Gjeneralmegafoni

Të kapesh pas një fije (s)Pangoje

E-mail Print PDF

Ka disa vendime gjyqësore që reflektojnë më së miri situatën në të cilën ndodhet një shoqëri, hallet dhe shqetësimet që ka ajo, problemet që has, moderniteti që përplaset me arkaizmin etj etj… Besojmë se Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë mbi çështjen Pango bën pjesë të keto vendime.
Në dukje e thjeshtë, kjo çështje mbart në vetvete probleme shumë komplekse, juridike, shoqërore dhe të jetës private të individit. Janë probleme të cilat ende sot nuk janë zgjidhur përfundimisht nga demokracitë perëndimore, të cilat e shohin jetën private nën prizme të ndryshme, edhe pse Gjykata për të Drejtat e Njeriut përpiqet të ndërtojë një korpus rregullash që tenton drejt një unifikimi të të drejtës së respektimit të jetës private. Në Shqipëri këto probleme bëhen edhe më shumë komplekse duke patur parasysh informacionin e pakët që kaën njerëzit në lidhje me koncepte të tilla si privatësia, liria e shprehjes, aspirata për informacion të lirë dhe të pavarur…

Gjithashtu, këto probleme bëhen edhe më të mprehta kur sistemi gjyqësor është i gatuar në mënyrë të tillë që flak tutje çdo lloj dyshimi mbi integritetin e tij. Tashmë, mund ta themi hapur se sistemi gjyqësor, dhe këtu nënkuptoj të gjitha hallkat e tij, është i paaftë që të ndërtojë një korpus rregullash që do t’i jepte shoqërisë shqiptare disa piketa mbi të cilat të ngrihej qoftë dhe në aparencë, hija e shtetit të së drejtës.

Aktorët e kësaj ndodhie treguan nëpërmjet kësaj ngjarje si funksionon Shqipëria nën trysninë e pushtetit: një ministër i plotuqishëm që ka të drejtë “jetë a vdekje” mbi këdo që ai drejton, një media që ka të drejtë “varjeje ose linçimi” publik kundër kujtdo dhe një shtet që absurd, i cili driblon me parimet në mënyrën më hipokrite të mundshme.
Vendimi i Gjykatës mbart në vetvete idenë se kush ka pushtet do të dalë i larë nga çfëradolloj situate. Çdo fjalë, çdo presje e atij vendimi është një arbitraritet në vetvete, një grusht kundër fjalës së lirë dhe një përçudnim kundër tërë atyre njerëzve që për shkak të mungesës së transparencës duhet të vuajnë tekat e njerëzve publikë që përpiqen të nxjerrin figurën e familjarit të mirë dhe të mbrojnë në mënyrë arrogante privilegjet e tyre të paligjshme që burojnë nga të qënit në pushtet. Vendimi përpiqet të na hedhë hi syve duke iu referuar Vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke marrë ato pasazhe që i leverdisin dhe duke lënë mënjanë vendime të tjera të cilat janë të ngjashme me rastin Pango dhe që kanë vendosur krejt ndryshe. Nuk do hyjmë në analizë të vendimeve të Gjykatës evropiane, thjesht duam të vëmë në dukje se roli i gazetarit është mëse i nevojshëm në një shoqëri demokratike. Ai ka të drejta dhe detyrime deontologjike që t’i bindet ligjeve (të cilat në fakt në Shqipëri mungojnë, si për shembull një ligj për shtypin).

 Por, liria e shprehjes është e sanksionuar kudo, ajo mund të kufizohet vetëm me ligj dhe për një nevojë shoqërore të rëndësishme. Natyrisht mund të mendohet se jeta private është një nevojë shoqërore e rëndësishme, këtë nuk e vë në diskutim askush, për më tepër duke patur parasysh të kaluarën tonë diktatoriale. Por,  liria e shprehjes përbën themelin kryesor të një shoqërie demokratike, një nga kushtet parësore të progresit dhe të emancipimit të gjithsecilit. Liria e shprehjes vlen jo vetëm për qarkullimin e informacioneve  ose të ideve pozitive por edhe për ato që prekin sensibilitetet, që shokojnë ose që shqetësojnë: këtë gjë e kërkon pluralizmi, toleranca, mendimi i lirë dhe i hapur, pa të cilat nuk ka demokraci. Përjashtimet ndaj lirisë së shprehjes janë jo vetëm të kufizuara, por dhe interpretohen në mënyrë strikte në mënyrë që liria e shprehje të mos dalë e gjymtuar ose e denatyruar.

Tani, ç’mund të jetë më e nevojshme për një shoqëri: jeta private e një politikani duke nëpërkëmbur dinjitetin e gruas (pak rëndësi ka nëse ajo është e infiltruar ose jo, pamjet tregojnë që ai e ka stil të sjelluri…), apo nevoja për të zbuluar të vërtetat e njeriut që jeton me lekët dhe me votat tona? Çfarë mund të jetë më e nevojshme në një shoqëri demokratike: jeta private e një politikani, i cili kur ja kërkon fushata, del nëpër fusha me lëndinë bashkë me familjen për të na u shtirur si familjar i përkushtuar, apo vënia para përgjegjësisë së tij duke nxjerrë lakuriqësinë e sjelljes së tij hipokrite në marrjen në punësim? A mos vallë, njerëzit duhet të injorojnë ofendimet e njëpasnjëshme që mund të durojnë kategori të shumta individësh, dhe të mbrohet jeta private e një politikani që vet vendos kur një lajm është privat dhe kur është publik? A duhet të fshihemi pas ilegalitetit të përgjimit për të shpëtuar dhe për të mbajtur me para një politikan që përfaqëson të kundërtën e asaj që mbron forca e tij politike?

Po mbërrijmë në standarde të dyfishta dhe në drejtësi, gjë që e kemi nënvizuar dhe më parë. Për një politikan që shfrytëzon postin, jeta private është e shenjtë. Për një roje private, që sistemi i kalbur i mbrojtur nga ky politikan të cilit i duket vetja perëndi e shtyn të kërkojë një lëmoshë për kush e di se ç’shërbim krejt të pavlerë, jeta private është një detaj i parëndësishëm. I pari ka mbrojtje, i pari di të manovrojë para kamereva, i pari ka miq e shokë që e mbrojnë, ndërsa i dyti është i dënuar të jetojë nën peshën e një faji nga i cili vuajnë të gjithë, fajin e të qënit ngushtë në gjithçka: në jetë, në ekonomi, në mirëqënie, në familje, në shtëpi, në aspirata për të ardhmen. Ylli Pango meritonte një fat tjetër nga ai që ka sot. Për hir të të gjithë atyre njerëzve, të cilët për shkak të një çasti dobësie, kanë qënë pre e filmimeve të fshehta duke pranuar rryshfet ose kanë tentuar të bëjnë një allishverish, nga ato që Ylli ynë ka bërë dhe do të bëjë derisa të ketë karrige që t’i mbajë prapanicat e ngrohta…

Me këto që po themi nuk duam të mbrojmë Top Channel, televizioni simbol të një mashtrimi që s’ka fund. Duhet të kujtohemi pak për reklama e famshme për Botërorin: “blini kartën Supersport, do të keni Botërorin falas…”. Botërori transmetohet falas, është e vërtetë, po ama pa qënë nevoja e blerjes së kartës Supersport. Nuk di nëse do të ketë njeri që do të kërkojë lekët mbrapsht pas këtij mashtrimi në dritë në diellit. Po nuk duam të zgjatemi më tej në këtë pikë. Top Channel mori vendimin e merituar, por jo për çështjen Pango. Për këtë rast, demaskimi vlen më shumë se mbrojta e një palo jete private dhe nuk do të rreshtim kurrë së thëni një gjë të tillë. Por ky vendim, së bashku me dëmshpërblimin, duhet të shkonte jo në xhep të SuperStarit Ylli, po në xhep të atyre dhjetra njerëzve të cilëve realisht jeta e tyre private është më e shenjtë dhe më e vlefshme sesa e një politikani abuzues.
                                                                                                                                                                Stavri

Share

Shto koment Kerko
stavri   |2010-06-28 10:45:09
ka shume per te thene, shume per te shkruar dhe shume per tu revoltuar... po do
te duhej nje liber i tere...
Franko   |2010-06-28 11:05:23
Shkrim i mire. Mendoj, meqenese eshte permendur top-kanali, te ishin shkruar
edhe disa rreshta me konkretisht ndaj tij.
stavri   |2010-06-28 11:11:33
eshte ne pergatitje nje tjeter, po jo vetem per top tubacionin.
Onufri   |2010-06-29 02:12:59
I gjithe sistemi mediatik shqiptar e meriton nje shkundje, por jo nga vendimi i
gjykatave qe ndodhen ne nje gjendje morale dhe funksionale edhe me mjerane se ai
i mediave. Ndersa persa i perket çeshtjes Pango, nuk e di ku mund te gjehet e
mesmja e arte: midis te drejtes se individit per privaci dhe te drejtes se
popullit per te njohur çfare fshihet pas maskave te atyre qe ky popull voton
dhe nga te cilet varet fati i tij...
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania