Kjo demokracia jonë shqiptare po bëhet çdo ditë më shumë parodi demokracie, ku debati politik i ngjan një sherri plakash dhe ku argumentimi politik i ngjan gjithmonë e më shumë një thashethemnaje lagjeje. Kush ka shpresuar se me ardhjen e demokracisë mund ta rregullonte jetën e vet në paqe pa patur zhbirrilimin abuziv të një kujdestari prindëror të caktuar për ta mbikqyrur në çdo çap që hidhte dhe në çdo fjalë që thoshte, duhet t’i rikthehet vrullshëm bindjes se Shqipëria e kohës së pluralizmit është po aq tashethemaxheshë, po aq denigruese, po aq shtypëse për individin sa Shqipëria e kohës së diktaturës.
20 vjet pas rënies së murit në Tiranë, vëmë re se këto arsye jo vetëm që nuk janë zhdukur po justifikojnë ende disa qëndrime që në një shoqëri demokratike nuk duhet te ekzistojnë. Sot e kësaj dite, edhe pse spiunimi, fletërrufetë, këshillat miqësore, mbledhjet e lagjeve nuk ekzistojnë më, jetojmë në një ambjent ku ndihet fuqishëm presioni shoqëror mbi disa sjellje që kurrsesi nuk duhet t’i quajmë deviante, por që thellë thellë një sërë nostaligjikësh faktikë të kohërave të vjetra përpiqen t’i gozhdojne ne emer te nje mendesie qe e mendonim ne zhdukje e siper. Dhe jo në nivele të rëndomta, po në skajet më të larta të politikës. Sot mbase nuk diskutohet më gjatësia e fustanit apo masiviteti i mjekrës. Po kjo nuk do të thotë që po jetojmë në një erë të re ku fryn liria. Ajo në dukje mund të fryjë, po era që vjen nga lart nuk është e tillë. Nga lart diskutohet se kush e kishte zene banjon e Presidentit 20 vjet më parë, se kush shkon me kë, sa xhel vihet në flokë, kush rreh kë dhe në çfarë frekuencash… Pra veprohet në bazë hamendësismesh për të goditur tjetrin në privatësinë e tij, veprohet pas zhbirrilimeve të rëndomta në tualetet dhe në plehrat e të tjerëve derisa të gjendet ajo e dhënë që ka të bëjë me individin, paçka se preket dinjiteti i tij, e cila do e fundosi atë në sytë e një opinioni publik që tregon shenja herë tejngopjeje, herë kërshërie mëhalleje për privatësinë e dikujt, tashmë i lëshuar në sytë e opinionit publik si kafsha e pafatë e cirkut. Natyrisht, një rol të tillë vetëm një lider mund ta marrë përsipër, si në kohën e diktaturës, pasi dihet shumë mirë se si atëherë dhe sot, gjykatat dhe organet e tjera janë të pafuqishme të thonë fjalët e tyre përpara gjithëpushtetit të liderit, i cili mbron popullin e vet nga devijimet, ashtu sikundër demaskon sjelljen që nuk përputhen me një moral që përcaktohet po nga ky lider. Dhe si rrjedhim, në bazë të këtyre hamendësimeve ndërtohet një politikë e tërë, e cila kryhen shumë mirë funksionin e vet: largon njerëzit nga vështirësitë e të përditshmes që kjo politikë duhet të ndreqë, duke i ofruar një spektakël aspak të denjë për një demokraci ku aspirojmë të futemi. Rezultati: pushteti nuk ngacmohet, tjetri denigrohet, spektakli sigurohet…
Afërmendsh që ky debat shterp po arrin majat e shterimit të nervave të çdo kujt që ka sy të shohë dhe vesh të dëgjojë dhe që e kupton se nuk shkohet asgjëkundi me banalitete të tilla. Vendosja e thashemeve mbi jetën private të njerëzve në qendër të vëmendjes politike është një shenjë (nëse nevojiten të tjera) që tregojnë se regjimi politik po shket me ritme të ngadalta por të sigurta drejt një diktature moralin, kursin, vizionin e të cilës e cakton një njeri sipas tendencës politike të momentit. Të heqësh një paralele me kohën e monizmit është e tepërt, por të besosh se gjërat rregullohen me kohën dhe se disa gjëra nuk kthehen mbrapsht është naivitet. Sot shumë gjëra po i ngjasojnë një stili të vjetër të të bërit politik, diku midis fashizmit dhe feudalizmit, midis frikës se mund të humbasësh gjithçka për një fjalë të thënë dhe detyrimit që të kryesh ritet puthadorë që të bësh përpjetë. 20 vjet pas rënies së një muri, po ngrihet një tjetër më i sofistikuar po që në thelb mbetet i njëjtë.
Stavri
| Share |


