Gjeneralmegafoni

Institucionalizimi i kafes

E-mail Print PDF

Sa jemi në gjendje t’i bëjmë ballë një krize si ajo që ka pllakosur Greqinë? Çfarë do të shkaktonte një tjetër vit zero për Shqipërinë, le të themi një ’97 e dytë, jo e njëjtë në çdo detaj, po për shembull pa hapje deposh e rrëmbim armësh?! I shtroj këto pyetje sepse ne shqiptarët jemi popull me vitalitet të spikatur dhe i kemi bërë ballë situatave më të paimagjinueshme, e po mendoja: “ku i dihet, ne mund t’i bëjmë ballë çdo sfide. Edhe bar kemi ngrënë...”. Ne jo vetëm e patëm vitin tonë zero së bashku me vendet e tjera të bllokut lindor, në fillim të viteve ’90, por patëm fuqinë të ringrihemi edhe një herë tjetër 5-6 vite më pas, atëherë kur shteti pushoi së qenuri shtet dhe aktorë ishin po të njëjtët që qeverisin sot. Ndërkohë edhe ditët e sotme nuk janë të varfra me shembuj sfidash e fitoresh të korrura anembanë. Kryeministri na flet për arritje legjendare me anëtarësimin në NATO, për ndërtime rrugësh me përpjekje epike, për rritje ekonomike kolosale, për turizëm mahnitës e plot shastisje gojahapur...

Arritje të popullit tonë nën udhëheqjen e qeverisë demokratike, identike me ato që na bën të njohur historia; nën udhëheqjen e partisë dhe shokut Enver. E të tjera e të tjera...

Tani, sytë në ballë i kemi të gjithë, edhe ithtarët e Saliut nuk janë aq të verbër sa duken, edhe opinionistë e profesionistë të trudhënies ekraneve kemi plot (e kam të vështirë të kuptoj si mund të jetë profesion ky i fundit por përderisa pjesa dërrmuese e tyre, dhe nuk e kam fjalën për gazetarët, mbështesin qeverinë dhe merren me punët e opozitës, atëhere çdo gjë bëhet më e qartë: të gjithë ata që punojnë për qeverinë nuk e bëjnë me ndershmëri intelektuale por thjeshtë për përfitim personal). Pra edhe ne, edhe këta, edhe ata, e kemi të qartë që kështu si po hecet përfundohet në greminë. Me pallavrat e arrorëve e të miliona rrënjëve ullinj, me ferrat që duhen kthyer në frutorë Kryeministri na dhuron veç një buzëqeshje të shkurtër, të hidhur si çdo buzëqeshje që ka ditur të dhurojë deri më sot, por asnjë buzëqeshje për të ardhmen. Me hakërrime ndaj Prokurores së Përgjithsme, pardon, “kurvës së bulevardit” siç e quan ai, kundër Presidentit të Republikës apo “kryetari i aleancës së plehut” siç ka qejf ta thërrasë kryeministri, e kundër gjithë qytetarëve të tjerë që janë më të papërfillshëm se kryeqytetarët e lartëpërmendur; e pra me këto hakërrime ai nuk ia fut frikën njeriu. Populli shqiptar i njeh mirë bijtë që nxjerr nga gjiri i tij. Por nuk ka njeri me sy në ballë, sado fanatik i Saliut qoftë që të mos e ketë kuptuar se me këto klithma të shëmtuara që nuk i kanë hije një burri malësie, po e izolon Shqipërinë më keq se paraardhësi i tij, sigurisht Enveri. Ndërsa të huajt po! Ata vërtetë i frikësohen një të papërgjegjshmi që drejton një shtet evropian (në kuptimin kontinental). Mu kujtua një shprehje e tij 14 vjet më parë: “do t’jua ngrij buzëqeshjen në buzë” dhe Saliu ka treguar që di ta mbajë fjalën!

Po ne çfarë bëjmë ndërkohë? Ne jemi ai populli vital, që nuk na e bën syri tërr përballë asnjë gjëme. Prandaj sot rrimë duarkryq. Kur të na bjerë mbi kokë atëhere do të nxjerrim pallën nga këllufi. Po sot përballë dramës së përsëritur të Bulqizës, përmbytjeve dhe rikthimit të kënetave, Gërdecit, 21 Janarit, faljes së detit për interesa meskine për të mos thënë antikombëtare, shitjes së dinjitetit kombëtar për 1 euro, plehërizimit të vendit me plehra nga Napoli dhe radioaktivitet nga Gjermania, futjes së duarve në kuti votimi në sy të të gjithëve, përballë vrasjeve anonime të politikanëve, gjykatësve, punonjësve të SHISH-it, dhe qytetarëve të thjeshtë; përballë këtyre e shumë të tjerave i fusim një kafe dhe themi që s’ka alternativë tjetër. Në kafe, në të vetmin institucion shpirtëror të shqiptarëve.

Ajo çka nevojitet është krejt tjetër. Asnjë shqiptar sado i pazë nuk është i padobishëm, çdo formë rezistence sado e papërfillshme në dukje është e mirëpritur. Një shkrim në facebook është më efikas se një ankesë shterpë në kafenè. Një poster kundër plehërizimit të vendit është sigurisht më shumë se një qarravitje para kafes. Një organizim të rinjsh të indinjuar nuk duhet përbuzur për numërin e vogël të pjesëmarrësve por duhet inkurajuar për guximin e një brezi që përndryshe do e gjesh në baste, llotari dhe sigurisht në kafe. Ajo çka nevojitet realisht është një revoltë mbarëpopullore, por është po aq e qartë që kjo nuk do të vijë pas 4 viktimave që ende thërrasin drejtësi dhe pyesin “kush?”, edhe pse “kush?” e dimë të gjithë përveç drejtësisë.
Një popull vital si ky i yni do të dijë t’i bëjë ballë pa dyshim edhe kësaj situate, por mbase ende nuk ka të qarta pasojat dramatike që sjell durimi i tepruar i çizmeve të pushtetit mbi krye.Derisa të ndërgjegjësohemi masivisht e të kuptojmë që çdo vonesë do të na kushtojë shtrenjtë, i takon të ndërgjegjësuarëve të rezistojnë me çdo formë. Sot!

Onufri

Share

Shto koment Kerko
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Shpifja vs puçi

Sot Policia e Shtetit shkarkoi nga detyra të vetëshkarkuarin prej së paku një jave, ish komandantin i Forcave Speciale dhe Drejtorin e Policisë së Dibrës, Shemsi Prençin. Kjo taktikë e shkarkimeve pasi i shkarkuari jep dorëheqjen, kohët e fundit është kthyer në modë. Le të kujtojmë rastin e Nën Kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Edhe ky dha dorëheqjen, por këtu ka shtet që iniciativën e merr vetë. Pak me vonesë por ama e merr.

Prençi u shkarkua nga detyra për shkak të shpifjeve dhe shkeljes së ligjit. Ai akuzoi strukturat më të larta të shtetit si të implikuara në mafien e kromit.
Të hedhësh baltë mbi uniformën blu pasi ke dhënë dorëheqjen nga çdo strukturë e kësaj force, është e ndëshkueshme me shkarkim nga detyra. 

Mos harrojmë që Prençi ka edhe një precedent tjetër të shkarkimit nga detyra. Ai është filmuar gjatë sulmit të Kryeministrisë dhe Televizionit Shqiptar në 14 Shtator 1998, ndërsa udhëhiqte turmën e armatosur. Kujtojmë që gjatë kësaj periudhe Prençi ishte oficer i Policisë së Shtetit, i cili mori dënimin maksimal që jepet në vendin tonë për Puç të armatosur. Shkarkim nga detyra. Sesi u rikthye në detyrë Prençi dhe sesi i ngjiti shkallët e karrierës, askush nuk e di. Një oficeri policie i cili heq uniformën për të drejtuar armët kundër institucioneve të shtetit, për mendimin tonë modest atë uniformë nuk duhet t’ia vishnin më, sepse ndodh që ai mund ta njollosi sërish. Kësaj rradhe edhe më keq, duke shpifur (?!). Apo puçi është më i rëndë?! Shpifja apo puçi, puçi apo shpifja?! Le të presim qeverinë e majtë e të shohim nëse e rehabiliton oficerin Prençi duke i dhënë fund edhe dilemës tonë.

Barbarizëm

Civilizimi i një populli kuptohet nga mënyra si trajton kafshët. Mu kujtua kjo shprehje e Mahatma Gandit ndërsa shikoja një video që qarkullon kohët e fundit në ueb dhe që dokumenton fushatën e  ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit për shfarosjen e qenve endacakë. Ekzekutimi i kafshëve në mes të rrugës nuk është gjë tjetër veç barbarizëm. Në prag të sezonit turistik qëllimi, një qytet i pranueshëm për pushuesit, nuk mund të justifikojë mjetin, eliminimi fizik i qenve.

Problemi i kafshëve pa zot, ose që zot kanë rrugën, është i përhapur në çdo qytet të Shqipërisë. Kequshqyerja dhe kushtet në të cilat jetojnë bëhen shkas për sëmundje të ndryshme, sëmundje që përbëjnë rrezik edhe për shëndetin publik. Një problem tjetër, që lidhet me natyrën e qenve, është grumbullimi në tufë duke sulmuar në disa raste njeriun. Strukturat për kujdesin mungojnë dhe do të vazhdojnë të mungojnë për sa kohë shteti nuk ka struktura strehimi as për qytetarët. Të shumta dhe në rritje janë rastet e të varfërve që detyrohen të enden, rrugëve të qyteteve, si dhe mos më keq se kafshët. Edhe këta shteti i vret. Me indiferentizëm. Ndërsa për qentë shteti ka gjetur një metodë më të shpejtë dhe më efikase. Shfarosjen masive.

Dorëzimi përpara këtij akti makabër i cili ndodh rëndom në çdo qytet të Shqipërisë, është zgjedhja më e thjeshtë, por nuk është zgjedhja jonë. Kush i hap rrugë barbarizmit, zgjedh të largohet një orë e më parë nga ky vend, duke qenë se nuk mund të japë kontribut për ndryshim. Ne zgjedhim të qëndrojmë dhe të denoncojmë çdo akt çnjerëzor që nuk është pjesë e kulturës tonë, çdo barbarizëm që, i përkohshëm ashtu si shteti i kalbur i cili na përket, nuk na përfaqëson

 

Krym kundër dinjitetit

A e njihni Fatbardh Kadillin? Sigurisht që jo! As ne nuk e njohim por dimë që ka mandat deputeti si përfaqësues i Partisë Demokratike, ka qënë këshilltar i Kryeministrit Berisha, dhe herë pas here del në konferenca për shtyp. Po të kthehemi pak në kohë, do të zbulojmë që Bardhi vjen nga një familje e persekutuar gjatë Diktaturës Hoxhiste, si pak të tjerë në PD. Për të qënë më të saktë një sekretar partie si Berisha duhet të jetë figurë e urryer për Bardhin. Sa shumë kanë hequr familjet disidente nga sekretarët e partisë?!

Por Bardhi sot,  ashtu si edhe më parë e shfryu mllefin e akumuluar prej vitesh, kundër Edi Ramës. A thua se është ky i fundit apo shokët e këtij që luanin me top llastiku aso kohe, që e përndoqën e i nxinë jetën fatziut?! Kur prindërit e tij u internuan Edi i kishte buzët me qumësht, kurse Saliu me bozë pushteti...

Fatbardh hapi sytë e ruaj pak dinjitet! Dikur Saliu ishte zar i Enverit, sot ti po bëhesh zar i Saliut. Ndërsa Shqipëria po rrokulliset si zar drejt një rruge pa kthim.

 

Reforma në administratë

 

Zbardhet faksimilja midis një eksponenti të PD-së dhe shefit të burimeve njerëzore në Republikën e Shqipërisë:

Përshëndetje Lulo,

Më poshtë po të dërgoj listën e prurjeve nga PD-ja dhe aleatët, lista të azhornohet çdo orë, se po afrojnë zgjedhjet e përndryshe kena me fitu nji mut me komunistat e mutit. Berishë Ramë Sala, militant i thekur i PD, të emërohet sa më parë çoban në Kurvelesh. Medi Fatmiri, të emërohet teneqexhi bakërri në qafën e pazarit n' Gjinokastër. Metë Liri, të emërohet urgjent kasap pranë therrtores në Kapshticë. Dode Mesi, e përkushtuar deri n' vetflijim, të emërohet brigadiere në burgun e grave Vaqorr (të enjten lijani pushim se duhet të dali në Fevzi Bledi). Frangë Aleksi, tellall tek ura vajgurore, Voksana Albisha, të emërohet furrxheshë, edhe kjo tek burgu i grave…

Folim pas nji ore!

 

S'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

Shtypi i ditës na bën të njohur se me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë do hidhen plotë 5 milion euro që të na nderojë me prezencën e saj, askush më pak sesa Shakira. Këshilli i Ministrave e ka marrë seriozisht këtë punë. Kryeministri nga ana e tij dihet, kishte fjetur natën e 28 Nëntorit, të vitit të 99 të Pavarësisë, dhe pasi pati dialoguar në ëndërr me ëngjëllin Gabriel u kthye mes nesh me tre projekt-ide për festimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë.


1- Një stadium kombëtar që të na e ketë zili e gjithë Evropa (apo tha bota?).

2- Një parlament të ri për fukarenjtë e gjorë, deputetët fakirë të Shqipërisë, i cili duhet ndërtuar tek piramida duke simbolizuar kështu edhe karakterin e mbinatyrshëm të Kryeministrit: "me një dorë të shemb e me tjetrën të ngre më kult se përpara" dhe 

3- Shakira në Shqipëri, muza e vitheve perfekte, këngëtarja latine që aq bukur interpreton këngët me vallëzime orientale, duke na sjellë memorjen e paharruar historike të pashallëqeve...

Duke qënë se po merrej me punë të tjera më të rëndësishme, si ullinjtë e Rivierës, arrat e Veri-Lindjes, dhe pjeshkët e Lapardhasë, por edhe me plagën sociale të prostitucionit në Shqipëri, dhe nuk pati mundësi të realizojë dy projektet e para, Këshilli i Ministrave vendosi të investojë gjith çka është e mundur te Shakira. Në fund të fundit Kryeministri është burrë shteti (e tha Arvizuja) e s'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

 

Sondazh

Fatos Nano president, si ju frymezon ky lajm?

ilaç koke,Karikatura

Facebook

Simply Albania