Gjeneralmegafoni

Nëse ende ka Shqipëri

E-mail Print PDF
Do të kisha dashur të shkruaja sot për problematikat sociale, kulturore që prekin përditshmërinë në qytetet e e fshatrat e Shqipërisë. Meqenëse po afrojnë edhe zgjedhjet lokale do të kisha dashur të trajtoja tema si ndotja e ajrit në kryeqytet prej karburanteve dhe trafikut kaotik, ndotja akustike që gjithashtu ka burim trafikun, mungesën e kulturës qytetare por edhe problemin e lokaleve të natës. Kush duhet të mbrojë qytetarin në këto raste dhe përse nuk punohet në këtë drejtim?  Do të kisha dashur të ngrija një diskutim mbi gjendjen e fshatrave dhe popullsisë fshatare në Shqipëri, bujqësia, blegtoria dhe pensionet, por akoma më shumë do të kisha dashur të gjeja një përgjigje për pyetjet: A ka akoma fshatra ne Shqipëri? Çfarë quajmë fshat? A ka ende toka që punohen? A ka më toka të lira? Po mishin që hamë çdo ditë e kemi nga blegtoria vendase apo nga importi? Nëse fshat ka por pa tokë për t’u punuar, pa bujqësi e pa blegtori atëhere kush duhet të merret me ketë punë? Kush është përgjegjës e kush nuk duhet votuar, meqenëse po afrojnë zgjedhjet dhe me votë duhen vënë politikanët përpara përgjegjësisë? Do të kisha dashur që temat e nxehta të 2011-ës të ishin hapësirat publike në kryeqytet, gjelbërimi, arsimi dhe sporti. Përse jo, edhe piramida dhe fati i saj do të më kishte pëlqyer shumë si temë e debatit publik parazgjedhor. Ndërtimi i një stadiumi të ri pas plot 20 vitesh demokraci s’do të ishte keq gjithashtu. Edhe për këtë do të kisha dashur të flisja por s’mundem. S’më vjen natyrshëm. Janë çështje të një tjetër bote, të një tjetër qytetërimi, le të themi që janë tema evropiane. TEC-i i Vlorës pse u ndërtua dhe çfarë dobishmërie sjell  duke u lënë i fikur për mungesë efiçence? Duke lexuar këto dikush me siguri do të ketë filluar të qeshë me lotë...

E megjithatë për këto dhe për disa qindra tema të tjera do të kisha dashur të diskutoja e do të kishte qenë e udhës të diskutoheshin sot , por në fakt ajo që më së shumti na shqetëson është demokracia, janë zgjedhjet e ardhshme të cilat do të jenë gur prove.(?!) Plot 20 vjet më vonë partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë nuk e kanë të qartë nëse ka demokraci në këtë vend dhe sërish zgjedhjet përbëjnë një udhëkryq, prosperiteti apo rrënimi, demokracia apo autoritarizmi. Mua nuk më shqetëson nëse ka demokraci apo jo në vendin tim, mua më shqetëson që ora na ka mbetur 20 vjet mbrapa dhe në diskutim është ende demokracia... Në fund të fundit jemi dorëzuar nga pak të gjithë e atëhere le të trajtohen edhe çështje madhore si kjo e le të lihen në harresë ato që prekin përditshmërinë e qytetarëve dhe cilësinë e jetesës...

Por prapë dikush do të ketë buzëqeshur nga naiviteti i mendimit e i shkrimit dhe jo pa të drejtë. “Regjistrimi i popullsisë me vetëdeklarim të kombësisë dhe fesë” ky është premtimi i kobshëm që na servir qeveria e që heshturazi e mbështet pothuajse i gjithë spektri politik në vend. A thua se na premtohet Parajsa kur në fakt përpara kemi tatëpjetën. Jo në prill sepse kemi zgjedhje por pas 2 muajsh, humnera është e garantuar.
Mendoj që sot nuk ka asgjë tjetër më të rëndësishme për t’u diskutuar, për të bërtitur fort, për t’u revoltuar.  Sot nuk jemi në udhëkryq siç shkruajta vetë më sipër, siç mendojnë shumë të tjerë apo siç nuk mendojnë aspak indiferentët e shekullit të ri. Sot jemi buzë një gremine drejt së cilës jemi drejtuar në mënyrë të pakthyeshme. Një ushtri e tërë prej dhjetra mijëra qytetarësh të ndërgjegjësuar e të ndërgjegjshëm po firmosin anembanë Shqipërisë kundër absurditeteve të padëgjuara më parë. Mbledhja e firmave në çdo qytet sidoqoftë është shumë pak, është shumë e vonuar dhe zgjedhjet shërbejnë më së miri për ta larguar vëmendjen.

Unë nuk e di nëse ka shtet ligjor në këtë rrepublikë të vogël ku jetojmë. Jam i sigurt që pushtetin nuk e ka sovrani ose më mirë po them që sovran ketu është Njëshi. Por di me siguri që prej pothuajse një shekulli asnjë rrezik më i madh nuk i është kanosur vendit, integritetit teriorial dhe unitetit kombëtar. Politika të induktuara nga jashtë apo mëndjelehtësi pushtetarësh të ethshëm, pak rëndësi ka. Nëse ende ka Shqipëri nga kjo betejë e fundit do të kuptohet.
                                                                                                                                                        Onufri

Share

Shto koment Kerko
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Shpifja vs puçi

Sot Policia e Shtetit shkarkoi nga detyra të vetëshkarkuarin prej së paku një jave, ish komandantin i Forcave Speciale dhe Drejtorin e Policisë së Dibrës, Shemsi Prençin. Kjo taktikë e shkarkimeve pasi i shkarkuari jep dorëheqjen, kohët e fundit është kthyer në modë. Le të kujtojmë rastin e Nën Kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Edhe ky dha dorëheqjen, por këtu ka shtet që iniciativën e merr vetë. Pak me vonesë por ama e merr.

Prençi u shkarkua nga detyra për shkak të shpifjeve dhe shkeljes së ligjit. Ai akuzoi strukturat më të larta të shtetit si të implikuara në mafien e kromit.
Të hedhësh baltë mbi uniformën blu pasi ke dhënë dorëheqjen nga çdo strukturë e kësaj force, është e ndëshkueshme me shkarkim nga detyra. 

Mos harrojmë që Prençi ka edhe një precedent tjetër të shkarkimit nga detyra. Ai është filmuar gjatë sulmit të Kryeministrisë dhe Televizionit Shqiptar në 14 Shtator 1998, ndërsa udhëhiqte turmën e armatosur. Kujtojmë që gjatë kësaj periudhe Prençi ishte oficer i Policisë së Shtetit, i cili mori dënimin maksimal që jepet në vendin tonë për Puç të armatosur. Shkarkim nga detyra. Sesi u rikthye në detyrë Prençi dhe sesi i ngjiti shkallët e karrierës, askush nuk e di. Një oficeri policie i cili heq uniformën për të drejtuar armët kundër institucioneve të shtetit, për mendimin tonë modest atë uniformë nuk duhet t’ia vishnin më, sepse ndodh që ai mund ta njollosi sërish. Kësaj rradhe edhe më keq, duke shpifur (?!). Apo puçi është më i rëndë?! Shpifja apo puçi, puçi apo shpifja?! Le të presim qeverinë e majtë e të shohim nëse e rehabiliton oficerin Prençi duke i dhënë fund edhe dilemës tonë.

Barbarizëm

Civilizimi i një populli kuptohet nga mënyra si trajton kafshët. Mu kujtua kjo shprehje e Mahatma Gandit ndërsa shikoja një video që qarkullon kohët e fundit në ueb dhe që dokumenton fushatën e  ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit për shfarosjen e qenve endacakë. Ekzekutimi i kafshëve në mes të rrugës nuk është gjë tjetër veç barbarizëm. Në prag të sezonit turistik qëllimi, një qytet i pranueshëm për pushuesit, nuk mund të justifikojë mjetin, eliminimi fizik i qenve.

Problemi i kafshëve pa zot, ose që zot kanë rrugën, është i përhapur në çdo qytet të Shqipërisë. Kequshqyerja dhe kushtet në të cilat jetojnë bëhen shkas për sëmundje të ndryshme, sëmundje që përbëjnë rrezik edhe për shëndetin publik. Një problem tjetër, që lidhet me natyrën e qenve, është grumbullimi në tufë duke sulmuar në disa raste njeriun. Strukturat për kujdesin mungojnë dhe do të vazhdojnë të mungojnë për sa kohë shteti nuk ka struktura strehimi as për qytetarët. Të shumta dhe në rritje janë rastet e të varfërve që detyrohen të enden, rrugëve të qyteteve, si dhe mos më keq se kafshët. Edhe këta shteti i vret. Me indiferentizëm. Ndërsa për qentë shteti ka gjetur një metodë më të shpejtë dhe më efikase. Shfarosjen masive.

Dorëzimi përpara këtij akti makabër i cili ndodh rëndom në çdo qytet të Shqipërisë, është zgjedhja më e thjeshtë, por nuk është zgjedhja jonë. Kush i hap rrugë barbarizmit, zgjedh të largohet një orë e më parë nga ky vend, duke qenë se nuk mund të japë kontribut për ndryshim. Ne zgjedhim të qëndrojmë dhe të denoncojmë çdo akt çnjerëzor që nuk është pjesë e kulturës tonë, çdo barbarizëm që, i përkohshëm ashtu si shteti i kalbur i cili na përket, nuk na përfaqëson

 

Krym kundër dinjitetit

A e njihni Fatbardh Kadillin? Sigurisht që jo! As ne nuk e njohim por dimë që ka mandat deputeti si përfaqësues i Partisë Demokratike, ka qënë këshilltar i Kryeministrit Berisha, dhe herë pas here del në konferenca për shtyp. Po të kthehemi pak në kohë, do të zbulojmë që Bardhi vjen nga një familje e persekutuar gjatë Diktaturës Hoxhiste, si pak të tjerë në PD. Për të qënë më të saktë një sekretar partie si Berisha duhet të jetë figurë e urryer për Bardhin. Sa shumë kanë hequr familjet disidente nga sekretarët e partisë?!

Por Bardhi sot,  ashtu si edhe më parë e shfryu mllefin e akumuluar prej vitesh, kundër Edi Ramës. A thua se është ky i fundit apo shokët e këtij që luanin me top llastiku aso kohe, që e përndoqën e i nxinë jetën fatziut?! Kur prindërit e tij u internuan Edi i kishte buzët me qumësht, kurse Saliu me bozë pushteti...

Fatbardh hapi sytë e ruaj pak dinjitet! Dikur Saliu ishte zar i Enverit, sot ti po bëhesh zar i Saliut. Ndërsa Shqipëria po rrokulliset si zar drejt një rruge pa kthim.

 

Reforma në administratë

 

Zbardhet faksimilja midis një eksponenti të PD-së dhe shefit të burimeve njerëzore në Republikën e Shqipërisë:

Përshëndetje Lulo,

Më poshtë po të dërgoj listën e prurjeve nga PD-ja dhe aleatët, lista të azhornohet çdo orë, se po afrojnë zgjedhjet e përndryshe kena me fitu nji mut me komunistat e mutit. Berishë Ramë Sala, militant i thekur i PD, të emërohet sa më parë çoban në Kurvelesh. Medi Fatmiri, të emërohet teneqexhi bakërri në qafën e pazarit n' Gjinokastër. Metë Liri, të emërohet urgjent kasap pranë therrtores në Kapshticë. Dode Mesi, e përkushtuar deri n' vetflijim, të emërohet brigadiere në burgun e grave Vaqorr (të enjten lijani pushim se duhet të dali në Fevzi Bledi). Frangë Aleksi, tellall tek ura vajgurore, Voksana Albisha, të emërohet furrxheshë, edhe kjo tek burgu i grave…

Folim pas nji ore!

 

S'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

Shtypi i ditës na bën të njohur se me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë do hidhen plotë 5 milion euro që të na nderojë me prezencën e saj, askush më pak sesa Shakira. Këshilli i Ministrave e ka marrë seriozisht këtë punë. Kryeministri nga ana e tij dihet, kishte fjetur natën e 28 Nëntorit, të vitit të 99 të Pavarësisë, dhe pasi pati dialoguar në ëndërr me ëngjëllin Gabriel u kthye mes nesh me tre projekt-ide për festimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë.


1- Një stadium kombëtar që të na e ketë zili e gjithë Evropa (apo tha bota?).

2- Një parlament të ri për fukarenjtë e gjorë, deputetët fakirë të Shqipërisë, i cili duhet ndërtuar tek piramida duke simbolizuar kështu edhe karakterin e mbinatyrshëm të Kryeministrit: "me një dorë të shemb e me tjetrën të ngre më kult se përpara" dhe 

3- Shakira në Shqipëri, muza e vitheve perfekte, këngëtarja latine që aq bukur interpreton këngët me vallëzime orientale, duke na sjellë memorjen e paharruar historike të pashallëqeve...

Duke qënë se po merrej me punë të tjera më të rëndësishme, si ullinjtë e Rivierës, arrat e Veri-Lindjes, dhe pjeshkët e Lapardhasë, por edhe me plagën sociale të prostitucionit në Shqipëri, dhe nuk pati mundësi të realizojë dy projektet e para, Këshilli i Ministrave vendosi të investojë gjith çka është e mundur te Shakira. Në fund të fundit Kryeministri është burrë shteti (e tha Arvizuja) e s'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

 

Sondazh

Fatos Nano president, si ju frymezon ky lajm?

ilaç koke,Karikatura

Facebook

Simply Albania