Gjeneralmegafoni

Matematicienët nuk dinë aritmetikë dhe difektet e lojës tek a çift

E-mail Print PDF
Me sa duket Shqipëria e ka të vështirë të nxjerrë një fitues, por dyshja e hartuesve të këtij sistemi elektoral Rusmaili vs Islami e ka tashmë fituesin. Ai është Rusmaili dhe është triumfues në këtë betejë virtuale. Zgjuarsia dhe dinakëria e juristit pati epërsi mbi llogaritjet elementare, aritmetike të matematicienit!
Katër ditë pas votimeve, akoma nuk kemi të qartë kush fitoi zgjedhjet e shumë përfolura të 2009-ës. Pesë muaj pas fillimit të fushatës, sepse fushata filloi plot katër muaj para kohe, ende nuk po kuptojmë përse u bë e gjithë ajo zhurmë dhe kush është rezultati i gjithë kësaj rrëmuje. Duke mos e tradhtuar traditën më të mirë të politik(sh)bërjes shqiptare, ditët pas zgjedhjeve krijojnë një konfuzion të paparë tek sovrani popull. Vota nuk dihet ku shkon, nuk ka siguri nëse ajo ruhet, nuk kuptohet nëse do të quhet e vlefshme apo do të shkojë ne kosh të plehrave, vota mund të bëhet edhe me krahë, s’është çudi... Megjithatë, falë përpjekjeve të mira të politikanve pushtetarë dhe fondeve pa limit nga zemëgjerësia e qeverisë, këtë herë në ndihmë na erdhi teknologjia. Për të qartësuar tymnajën tradicionale pas zgjedhore KZAZ-të u pajisën me kamera, skaner, lidhje direkte me ekrane ultramoderne dhe sigurisht lidhje me KQZ-në. Ja ku jemi sot! Kush nga ne mund të vendosë dorën në zjarr, se kjo teknologji ja vlen, se ato para nuk ikën dëm?
 Megjithatë ajo që me shumë forcë, edhe në artikuj të tjerë, kemi mbështetur është risia që sjell  sistemi elektoral, efikasiteti dhe vertetesia e tij. Është një sistem i cili i afrohet më shumë të vërtetës, në kuptimin e shndërrimit të votës në numër deputetësh. Mjaft më me deformimet e “Dushkut” , me fuqizimin e partive që nuk janë parti, por klane fisnore e shoqërore, me kalimin e votës nga një krah politik në tjetrin! Dhe vërtetë të paktën kemi një sistem të ri, i cili është pasqyrë thuajse e saktë e realitetit Shqiptar. Ai u formulua nga njohës të mirë të ligjit dhe matematicienë të zotë, profesorë të nderuar dhe u miratua, të paktën në parim, nga i gjithë spektri politik i vendit...
Duke u bazuar në të dhënat e deritanishme të ECA & KRIK apo të KQZ-së shohim që ky sistem elektoral na jep  një gabim shumë të vogël në përkthimin e votave në deputet. Parti të cilat realisht nuk kanë peshë politike dhe identitet elektoral sot janë zhdukur nga karriget e kuvendit. Për një pasqyrë sa më reale të votës popullore është e vërtetë që do të duhej një proporcional kombëtar, por ky variant do të penalizonte parti me identitet të fortë elektoral si psh. partinë që ka themeluar komuniteti Cam. Shumëkush e ka quajtur surprizë hyrjen e PDI-së në parlament, por në fakt surprizë do të ishte hyrja e Partisë së Xhuvelit e cila, të vetmin identitet që ka eshtë ai i kryetarit të partisë. Ndërsa në zgjedhjet e më parshme kemi patur një  shperfytyrim të vullnetit të votuesve dhe prani të partive fantazma në parlament. Gjithashtu të penalizuara me proporcionalin kombëtar do të ishin edhe minoritetet, ndaj u zgjodh një sistem proporcional rajonal, duke plotësuar njëkohësisht edhe kërkesat e BE-së përsa i përket respektimit të të drejtave të minoritetit.
Por që një sistem elektoral të jetë i mirë duhet të ketë zbatues dhe zbatim të mirë. Këtu hyjnë në lojë marifetet e politikanëve me kallo në fushën e grabitjes dhe shpërfytyrimit të vullnetit popullor. Sepse kjo është loja që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë ujqërit e vjetër të politikës shqiptare të cilët ndërruan qimen e byrosë politike me gëzofin e pishtarit të demokracisë. Lojë numrash, në të cilën kushdo që të dalë i pari, humbës del vetëm shqiptari. Pas mazhoritarit, pas mazhoritarit të korrigjuar me proporcional, pas lojës së Dushkut, pas MegaDushkut sot na ofrohet loja e numrit tek apo cift në proporcionalin rajonal. Le ta shpjegojmë cfarë është kjo lojë:
Në hartën e Shqipërisë u ndanë 12 qarqe. Në secilin prej tyre del një numër i caktuar deputetësh duke u bazuar në numërimin proporcional të votave. Pra cdo parti do të marrë aq deputetë sa i takon, proporcionalisht me peshën politike që ajo parti ka në atë rajon të caktuar. Deri këtu cdo gjë perfekte. Por vallë, si do të caktohet fituesi në një qark ku del një numër cift deputetesh? Shembulli i Elbasanit me 14 deputetë është i qartë; edhe pse njëra force politike ka fituar ndaj tjetrës rezultati i përkthyer në karrige deputetësh është 7 me 7. Njësoj edhe në Qarkun e Korcës (edhe pse këtu fitorja është më e ngushtë). I njëjti difekt mund të haset edhe në qarqet e ashtuquajtura BASTION, ku fitoret janë më të thella. Le të krahasojme Shkodren me Beratin. Berati, diferenca e votave është 65% - 33% në favor të së majtës. Futëm në llogaritje edhe LSI-në duke qenë se ka nxjerrë një deputet. Në qarkun e Shkodrës diferenca është 58% - 37% në favor të së djathtës(pra  një fitore më e ngushtë se fitorja e së majtës në Berat). Por ndërsa në Berat e majta nxjerr 2 deputete me shumë se e djathta, në Shkodër, edhe pse me fitore më të ngushteë në krahasim, e djathta nxjerr 3 deputete me shumë se e majta. Akoma më i thelle do të ishte difekti nëse llogaritë bëhen pa LSI-në. “Cuditërisht” vërehet që zonat ku fiton dhe ka fituar, e majta kanë një numër cift deputetësh: Berat, Vlorë,Fier, Korcë, Elbasan, Tiranë. Përjashtim bën Gjirokastra ku numri i deputetëve është shumë i vogel për të ndikuar në marifetet e lojës Tek a Cift. Ndërsa shumica e zonave ku fiton dhe ka fituar e djathta kanë një numër tek deputetesh: Shkodër, Lezhë, Durrës. Përjashtim Bëjnë Dibra dhe Kukësi, ku sërisht numri i deputetëve është i vogël për të ndikuar ndjeshëm…
Me sa duket Shqipëria e ka të vështirë të nxjerri një fitues, por dyshja e hartuesve të këtij sistemi elektoral Rusmaili vs Islami e ka tashmë fituesin. Ai është Rusmaili dhe është triunfues në këtë betejë virtule. Zgjuarsia dhe dinakëria e juristit pati epërsi mbi llogaritjet elementare, aritmetike të matematicienit!

Share

Shto koment Kerko
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania