Gjeneralmegafoni

Pushteti i hipokrizisë

E-mail Print PDF

   Dje u dha një provë e qartë e tipit të marrëdhënieve që ka kryeministri me popullin e vet. Ishte një spektakël i shkurtër, që prekte ngjarjet politike të momentit, dhe që çuditërisht edhe pse ishte mbledhur për tjetër gjë, kryeministri shfrytëzoi një pesëminutësh për të hedhur shashkën e radhës. Ngjarja politike në fjalë është mosvotimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës prej Këshillit Bashkiak. Bashkimi i votave të një grupimi politik të majtë me forcat e opozitës bëri që ai të hidhej poshtë...

Ndodhemi para një situate bllokimi, të cilin nuk mund ta zgjidh asnjë organ, përveç organeve të qeverisjes vendore që në këtë rast është vet Këshilli Bashkiak. Pra, të kalohet në një votim tjetër. Megjithatë, situate politike është e tillë që ky Buxhet do të mbetet peng i këtyre lojërave politike dhe me siguri nuk do të votohet. Atëherë çfarë parashikon në këtë rast Ligji për qeverisjen vendore? Parashikon se nëse buxheti nuk votohet brenda një afati prej tre muajsh që nga prej datës 31 dhjetor 2008, Këshilli i Ministrave shpërndan Këshillin Bashkiak, dhe në këtë rast do të ketë zgjedhje të reja për Këshillin Bashkiak.

Përtej pallavrave sipas të cilave Këshilli Bashkiak mund të kërkojë kokën e Kryetarit të Bashkisë, të cilat nuk kanë asnjë bazë, duhet thënë se rivotimi për këshilltarët bashkiakë është i bazuar, pasi votimi i buxhetit është momenti më i rëndësishëm i një entiteti publik, dhe nëse nuk bihet dakord për të, atëherë i takon popullit të shprehet nëse i jep besimin forcës politike që ka një vision të caktuar për Bashkinë (pro buxhetit), ose forcave të tjera që kanë një vizion tjetër.

   Megjithatë, nuk është këtu thelbi. Thelbi qëndron te qëllimi i kësaj maskarade në këtë vit elektoral, në provokimin e një situate të tillë që Kryetari i Bashkisë të vihet në pozita sa më të dobëta, që nëse nuk jep dorëheqjen, të paktën të vuajë deri në fund të mandatit me një këshill bashkiak që do t’i qëndrojë në opozitë. Jemi brenda lojërave politike, deri diku mund të qëndrojë. Por, shprehim perpleksitetin tonë në lidhje me aventura të tilla kur dëgjojmë batuta e kryeministrit në lidhje me këtë çështje. Dhe kjo është më e dhimbshmja e kësaj situate.

   Rikthehemi te kryeministri dhe te mbledhja e tij e djeshme e qeverisë. Në një moment të caktuar , ai shpreh atë që nuk e beson askush, fjalinë: “të ndodhesha në këtë situatë (sh. në situatën e Kryetarit të Bashkisë), të gjithë e dinë se ç’do bëja, do të kisha dhënë dorëheqjen…” Pra, Kryeministri nëpërmjet këtij leksioni humiliteti të pashoq tregoi qartë dhe bukur se si e koncepton ai komunikimin me njerëzit. Për të, në mos dele, njerëzit janë qenie mendjeshkurtra që nuk kujtohen se nën presionin më esktrem, nën situatën kur më shumë se kurrë Kryeministri atëherë President, jo vetëm që nuk dha dorëheqjen po e mendoi më të udhës të rikonfirmonte veten nën zhurmën e armëve.

   Mund të kemi shumë vërejtje ndaj klasës politike shqiptare, po ama nuk mund ta shajmë në një aspekt, në çiltërsinë në thënien e gënjeshtrës. Por kjo ka një arsye, dhe është e thjeshtë: mungesa e reagimit shoqëror ndaj gënjeshtrës sy më sy që bëjnë liderat tanë. Kjo situatë do të vazhdojë për sa kohë nuk ka një reagim të mirëfilltë që t’i vërë këta njerëz me shpatulla për muri. Nuk duhet të pretendojmë që t’i kthejmë këta njerëz në qenie të kulluara, është e pamundur dhe deri diku është më mirë kështu. Por duhet bërë e qartë për tad he për gjithkënd se në rastin më të parë që popullit do t’i jepet mundësia për t’u shprehur, ata të sanksionohen, në mënyrë që të kuptohet se koha e papërgjegjshmërisë politike të gjithanshme ka marrë fund.

 

Share

Shto koment Kerko
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania