Gjeneralmegafoni

Një përrallë e vërtetë!

E-mail Print PDF

14 Shtator 2009. Cilat janë ngjarjet e kësaj dite? Po ja p.sh. është dita e parë e shkollës për 50 mijë vogëlushë anembanë Shqipërisë. Sa të gëzuar kanë qenë pjesa më e madhe e tyre – se një pjesë ka bërë dhe naze – për këtë ditë që e kishin pritur prej kohësh.
Më tej, dita e tyre e bukur u njollos nga çështja e Z. Fatmir Mediu, ish-ministrit të Mbrojtjes, çështja e ish ministrit të mbrojtjes që ndodhej në detyrë në orën 12 të 15 marsit 2008. Ju lutemi, mos thoni që e keni harruar atë ditë! Gërdeci.
Fatkeqësisht, besojmë se një pjesë e shqiptarëve e kanë harruar, ca nga hallet, ca nga indiferenca, të tjerë nga injoranca, e ca të tjerë kanë pësuar lavazh politik të trurit...

 Le të kthehemi dhe një herë tek vogëlushët e klasës së parë, tek brezi i së ardhmes – se ne rinia e sotme jemi krejt të pafuqishëm për të rezistuar, dhe me rezistencë kuptojmë ndalimin e keqbërjes shtetërore dhe jo thjesht shprehjen e fjalës së lirë (edhe pse fjalën e lirë e kemi, ajo vështirë se nxit reagimin e shqiptarëve).

Kur të rriten vogëlushët, kur të bëhe burra, le ta zemë në vitin 2033, cfarë do lexojnë në internet (një studim amerikan parashikon që pas 20 vitesh nuk do ketë me shtyp të shkruar) për datën 14 Shtator 2009? A do ketë hyrë në histori si dita e parë e shkollës së 50000 vogëlushve, dita e parë e së ardhmes së tyre, apo do kujtohet si dita e fundit e shpresës së shqiptarëve të asaj kohe për shtet ligjor dhe për politikë të moralshme.
Çfarë mund të thuhet tjetër?
 Në 14 shtator 2009 njeriu më me fat u shpall Z. Fatmir Mediu, në atë ditë  ministër taze i Mjedisit, më herët  ministër i Mbrojtjes (i dorëhequr për çështje morale), sot (2033) ministër i arsimit.
Në 14 shtator 2009, njeriu më hipokrit u shpall Z. Fatmir Mediu sepse avokatët e tij paradite kërkojnë pezullimin e çështjes gjyqësore për shkak të imunitetit, dhe pasi ja arrijnë kësaj, mbasdite kërkojnë nga gjykata të gjejë mundësi për  vazhdimin e çështjes, ndërkohë që vetë Z. Fatmir Mediu e konsideron veten pa imunitet.
Më tej, 14 shtator 2009 njerëzit më të fuqishëm dhe të pushtetshëm u shpallën Z. Sali Berisha, Z. Fatmir Mediu dhe Z. Lulzim Basha... po ndalojmë këtu për të bërë paksa më sportive renditjen. Tre muskultierët!
14 shtator 2009 institucioni më antipopullor i Republikës u shpall Gjykata e Lartë ose Gjykata Supreme (na pëlqen kjo fjalë, tingëllon si hyjnore); ndërsa institucioni më i paaftë Prokuroria e Përgjithshme, dhe kjo në rastin më të mirë, se mund të kemi dhe një variant tjetër për prokurorinë si p.sh. “e kapur”, e korruptuar, por këtë koha do e tregojë .
14 Shtator 2009, Media (se mos ngatërroheni, nuk thamë Mediu) bën detyrën e saj të zakonshme, misionin e saj për të informuar popullin, sovranin që i dha imunitetin Z. Fatmir Mediu. Populli jonë është bujar. Ja që dhe ne shqiptarër, kemi ca vlera, nuk jemi krejt pa gjë.
14 shtator 2009, njeriu më i varfër, i varfër  në shpirt, u shpall ... e gjeni dot?... mirë po j’ua themi: Z. Fatmir Mediu. Njeriu më cinik Z. Fatmir Mediu, ish ministër i mbrojtje (i dorëhequr për çështje morale).
14 shtator 2009, njeriu më konstitucionalist Z. Bamir Topi.
14 shtator 2009, njeriu më frikacak, Ne, Populli.
14 shtator 2009, etj., etj.
***
Në këtë reagim të shkurtër tonin nuk donim të ndaleshim në detaje konkrete apo juridike të çështjes së zotit Mediu (edhe ne e pranojmë konceptin e prezumimit të pafajsisë), se ajo  është trajtuar gjerësisht nga mediat dhe analistët profesionistë. Ne thjesht donim të jepnim reagimin e një qytetari të thjeshtë, reagim që proteston për shmangien nga procesi gjyqësor i Z. Fatmir Mediu, si rasti më i rëndë, se edhe Z. Lulëzim Basha pati të njëjtin fat.
Së fundi, shpresojmë që Z. Fatmir Mediu, tashmë si Ministër i Mjedisit do japi kontributin e tij në pastrimin e zonës së Gërdecit nga pluhuri i vdekjes. Në këtë mënyrë, lan dhe mëkatin e tij – jo ligjor – atë moral e kemi fjalën, dhe opinioni publik shqiptar, populli (përveç elektoratit Republikan që e ka kaluar këtë etapë më herët),  do e fali Atë, Zotin Fatmir Mediu, ish ministrin e mbrojtjes, ose më saktë do e varrosi thellë në harresë… sepse fatkeqësisht nuk kemi as edhe një shpresë që, populli do ngrihet në protestë apo reagim shoqëror, thjesht kujtojmë këtu ato pak protesta, të trishta në pjesëmarrje dhe vazhdimësi, në javët e para pas vaktit të parë të Gërdecit!!!
Mirupafshim i dashur lexues. E  nëse ti je dakort me ne, mundohu të “bindësh” edhe ndonjë tjetër, e ai tjerti një tjetër, e kështu me radhë, derisa të bëhemi shumë, aq sa e paligjshmja dhe e pamoralshmja e shoqërisë sonë të trembet, të zmbrapset, … dhe vlerat njerëzore të fluturojnë të lira.
                                                                                                                                                     

                                                                                                   GJENERAL MEGAFONI                  
                                         

Share

Shto koment Kerko
Glauk     |2009-10-06 02:28:37
Dakort me cdo gje qe shkruhet por me e verteta e te vertetave eshte:

14 shtator
2009, njeriu më frikacak, Ne, Populli.

Dicka te bukur kam lexuar diku e kishte
thene nje gazetar i huaj:

Nje popull dele meriton nje qeveri ujqish.

Ta
meritojme se jemi te gjithe DELE, keshtu na kane brymosur,Te kemi frike nga
qeveria.
vedat   |2009-10-06 09:26:39
Glauku ka te drejte qe shfryhet! Ku eshte rinia shqiptare? Perse askush nuk e
ngre zerin? Studentet neper europe jane te paret qe hidhen ne protesta edhe per
ceshtje anesore edhe per te drejten e perdorimit te perces ne universitete,
shiko Francen, ndersa do te digjnin qytetet per tragjedite qe shkaktojne
politikanet ne Shqiperi.
armorikan   |2009-10-06 14:41:53
ne si popull kemi nje problem: jemi pershtatur gjithmone. kjo ne fakt eshte nje
cilesi, po kur behet fjale per standarte, kthehet ne nje te keqe...
kika  - analiza   |2010-10-14 12:28:07
un dua nje perralle per analizen a muni te ma qeni menjehere
te lutemm
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania