Absurditeti gjenetik i këtij vendi tejkaloi, këto javë të nxehta zgjedhore folkorizmin që pandehëm se ishte fenomeni më tipik i tij. Mungesa e koherencës, mungesa e dëshirës për të kuptuar c’duam dhe ku duhet të shkojmë, mungesa e përgjegjësisë dhe e vullnetit për të kuptuar se pa përgjegjësi nuk ka ecje përpara janë tipike jo vetëm të klasës sonë politike tërësisht të diskredituar por edhe të popullit shqiptar, i cili në situatën aktuale është më i corientuar se kurrë.
Dhe s’ka se si të jetë ndryshe.
Dhe si pasojë shumë koherente, mbase e vetmja koherencë që na karakterizon si popull, është vijimësia e këtij absurdi dhe në politikë dhe në cdo fushë të jetës. Na duket sikur po bëjmë politikë të madhe, por realiteti është ndryshe. Kemi të bëjmë me një politike që parimit i ka dhënë duart me kohë, cipën e ka pjekur nën dirtën e diellit, ndërsa arrogancën dhe mashtrimin faqebotës e ngre në piedestal. Në fakt, nuk kemi ndërmend të habitemi dhe të analizojmë pse-të, pasi nuk duam të notojmë në absurd. Duam vetëm të cekim pak absurdin duke përmendur ata që shërbejnë si interpretues të orakullit politik dhe që kanë si mision t’i japin popullit mesazhet e rrëmujshme që lëshon politika jonë në mënyrë që populli të qartësohet në lidhje me aktivitetin e tyre: kush është i korruptuar, kush nuk është, kush është konsekuent dhe kush volatil, cfarë qëllimesh kanë dhe si do t’i përmbushin. E kemi fjalën për analistët e shtypit. Kishte nga ata që zinin be e rrufe që e majta nga zgjedhjet do dalë e bashkuar, kishte nga ata që ishin të gatshëm të vetëflijoheshin për ideal, të cilët disa muaj më vonë nuk po gjejnë ende fjalët të për të shpjeguar se si ky ideal u shkel në emër të interesave të ngushta arrogante dhe meskine. Do kishin vajtur disa jetë dëm kot... Por të jesh qesharak nuk vret. Sidomos kur kalojnë disa muaj në heshtje, të bindur se ia hodhën lumit dhe se do të rifillojnë së bashku me vitin e ri shkollor politik, shkrimet e tyre thumbuese ose gudulisëse, varet nga shijet. Ne mendojmë se e humbën një mundësi shumë të madhe për të mos bërë kompromis me ata që demokracinë e shohin si një fjalë të bukur që shkruhet në letër por nuk zbatohet kurrë. Mbase mjeshtrit tanë të politikës u kanë shtënë trutë e gomarit dhe besuan verbërisht në virtytin që qëndron në mes të skakjerës politike. Mund të jetë dhe kështu, në fund të fundit kush do të parashikonte një koalicion të tillë kimerik, atëherë që të gjithë po ndiqnin me një frymë luhatjet e mandatave javën e parë pas zgjedhjeve të 28 qershorit? Nga ana tjetër, nëse është vërtetë një gjë e tillë, presim prej tyre një analizë të kësaj situate dhe përfundime koherente, ashtu sic janë shprehur se janë dhe do të jenë në analizat e tyre. Por kjo ka shuma gjasa të mos të ndodhë. Arsyet mbeten të errëta, megjithatë duhet të qëndrojmë besnik ndaj absurdit dhe të gëlltisim dhe këtë gjë, pasi duhet të mendojmë si ata dhe të arrijmë në përfundimin se edhe heshtja mund të jetë një mënyrë strategjike e shprehjes së demokracisë...
stavri
| Share |
|


