me komunistat e mutit. Berishë Ramë Sala, militant i thekur i PD, të emërohet sa më parë çoban në Kurvelesh. Medi Fatmiri, të emërohet teneqexhi bakërri në qafën e pazarit n' Gjinokastër. Metë Liri, të emërohet urgjent kasap pranë therrtores në Kapshticë. Dode Mesi, e përkushtuar deri n' vetflijim, të emërohet brigadiere në burgun e grave Vaqorr (të enjten lijani pushim se duhet të dali në Fevzi Bledi). Frangë Aleksi, tellall tek ura vajgurore, Voksana Albisha, të emërohet furrxheshë, edhe kjo tek burgu i grave…

Folim pas nji ore!

 

S'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

Shtypi i ditës na bën të njohur se me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë do hidhen plotë 5 milion euro që të na nderojë me prezencën e saj, askush më pak sesa Shakira. Këshilli i Ministrave e ka marrë seriozisht këtë punë. Kryeministri nga ana e tij dihet, kishte fjetur natën e 28 Nëntorit, të vitit të 99 të Pavarësisë, dhe pasi pati dialoguar në ëndërr me ëngjëllin Gabriel u kthye mes nesh me tre projekt-ide për festimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë.


1- Një stadium kombëtar që të na e ketë zili e gjithë Evropa (apo tha bota?).

2- Një parlament të ri për fukarenjtë e gjorë, deputetët fakirë të Shqipërisë, i cili duhet ndërtuar tek piramida duke simbolizuar kështu edhe karakterin e mbinatyrshëm të Kryeministrit: "me një dorë të shemb e me tjetrën të ngre më kult se përpara" dhe 

3- Shakira në Shqipëri, muza e vitheve perfekte, këngëtarja latine që aq bukur interpreton këngët me vallëzime orientale, duke na sjellë memorjen e paharruar historike të pashallëqeve...

Duke qënë se po merrej me punë të tjera më të rëndësishme, si ullinjtë e Rivierës, arrat e Veri-Lindjes, dhe pjeshkët e Lapardhasë, por edhe me plagën sociale të prostitucionit në Shqipëri, dhe nuk pati mundësi të realizojë dy projektet e para, Këshilli i Ministrave vendosi të investojë gjith çka është e mundur te Shakira. Në fund të fundit Kryeministri është burrë shteti (e tha Arvizuja) e s'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

 

Sondazh

Fatos Nano president, si ju frymezon ky lajm?

ilaç koke,Karikatura

Facebook

Simply Albania