Gjeneralmegafoni

Ilir Meta, boll më se na çave trapin!

E-mail Print PDF
Është mirë që Ilir Meta të bëjë atë që do të bënte çdo politikan me pak cipë: të heshtte! Të mos fliste këto ditë, të rrinte i qetë, të mblidhte ato dy fije argumenta që mund t’i kenë mbetur për t’u përpjekur të mbrojë atë veten e vet të diskredituar. Çdo fjalë që thotë është një fyerje e hapur ndaj kujtdo që jeton duke u përpjekur të tejçojë vlera të qënësishme për një shoqëri, çdo fjalë që thotë është një udhërrëfyes për brezat e rinj të abonuar nëpër baste, duke u lënë të mendojnë se në Shqipëri dhe në jetë suksesi vlen vetëm nëse je në gjendje të bësh pazarllëqe që kapin shifra me minimalisht 5 zero. Ai duhet të pushojë, t’ja lërë fjalën atyre që e kanë për detyrë të flasin: prokurorëve (megjithëse shpresa është shumë e imët që ata të prodhijnë ndonjë gjë…), analistëve të shitur ose jo, njerëzve të thjeshtë në mënyrë që të shprehin dufin kundër një situate që është bërë rrugë por që tashmë kanë zbuluar deri në ç’përmasa shkon tejngopja e atyre që do të na e bëjnë Shqipërinë evropiane. Është radha jonë që të themi fjalën tonë, që të veprojmë dhe është radha e Ilir Metës të qëndrojë spektator, ashtu siç qëndruam në spektatorë në rrënimin e vlerave që na janë përpjekur me shumë sakrifica të na ushqejnë, në talljen më të madhe që mund t’i bëhet njerëzve sy për sy dhe pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë. Është radha që të mësohet se ai është Kryetar i një partie të lindur nga një sherr personal, të fryrë me njerëz që kërkojnë favore personale dhe që do të vdesë së bashku me karrieriën politiko-personale të krijuesit të saj…

Shumëkush mund të thotë se nuk ka përparim pa një çikë lubrifikim, në kuptimin që të funksionojë mirë motori i kapitalizmit duhet vajosur në mënyrë që të punojë në regjim të plotë. Kjo është e vërtetë. Po kjo nuk duhet të shërbejë si justifikim për të pranuar se ato që pamë dhe që mund të shohim janë normale. Si mund t’i sqarohet një personi që varfërohet gjithmonë e më shumë se lubrifikimi i një politikani pa profesion të vërtetë në jetë është kusht i domosdoshëm për rritjen ekonomike të vendit? Po të kishte disa jetë ndoshta po, do e kishte pranuar. Madje do të dënonte gjestin e ulët prej çimke të Dritan Priftit se të mirat e atij lubrifikimi do të ndihen pas 50 ose 100 vjetësh dhe kësisoj do i shijonte ne jetën e tij të tretë a të katërt… Ndoshta varfëria është një fenomen që nuk lidhet vetëm me korrupsionin e baballarëve të kombit. Po ama ajo nga kafshatë e pakapërdishme kthehet në një gjellë që të ngjall krrupën sa herë që e shikon kur përpara saj vihet e vërteta e zyrave të shtetit, ku qarkullojnë eurot si pa gjë të keq.

Shumëkush mund të thotë se 3 milionë sa jemi ne si popull mjafton që të kënaqemi me teorinë në mos mos rrjedh do të pikojë dhe se ato eurot do të kishin shumë përfitues, ku secili prej tyre mban familjen e vet dhe nga gjilpëra në pe, çdo shqiptar do të jetë përfitues i atyre lekëve. Po atëherë përse marrim edukatë shoqërore, përse shkojmë në provime për të testuar njohuritë, përse kursejmë lekë, përse u mësojmë fëmijëve të mos vjedhin e të mos shajnë, përse lexojmë libra dhe propagandojmë vlera? Apo për bukurinë e të qënit moralist. Këtë luks e ka vetëm Kryeministri, i cili si bolshevik burokrat i regjur të bën moral ditën dhe ta shkopsit natën se me këtë mënyrë është mësuar të sillet.
Të dyja fenomenet që përmendëm më sipër janë në vetvete shumë problematikë. Sepse nga masivizimi i tyre lind injoranca, ekstremizimat kundër tolerancës dhe rrymat moralizatore që kanë për qëllim shtypjen e individit dhe krijimin e një morali të ri sepse njerëzit do të lodhen dhe do të jenë më lehtësisht pre e lëvizjeve fashiste, autoritare ose anti-tolerante. Nëse vazhdohet me këtë rrugë, pra nëse Ilir Meta pëllet në mikrofon çdo ditë nga zyrat e Lëvizjes Haluçinante për Integrim, rrezikojmë të përfundojmë në një diktaturë tjetër.
Së fundi, të më falni për titullin. Po në krahasim me fjalorin e përdorur këto kohët e fundit në Parlament, në histeri e sipër dhe nën drejtimin e fëmijës së lumtur Jozefinë, më duket shumë i pranueshëm dhe, ç’është më e vërteta, në lartësinë e mllefit që kam.
                                                                                                                                                           Stavri

Share

Shto koment Kerko
JM  - Radha jone!   |2011-01-21 01:59:37
Tani eshte radha jone te ngrihemi dhe t'i çajme "trapin" Ilirit!
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Shpifja vs puçi

Sot Policia e Shtetit shkarkoi nga detyra të vetëshkarkuarin prej së paku një jave, ish komandantin i Forcave Speciale dhe Drejtorin e Policisë së Dibrës, Shemsi Prençin. Kjo taktikë e shkarkimeve pasi i shkarkuari jep dorëheqjen, kohët e fundit është kthyer në modë. Le të kujtojmë rastin e Nën Kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Edhe ky dha dorëheqjen, por këtu ka shtet që iniciativën e merr vetë. Pak me vonesë por ama e merr.

Prençi u shkarkua nga detyra për shkak të shpifjeve dhe shkeljes së ligjit. Ai akuzoi strukturat më të larta të shtetit si të implikuara në mafien e kromit.
Të hedhësh baltë mbi uniformën blu pasi ke dhënë dorëheqjen nga çdo strukturë e kësaj force, është e ndëshkueshme me shkarkim nga detyra. 

Mos harrojmë që Prençi ka edhe një precedent tjetër të shkarkimit nga detyra. Ai është filmuar gjatë sulmit të Kryeministrisë dhe Televizionit Shqiptar në 14 Shtator 1998, ndërsa udhëhiqte turmën e armatosur. Kujtojmë që gjatë kësaj periudhe Prençi ishte oficer i Policisë së Shtetit, i cili mori dënimin maksimal që jepet në vendin tonë për Puç të armatosur. Shkarkim nga detyra. Sesi u rikthye në detyrë Prençi dhe sesi i ngjiti shkallët e karrierës, askush nuk e di. Një oficeri policie i cili heq uniformën për të drejtuar armët kundër institucioneve të shtetit, për mendimin tonë modest atë uniformë nuk duhet t’ia vishnin më, sepse ndodh që ai mund ta njollosi sërish. Kësaj rradhe edhe më keq, duke shpifur (?!). Apo puçi është më i rëndë?! Shpifja apo puçi, puçi apo shpifja?! Le të presim qeverinë e majtë e të shohim nëse e rehabiliton oficerin Prençi duke i dhënë fund edhe dilemës tonë.

Barbarizëm

Civilizimi i një populli kuptohet nga mënyra si trajton kafshët. Mu kujtua kjo shprehje e Mahatma Gandit ndërsa shikoja një video që qarkullon kohët e fundit në ueb dhe që dokumenton fushatën e  ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit për shfarosjen e qenve endacakë. Ekzekutimi i kafshëve në mes të rrugës nuk është gjë tjetër veç barbarizëm. Në prag të sezonit turistik qëllimi, një qytet i pranueshëm për pushuesit, nuk mund të justifikojë mjetin, eliminimi fizik i qenve.

Problemi i kafshëve pa zot, ose që zot kanë rrugën, është i përhapur në çdo qytet të Shqipërisë. Kequshqyerja dhe kushtet në të cilat jetojnë bëhen shkas për sëmundje të ndryshme, sëmundje që përbëjnë rrezik edhe për shëndetin publik. Një problem tjetër, që lidhet me natyrën e qenve, është grumbullimi në tufë duke sulmuar në disa raste njeriun. Strukturat për kujdesin mungojnë dhe do të vazhdojnë të mungojnë për sa kohë shteti nuk ka struktura strehimi as për qytetarët. Të shumta dhe në rritje janë rastet e të varfërve që detyrohen të enden, rrugëve të qyteteve, si dhe mos më keq se kafshët. Edhe këta shteti i vret. Me indiferentizëm. Ndërsa për qentë shteti ka gjetur një metodë më të shpejtë dhe më efikase. Shfarosjen masive.

Dorëzimi përpara këtij akti makabër i cili ndodh rëndom në çdo qytet të Shqipërisë, është zgjedhja më e thjeshtë, por nuk është zgjedhja jonë. Kush i hap rrugë barbarizmit, zgjedh të largohet një orë e më parë nga ky vend, duke qenë se nuk mund të japë kontribut për ndryshim. Ne zgjedhim të qëndrojmë dhe të denoncojmë çdo akt çnjerëzor që nuk është pjesë e kulturës tonë, çdo barbarizëm që, i përkohshëm ashtu si shteti i kalbur i cili na përket, nuk na përfaqëson

 

Krym kundër dinjitetit

A e njihni Fatbardh Kadillin? Sigurisht që jo! As ne nuk e njohim por dimë që ka mandat deputeti si përfaqësues i Partisë Demokratike, ka qënë këshilltar i Kryeministrit Berisha, dhe herë pas here del në konferenca për shtyp. Po të kthehemi pak në kohë, do të zbulojmë që Bardhi vjen nga një familje e persekutuar gjatë Diktaturës Hoxhiste, si pak të tjerë në PD. Për të qënë më të saktë një sekretar partie si Berisha duhet të jetë figurë e urryer për Bardhin. Sa shumë kanë hequr familjet disidente nga sekretarët e partisë?!

Por Bardhi sot,  ashtu si edhe më parë e shfryu mllefin e akumuluar prej vitesh, kundër Edi Ramës. A thua se është ky i fundit apo shokët e këtij që luanin me top llastiku aso kohe, që e përndoqën e i nxinë jetën fatziut?! Kur prindërit e tij u internuan Edi i kishte buzët me qumësht, kurse Saliu me bozë pushteti...

Fatbardh hapi sytë e ruaj pak dinjitet! Dikur Saliu ishte zar i Enverit, sot ti po bëhesh zar i Saliut. Ndërsa Shqipëria po rrokulliset si zar drejt një rruge pa kthim.

 

Reforma në administratë

 

Zbardhet faksimilja midis një eksponenti të PD-së dhe shefit të burimeve njerëzore në Republikën e Shqipërisë:

Përshëndetje Lulo,

Më poshtë po të dërgoj listën e prurjeve nga PD-ja dhe aleatët, lista të azhornohet çdo orë, se po afrojnë zgjedhjet e përndryshe kena me fitu nji mut me komunistat e mutit. Berishë Ramë Sala, militant i thekur i PD, të emërohet sa më parë çoban në Kurvelesh. Medi Fatmiri, të emërohet teneqexhi bakërri në qafën e pazarit n' Gjinokastër. Metë Liri, të emërohet urgjent kasap pranë therrtores në Kapshticë. Dode Mesi, e përkushtuar deri n' vetflijim, të emërohet brigadiere në burgun e grave Vaqorr (të enjten lijani pushim se duhet të dali në Fevzi Bledi). Frangë Aleksi, tellall tek ura vajgurore, Voksana Albisha, të emërohet furrxheshë, edhe kjo tek burgu i grave…

Folim pas nji ore!

 

S'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

Shtypi i ditës na bën të njohur se me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë do hidhen plotë 5 milion euro që të na nderojë me prezencën e saj, askush më pak sesa Shakira. Këshilli i Ministrave e ka marrë seriozisht këtë punë. Kryeministri nga ana e tij dihet, kishte fjetur natën e 28 Nëntorit, të vitit të 99 të Pavarësisë, dhe pasi pati dialoguar në ëndërr me ëngjëllin Gabriel u kthye mes nesh me tre projekt-ide për festimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë.


1- Një stadium kombëtar që të na e ketë zili e gjithë Evropa (apo tha bota?).

2- Një parlament të ri për fukarenjtë e gjorë, deputetët fakirë të Shqipërisë, i cili duhet ndërtuar tek piramida duke simbolizuar kështu edhe karakterin e mbinatyrshëm të Kryeministrit: "me një dorë të shemb e me tjetrën të ngre më kult se përpara" dhe 

3- Shakira në Shqipëri, muza e vitheve perfekte, këngëtarja latine që aq bukur interpreton këngët me vallëzime orientale, duke na sjellë memorjen e paharruar historike të pashallëqeve...

Duke qënë se po merrej me punë të tjera më të rëndësishme, si ullinjtë e Rivierës, arrat e Veri-Lindjes, dhe pjeshkët e Lapardhasë, por edhe me plagën sociale të prostitucionit në Shqipëri, dhe nuk pati mundësi të realizojë dy projektet e para, Këshilli i Ministrave vendosi të investojë gjith çka është e mundur te Shakira. Në fund të fundit Kryeministri është burrë shteti (e tha Arvizuja) e s'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

 

Sondazh

Fatos Nano president, si ju frymezon ky lajm?

ilaç koke,Karikatura

Facebook

Simply Albania