Gjeneralmegafoni

Republikë pa President

E-mail Print PDF

E ndoqëm me vëmendje pozicionimin e qartë të Presidentit kundër ligjit për importin e plehrave dhe vumë re një përkrahje të gjerë nga ana e qytetarëve. I gjendur nën sulme, fatkeqësisht të pritshme, nga ana e Kryeministrit gojëmjaltë të Shqipërisë, ai i qëndroi deri në fund, edhe nëpërmjet replikave, vendimit për mos dekretimin e një ligji plehrë dhe jo mbi çështjen e plehrave. Sigurisht ishim të paktë ne që nuhatëm më shumë oportunizëm politik sesa drejtësi në aktin e paprecedentë të Bamir Topit, por sidoqoftë e përgëzuam atë me shpresën që do të vazhdohej në këtë linjë, të paktën për sa kohë interesat e një politikani si Presidenti i Republikës shkonin në të njëjtin drejtim me interesat e qytetarëve.

E mirëpritëm këtë qëndresë të parë, edhe pse ishim të zhgënjyer që erdhi kaq e vonuar. Shumë drama përjetoi ky vend dhe nuk e ndjeu kurrë praninë e institucionit të Presidentit, i cili është vërtet mbi palët, por pikërisht për këtë duhet të jetë më prezent dhe më i vendosur, sidomos kur i duhet të dalë mbi palën Kryeministër që në Shqipëri nuk është pak, sepse quhet Berisha.

Presidenti i Republikës së Italisë Napolitano, nuk ka më shumë kompetenca se presidenti ynë. Edhe ai zgjidhet me 50% plus një të votave në parlament. Por në momentet e vështira që po përjeton vendi fqinj kohët e fundit, ai ka ditur të dalë gjithmonë mbi palët dhe ka marrë vendime të rëndësishme. Në një sistem demokratik ku në pushtet qëndron shumica dhe vendimet merren jo rrallë herë pa konsensus, të qëndrosh mbi palët, shpesh do të thotë të dalësh kundër Kryeministrit dhe ligjeve që kalon mazhoranca me shumice të thjeshtë, dhe pikërisht këtë ka bërë Napolitano, duke i rikthyer disa prej tyre në parlament, apo duke dalë hapur kundër qëndrimeve antikushtetuese të një mazhorance tepër të fortë.

Ndërsa në Shqipëri, gjatë këtyre pesë viteve kemi shënuar vetëm një rast kur Presidenti Topi ka dalë hapur kundër Qeverisë, pikërisht ligji i famshëm dhe i mbrapshtë për importin e plehrave. Dhe tek ne nuk kanë munguar miratimet e ligjeve antikushtetuese, nuk kanë munguar qëndrimet ekstreme në të dyja kahet politike mazhorancë dhe opozitë, te ne nuk kanë munguar as revoltat masive nëpër rrugë, as kontestimet e zgjedhjeve, as deformimet e tyre dhe as vjedhjet e tyre. Shqipërisë nuk i kanë munguar dështimet e një pas njëshme, si për shembull ngelja në klasë për të dytën herë rresht siç nuk i ka ndodhur asnjë vendi tjetër që paraqet kandidaturën për anëtarësim në BE. As dramat nuk kanë munguar dhe nuk është e tepërt që ti përsërisim e ti ri-përsërisim deri në fund, deri sa të ketë një fije drejtësi; Shpërthimi në Gërdec që shkaktoi 26 viktima e qindra të plagosur dhe krimi shtetëror, sy ndër sy, përballë kamerave të shumta, në dritën e diellit në 21 Janar. Në Shqipëri nuk kanë munguar as rastet e vrasjeve misterioze të deputetëve, politikanëve dhe gjyqtarëve...

A ka mbetur ndonjë gjë pa ndodhur në Shqipëri për të na bërë të gjithëve indiferentë dhe Presidentin menefregist?! Terren për të dalë hapur dhe qartë kundër padrejtësisë dhe kundër abuzimit me pushtetin ka pasur dhe ka plot. Për të qenë kreu i shtetit dhe President i një vendi nevojitet mbi të gjitha të jesh prezent dhe jo i fshehur, në krye dhe jo në mes të fushës.

Deklarata e Bamirit nga Pogradeci nëpërmjet së cilës na deklaroi ne shqiptarëve, publikisht, se është lojtar i mesfushës, na shkakton një buzëqeshje pasi na kujton se Presidentin e kemi tifoz, çun lagjeje me balluke, që edhe ndonjë lotari e hedh kur bie rasti, pikërisht ashtu si është pjesa dërrmuese e rinisë shqiptare  dhe ashtu si nuk duhet të jetë për të pasur një vend të lirë dhe të drejtë. Por akoma më shumë kjo deklaratë na le një zhgënjim të thellë. Për një çast i harruam të gjitha çfarë lamë pas gjatë këtyre viteve të pafundme tranzicion, dhe menduam që të paktën u bëmë me President. Edhe pse i kujtuam Bamirit që ishte disi vonë, sërish e përkrahëm sepse nuk është asnjëherë tepër vonë. E përkrahëm sepse jemi optimistë të pashërueshëm dhe sepse besojmë që gjërat mund të bëhen në vendin tonë, ka ende mundësi. Por Bamiri me deklaratën ironike nga Pogradeci, na e tha copë të gjithëve, që përveçse oportunizëm politik, në shërbim të ndonjë fete pushtet në zgjedhjet e 2013-ës, nuk kemi për të parë gjë tjetër prej tij. Të rrimë të qetë se institucioni i Presidentit nuk ka ekzistuar dhe nuk ka gjasa të ringjallet në vazhdim. Madje si çun i mirë lagjeje me balluke, Presidenti zgjodhi të luajë në mesfushë. Aty ku nuk i hyn në punë asnjërës  prej partive por aq më pak i shërben qytetarëve. Jemi dakord me neutralitetin e nevojshëm të institucionit të Presidentit por jo në këto kushte dhe me çdo kusht. Që të fitojë i miri kundrejt të keqit ka nevojë për ndihmën dhe pozicionimin e asnjanësit.

Përballë një krize të rëndë ekonomike Napolitano, Presidenti i Republikës fqinje, mori në dorë pushtetin dhe ia delegoi atë një kryeministri të ri, të cilin jo pa të drejtë e quajnë Kryeministri i Presidentit.

Përballë një krize politike, ekonomike, sociale, institucionale dhe morale Topi, Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka vendosur të qëndrojë në mes dhe të mos bëjë asgjë. Rroftë Republika!

Onufri

Share

Shto koment Kerko
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Shpifja vs puçi

Sot Policia e Shtetit shkarkoi nga detyra të vetëshkarkuarin prej së paku një jave, ish komandantin i Forcave Speciale dhe Drejtorin e Policisë së Dibrës, Shemsi Prençin. Kjo taktikë e shkarkimeve pasi i shkarkuari jep dorëheqjen, kohët e fundit është kthyer në modë. Le të kujtojmë rastin e Nën Kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Edhe ky dha dorëheqjen, por këtu ka shtet që iniciativën e merr vetë. Pak me vonesë por ama e merr.

Prençi u shkarkua nga detyra për shkak të shpifjeve dhe shkeljes së ligjit. Ai akuzoi strukturat më të larta të shtetit si të implikuara në mafien e kromit.
Të hedhësh baltë mbi uniformën blu pasi ke dhënë dorëheqjen nga çdo strukturë e kësaj force, është e ndëshkueshme me shkarkim nga detyra. 

Mos harrojmë që Prençi ka edhe një precedent tjetër të shkarkimit nga detyra. Ai është filmuar gjatë sulmit të Kryeministrisë dhe Televizionit Shqiptar në 14 Shtator 1998, ndërsa udhëhiqte turmën e armatosur. Kujtojmë që gjatë kësaj periudhe Prençi ishte oficer i Policisë së Shtetit, i cili mori dënimin maksimal që jepet në vendin tonë për Puç të armatosur. Shkarkim nga detyra. Sesi u rikthye në detyrë Prençi dhe sesi i ngjiti shkallët e karrierës, askush nuk e di. Një oficeri policie i cili heq uniformën për të drejtuar armët kundër institucioneve të shtetit, për mendimin tonë modest atë uniformë nuk duhet t’ia vishnin më, sepse ndodh që ai mund ta njollosi sërish. Kësaj rradhe edhe më keq, duke shpifur (?!). Apo puçi është më i rëndë?! Shpifja apo puçi, puçi apo shpifja?! Le të presim qeverinë e majtë e të shohim nëse e rehabiliton oficerin Prençi duke i dhënë fund edhe dilemës tonë.

Barbarizëm

Civilizimi i një populli kuptohet nga mënyra si trajton kafshët. Mu kujtua kjo shprehje e Mahatma Gandit ndërsa shikoja një video që qarkullon kohët e fundit në ueb dhe që dokumenton fushatën e  ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit për shfarosjen e qenve endacakë. Ekzekutimi i kafshëve në mes të rrugës nuk është gjë tjetër veç barbarizëm. Në prag të sezonit turistik qëllimi, një qytet i pranueshëm për pushuesit, nuk mund të justifikojë mjetin, eliminimi fizik i qenve.

Problemi i kafshëve pa zot, ose që zot kanë rrugën, është i përhapur në çdo qytet të Shqipërisë. Kequshqyerja dhe kushtet në të cilat jetojnë bëhen shkas për sëmundje të ndryshme, sëmundje që përbëjnë rrezik edhe për shëndetin publik. Një problem tjetër, që lidhet me natyrën e qenve, është grumbullimi në tufë duke sulmuar në disa raste njeriun. Strukturat për kujdesin mungojnë dhe do të vazhdojnë të mungojnë për sa kohë shteti nuk ka struktura strehimi as për qytetarët. Të shumta dhe në rritje janë rastet e të varfërve që detyrohen të enden, rrugëve të qyteteve, si dhe mos më keq se kafshët. Edhe këta shteti i vret. Me indiferentizëm. Ndërsa për qentë shteti ka gjetur një metodë më të shpejtë dhe më efikase. Shfarosjen masive.

Dorëzimi përpara këtij akti makabër i cili ndodh rëndom në çdo qytet të Shqipërisë, është zgjedhja më e thjeshtë, por nuk është zgjedhja jonë. Kush i hap rrugë barbarizmit, zgjedh të largohet një orë e më parë nga ky vend, duke qenë se nuk mund të japë kontribut për ndryshim. Ne zgjedhim të qëndrojmë dhe të denoncojmë çdo akt çnjerëzor që nuk është pjesë e kulturës tonë, çdo barbarizëm që, i përkohshëm ashtu si shteti i kalbur i cili na përket, nuk na përfaqëson

 

Krym kundër dinjitetit

A e njihni Fatbardh Kadillin? Sigurisht që jo! As ne nuk e njohim por dimë që ka mandat deputeti si përfaqësues i Partisë Demokratike, ka qënë këshilltar i Kryeministrit Berisha, dhe herë pas here del në konferenca për shtyp. Po të kthehemi pak në kohë, do të zbulojmë që Bardhi vjen nga një familje e persekutuar gjatë Diktaturës Hoxhiste, si pak të tjerë në PD. Për të qënë më të saktë një sekretar partie si Berisha duhet të jetë figurë e urryer për Bardhin. Sa shumë kanë hequr familjet disidente nga sekretarët e partisë?!

Por Bardhi sot,  ashtu si edhe më parë e shfryu mllefin e akumuluar prej vitesh, kundër Edi Ramës. A thua se është ky i fundit apo shokët e këtij që luanin me top llastiku aso kohe, që e përndoqën e i nxinë jetën fatziut?! Kur prindërit e tij u internuan Edi i kishte buzët me qumësht, kurse Saliu me bozë pushteti...

Fatbardh hapi sytë e ruaj pak dinjitet! Dikur Saliu ishte zar i Enverit, sot ti po bëhesh zar i Saliut. Ndërsa Shqipëria po rrokulliset si zar drejt një rruge pa kthim.

 

Reforma në administratë

 

Zbardhet faksimilja midis një eksponenti të PD-së dhe shefit të burimeve njerëzore në Republikën e Shqipërisë:

Përshëndetje Lulo,

Më poshtë po të dërgoj listën e prurjeve nga PD-ja dhe aleatët, lista të azhornohet çdo orë, se po afrojnë zgjedhjet e përndryshe kena me fitu nji mut me komunistat e mutit. Berishë Ramë Sala, militant i thekur i PD, të emërohet sa më parë çoban në Kurvelesh. Medi Fatmiri, të emërohet teneqexhi bakërri në qafën e pazarit n' Gjinokastër. Metë Liri, të emërohet urgjent kasap pranë therrtores në Kapshticë. Dode Mesi, e përkushtuar deri n' vetflijim, të emërohet brigadiere në burgun e grave Vaqorr (të enjten lijani pushim se duhet të dali në Fevzi Bledi). Frangë Aleksi, tellall tek ura vajgurore, Voksana Albisha, të emërohet furrxheshë, edhe kjo tek burgu i grave…

Folim pas nji ore!

 

S'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

Shtypi i ditës na bën të njohur se me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë do hidhen plotë 5 milion euro që të na nderojë me prezencën e saj, askush më pak sesa Shakira. Këshilli i Ministrave e ka marrë seriozisht këtë punë. Kryeministri nga ana e tij dihet, kishte fjetur natën e 28 Nëntorit, të vitit të 99 të Pavarësisë, dhe pasi pati dialoguar në ëndërr me ëngjëllin Gabriel u kthye mes nesh me tre projekt-ide për festimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë.


1- Një stadium kombëtar që të na e ketë zili e gjithë Evropa (apo tha bota?).

2- Një parlament të ri për fukarenjtë e gjorë, deputetët fakirë të Shqipërisë, i cili duhet ndërtuar tek piramida duke simbolizuar kështu edhe karakterin e mbinatyrshëm të Kryeministrit: "me një dorë të shemb e me tjetrën të ngre më kult se përpara" dhe 

3- Shakira në Shqipëri, muza e vitheve perfekte, këngëtarja latine që aq bukur interpreton këngët me vallëzime orientale, duke na sjellë memorjen e paharruar historike të pashallëqeve...

Duke qënë se po merrej me punë të tjera më të rëndësishme, si ullinjtë e Rivierës, arrat e Veri-Lindjes, dhe pjeshkët e Lapardhasë, por edhe me plagën sociale të prostitucionit në Shqipëri, dhe nuk pati mundësi të realizojë dy projektet e para, Këshilli i Ministrave vendosi të investojë gjith çka është e mundur te Shakira. Në fund të fundit Kryeministri është burrë shteti (e tha Arvizuja) e s'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

 

Sondazh

Fatos Nano president, si ju frymezon ky lajm?

ilaç koke,Karikatura

Facebook

Simply Albania