Gjeneralmegafoni

Në dorën e plebejve Grekë!

E-mail Print PDF

Më bënë shumë përshtypje reagimet e gjithanshme dhe negative rreth vendimit të Kryeministrit grek për të ftuar popullin në një referendum lidhur me  çështjen e krizës financiare. Si ka mundësi që të ketë reagime kaq të ashpra ndaj një vendimi të tillë?! Dhe si ka mundësi që reagime të tilla vijnë nga shtete që, në themel të tyre pretendojnë se kanë demokracinë, e cila (të gjithë e dimë) e ka etimologjinë nga greqishtja dhe që do të thotë “pushteti i popullit”?! Po pra, si ka mundësi që reagime të tilla të vijnë nga shtete demokratike?! Mos vallë e kanë harruar këto shtete kuptimin e demokracisë?! Pushtetin e popullit?! Apo mos vallë pushteti i popullit ka kohë që është harruar, dhe në vend të saj është pushteti i kapitalit?!


E kam patur gjithmonë zili shtetin zviceran për referendumet që kryen në harkun e nje viti. Dhe nuk e kam kuptuar asnjëherë se përse ne në Shqipëri nuk arrijmë të organizojmë referendume, ose më saktë jo se nuk e kam kuptuar, por më tepër “jam lutur” që të ketë referendume. Dhe fakt është vetëm referendumi i vitit 1994, ku të gjithë sot e pranojnë që populli, sovrani, bëri zgjedhjen e duhur. Gjithashtu, fakt është edhe mbledhja e firmave, apo peticioneve, për gjoja referendume për çështje të ndryshme; më kujtohet këtu nisma për TEC-in e Vlorës, së fundi çështja e piramidës, etj… dhe vetëm kaq, se referendum nuk ka patur dhe as ka për të patur. Nuk ka për të patur, sepse nuk duan ATA, politikanët (edhe në 1994 që u zhvillua një referendum donte Ai, donte Ai dhe u bë, dhe humbi, humbi nga naiviteti i fillestarit, se pas vitit 1994 ja ka marrë mirë dorën gjërave, është bërë esnaf). Ata nuk duan referendum, ata kanë frikë, ata kanë frikë nga gjykimi i popullit, ata duan të vendosin vetë për çështjet, për të gjitha çështjet, pa le më për çështjet madhore. Ata e thërrasin popullin në votim vetëm për të zgjedhur veten e tyre; në fakt ata do të donin që të ishin gjithmonë të “zgjedhur”, po për hir të fasadës së demokracisë ju duhet që të bëjnë edhe zgjedhje, të cilat edhe kur i bëjnë i fusin duart e hundët në atë farë feje, që nga listat e kandidave e deri në pikën fundore të procesit , që vetëm zgjedhje të popullit nuk janë tashmë.

Dua referendum, e dua dhe pikë! E dua, sepse votoj dhe vetë.
Po përse kanë frikë nga referendumi grek? Madje e quajnë edhe të rrezikshëm! Referendum të rrezikshëm, s’e kisha dëgjuar kurrë një gjë të tillë! Të kesh frikë nga referendumi është njësoj si të kesh frikë nga vetja, se mos bën vetëvrasje. Unë nuk kam frikë nga vetja. Po të dua të bëj vetëvrasje, e bëj dhe pikë, tek e fundit jeta është e imja, as e jotja, as e zotit, dhe as e natyrës.

Sarkozy e Merkel, banka e institucione financiare, të gjithë kanë frikë nga referendumi i plebejve grekë. Po pse tremben? Tremben, se mos vallë populli grek bën vetëvrasje (falimentim i shtetit grek). Po pse, a nuk është e drejtë e populit grek të bëj apo jo vetëvrasje?! Për një ngjarje kaq të rëndë për popullin grek,  gjëja më demokratike do të ishte pikërisht referendumi, pushteti i popullit, pushteti i drejtëpërdrejtë dhe jo nëpërmjet disa politikanëve negociatorë, sado atdhedashuri apo largpamësi të kenë. Politikanët, po të jenë largpamës e bindës, le të bindin popullin e tyre. Le të zgjedhi populli! Po ata të evropës kanë frikë se një falimetim i Greqisë dhe një dalje e mundëshme nga zona Euro do shkaktonte një rrënin të sistemit financiar në botë.
Dhe ja, këtu ka arritur puna, që i gjithë sistemi finaciar varet nga dhjetë milionë plebej grekë. Duket sikur jemi në pikën zero, në kohën e Athinës së lashtë!

Marka X

 

Share

Shto koment Kerko
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Shpifja vs puçi

Sot Policia e Shtetit shkarkoi nga detyra të vetëshkarkuarin prej së paku një jave, ish komandantin i Forcave Speciale dhe Drejtorin e Policisë së Dibrës, Shemsi Prençin. Kjo taktikë e shkarkimeve pasi i shkarkuari jep dorëheqjen, kohët e fundit është kthyer në modë. Le të kujtojmë rastin e Nën Kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Edhe ky dha dorëheqjen, por këtu ka shtet që iniciativën e merr vetë. Pak me vonesë por ama e merr.

Prençi u shkarkua nga detyra për shkak të shpifjeve dhe shkeljes së ligjit. Ai akuzoi strukturat më të larta të shtetit si të implikuara në mafien e kromit.
Të hedhësh baltë mbi uniformën blu pasi ke dhënë dorëheqjen nga çdo strukturë e kësaj force, është e ndëshkueshme me shkarkim nga detyra. 

Mos harrojmë që Prençi ka edhe një precedent tjetër të shkarkimit nga detyra. Ai është filmuar gjatë sulmit të Kryeministrisë dhe Televizionit Shqiptar në 14 Shtator 1998, ndërsa udhëhiqte turmën e armatosur. Kujtojmë që gjatë kësaj periudhe Prençi ishte oficer i Policisë së Shtetit, i cili mori dënimin maksimal që jepet në vendin tonë për Puç të armatosur. Shkarkim nga detyra. Sesi u rikthye në detyrë Prençi dhe sesi i ngjiti shkallët e karrierës, askush nuk e di. Një oficeri policie i cili heq uniformën për të drejtuar armët kundër institucioneve të shtetit, për mendimin tonë modest atë uniformë nuk duhet t’ia vishnin më, sepse ndodh që ai mund ta njollosi sërish. Kësaj rradhe edhe më keq, duke shpifur (?!). Apo puçi është më i rëndë?! Shpifja apo puçi, puçi apo shpifja?! Le të presim qeverinë e majtë e të shohim nëse e rehabiliton oficerin Prençi duke i dhënë fund edhe dilemës tonë.

Barbarizëm

Civilizimi i një populli kuptohet nga mënyra si trajton kafshët. Mu kujtua kjo shprehje e Mahatma Gandit ndërsa shikoja një video që qarkullon kohët e fundit në ueb dhe që dokumenton fushatën e  ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit për shfarosjen e qenve endacakë. Ekzekutimi i kafshëve në mes të rrugës nuk është gjë tjetër veç barbarizëm. Në prag të sezonit turistik qëllimi, një qytet i pranueshëm për pushuesit, nuk mund të justifikojë mjetin, eliminimi fizik i qenve.

Problemi i kafshëve pa zot, ose që zot kanë rrugën, është i përhapur në çdo qytet të Shqipërisë. Kequshqyerja dhe kushtet në të cilat jetojnë bëhen shkas për sëmundje të ndryshme, sëmundje që përbëjnë rrezik edhe për shëndetin publik. Një problem tjetër, që lidhet me natyrën e qenve, është grumbullimi në tufë duke sulmuar në disa raste njeriun. Strukturat për kujdesin mungojnë dhe do të vazhdojnë të mungojnë për sa kohë shteti nuk ka struktura strehimi as për qytetarët. Të shumta dhe në rritje janë rastet e të varfërve që detyrohen të enden, rrugëve të qyteteve, si dhe mos më keq se kafshët. Edhe këta shteti i vret. Me indiferentizëm. Ndërsa për qentë shteti ka gjetur një metodë më të shpejtë dhe më efikase. Shfarosjen masive.

Dorëzimi përpara këtij akti makabër i cili ndodh rëndom në çdo qytet të Shqipërisë, është zgjedhja më e thjeshtë, por nuk është zgjedhja jonë. Kush i hap rrugë barbarizmit, zgjedh të largohet një orë e më parë nga ky vend, duke qenë se nuk mund të japë kontribut për ndryshim. Ne zgjedhim të qëndrojmë dhe të denoncojmë çdo akt çnjerëzor që nuk është pjesë e kulturës tonë, çdo barbarizëm që, i përkohshëm ashtu si shteti i kalbur i cili na përket, nuk na përfaqëson

 

Krym kundër dinjitetit

A e njihni Fatbardh Kadillin? Sigurisht që jo! As ne nuk e njohim por dimë që ka mandat deputeti si përfaqësues i Partisë Demokratike, ka qënë këshilltar i Kryeministrit Berisha, dhe herë pas here del në konferenca për shtyp. Po të kthehemi pak në kohë, do të zbulojmë që Bardhi vjen nga një familje e persekutuar gjatë Diktaturës Hoxhiste, si pak të tjerë në PD. Për të qënë më të saktë një sekretar partie si Berisha duhet të jetë figurë e urryer për Bardhin. Sa shumë kanë hequr familjet disidente nga sekretarët e partisë?!

Por Bardhi sot,  ashtu si edhe më parë e shfryu mllefin e akumuluar prej vitesh, kundër Edi Ramës. A thua se është ky i fundit apo shokët e këtij që luanin me top llastiku aso kohe, që e përndoqën e i nxinë jetën fatziut?! Kur prindërit e tij u internuan Edi i kishte buzët me qumësht, kurse Saliu me bozë pushteti...

Fatbardh hapi sytë e ruaj pak dinjitet! Dikur Saliu ishte zar i Enverit, sot ti po bëhesh zar i Saliut. Ndërsa Shqipëria po rrokulliset si zar drejt një rruge pa kthim.

 

Reforma në administratë

 

Zbardhet faksimilja midis një eksponenti të PD-së dhe shefit të burimeve njerëzore në Republikën e Shqipërisë:

Përshëndetje Lulo,

Më poshtë po të dërgoj listën e prurjeve nga PD-ja dhe aleatët, lista të azhornohet çdo orë, se po afrojnë zgjedhjet e përndryshe kena me fitu nji mut me komunistat e mutit. Berishë Ramë Sala, militant i thekur i PD, të emërohet sa më parë çoban në Kurvelesh. Medi Fatmiri, të emërohet teneqexhi bakërri në qafën e pazarit n' Gjinokastër. Metë Liri, të emërohet urgjent kasap pranë therrtores në Kapshticë. Dode Mesi, e përkushtuar deri n' vetflijim, të emërohet brigadiere në burgun e grave Vaqorr (të enjten lijani pushim se duhet të dali në Fevzi Bledi). Frangë Aleksi, tellall tek ura vajgurore, Voksana Albisha, të emërohet furrxheshë, edhe kjo tek burgu i grave…

Folim pas nji ore!

 

S'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

Shtypi i ditës na bën të njohur se me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë do hidhen plotë 5 milion euro që të na nderojë me prezencën e saj, askush më pak sesa Shakira. Këshilli i Ministrave e ka marrë seriozisht këtë punë. Kryeministri nga ana e tij dihet, kishte fjetur natën e 28 Nëntorit, të vitit të 99 të Pavarësisë, dhe pasi pati dialoguar në ëndërr me ëngjëllin Gabriel u kthye mes nesh me tre projekt-ide për festimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë.


1- Një stadium kombëtar që të na e ketë zili e gjithë Evropa (apo tha bota?).

2- Një parlament të ri për fukarenjtë e gjorë, deputetët fakirë të Shqipërisë, i cili duhet ndërtuar tek piramida duke simbolizuar kështu edhe karakterin e mbinatyrshëm të Kryeministrit: "me një dorë të shemb e me tjetrën të ngre më kult se përpara" dhe 

3- Shakira në Shqipëri, muza e vitheve perfekte, këngëtarja latine që aq bukur interpreton këngët me vallëzime orientale, duke na sjellë memorjen e paharruar historike të pashallëqeve...

Duke qënë se po merrej me punë të tjera më të rëndësishme, si ullinjtë e Rivierës, arrat e Veri-Lindjes, dhe pjeshkët e Lapardhasë, por edhe me plagën sociale të prostitucionit në Shqipëri, dhe nuk pati mundësi të realizojë dy projektet e para, Këshilli i Ministrave vendosi të investojë gjith çka është e mundur te Shakira. Në fund të fundit Kryeministri është burrë shteti (e tha Arvizuja) e s'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

 

Sondazh

Fatos Nano president, si ju frymezon ky lajm?

ilaç koke,Karikatura

Facebook

Simply Albania