Gjeneralmegafoni

Tryeza lavire

E-mail Print PDF

Nisur nga debatet e shumta televizive që zhvillohen mbi çështjen e kutive dhe të tryezës ku do të ulen burrat e kombit përpara çunit të kombit, më tërheq vëmendjen Ilir Rusmajli fuqia, energjia dhe dëshira e tij për të bindur publikun me anë të një arsyetimi shterpë se ka bindur Këshillin e Evropës se në Shqipëri nuk po ndodh asgjë dhe se janë përpjekjet e Opozitës, që i japin një pamje negative Shqipërisë, që duhen luftuar. Gjithashtu, më habit meraku i disa figurave të opozitës për të treguar para publikut shqiptar se kemi arritur të bindim Evropën për drejtësinë e kauzës tonë. Habitem nga pasioni i mediave për të pritur me sy hapur si natën dhe ditën, se ç’do të pikojë nga çatia evropiane mbi dyshemenë Shqipëri dhe mbetem pa fjalë kur shoh se Presidenti i Republikës pret në zyrën e vet ambasadorë të shteteve fort të nderuara por që nuk kanë asnjë tagër për të na zgjidhur hallet tona. Mbetem fort skeptik kur shoh mediat (iu riktheva prapë, po nuk kemi ç’bëjmë, kanë dhe ato gjynahet e tyre…) që nuk japin asnjë opinion mbi çështjen e hapjes së kutive. Ka njëfarë tërheqjeje që nuk është taktike, por frikacake, në rastet kur në qendër të vëmendjes vendosen tema të cilat frikësojnë forcat që janë në pushtet.

Media, nga frika për të mos cakitur as dhe një grimcë të vogël të interesave të saj, bën si e çorientuar: “të hapen kutitë, apo të rrinë ashtu, të takohen liderat apo jo, do na bien rrufetë nga Evropa apo jo…?!” E gjithë kjo harrakatje vjen nga fakti që nuk thuhen gjërat siç janë, mbyllet një sy në mos dy, në një kohë kur mund të kuptohet mjaft qartë ku qëndron problemi duke pyetur specialistë të fushës (dhe Shqipëria ka të tillë) dhe për shkak të një neverie tipike diktatoriale ndaj transparencës. Dhe në këtë vorbull futen jo vetëm mediat, por edhe publiku, edhe Evropa, dhe të vetmit që fërkojnë duart duke përfituar nga kjo katrahurë janë persona që vetëm interesat nuk i kanë të përbashkëta me ato të Shqipërisë.
Kam dëgjuar se murosja e Rozafës përtej legjendës përbën dhe një kompleks të cilin do të bënim mirë ta shtjellonim modestisht në këto rreshta. Siç dihet, tre djemtë falë aftësisë së tyre dhe vullnetit që i karakterizonte ditën ngrinin muret e kalasë, ndërsa natën forca të errëta të pashpjegueshme e rrëzonin atë. Në këtë gjendje dyshimi, në të cilën legjitimisht u ndodhën vëllezërit, ata pyetën një të urtë që kishte cilësinë e të qënit i huaj. Ata i parashtrojnë shqetësimin këtij plaku të moçëm, por të urtë, i cili u jep atyre një zgjidhje arkaike por të huaj… U këshillon që të murosnin një nga gratë e tyre nën muret e sapo ndërtuara në mënyrë që të evitohej një fenomen i tillë. Thënë ndryshe, i moçmi i huaj u propozoi një zgjidhje me kosto dhe që nuk jepte sigurinë se një gjë e tillë do të funksiononte.

Vazhdimin e dimë, po është shumë interesante që të heqim një paralelizëm me kohën e sotme dhe të shikojmë se legjenda realisht mund të ngrihet në rangun e kompleksit. Sot jemi në një situatë kur shqiptarët (vëllezërit), përfshi dhe politikanët përballen me fenomene të cilat nuk duan, nuk dinë dhe s’kanë ngenë t’i zgjidhin vetë, pasi përpiqen të fshihen, të hiqen sikur nuk ka ndodhur gjë dhe të kërkojnë zgjidhje nga jashtë për çdo gjë që nuk na shkon për shtat ose për çdo gjë që nuk duam ta zgjidhim vet. Dhe kuptohet plaku nga jashtë na jep zgjidhje të një bote tjetër, që nuk kanë lidhje me botën tonë shqiptare dhe rrjedhimisht secili e interpreton zgjidhjen në favor të tij, pavarësisht kostos shumë të madhe që interpretime të tilla i sjellin vendit dhe popullit.  

Sërish jemi në një situatë të tillë ku kemi binomin “vëllezër – plak i urtë po i huaj”, vetëm se nuk jemi në kushtet e legjendës po në të tashmen e dhimbshme ku jetojmë. Kemi një plak të urtë që është shumë i kënaqur që më në fund po bëhet faktor, pasi më në fund do të shënojë në CV-në e tij që ka zgjidhur një superkrizë, në një vend që prodhon me shumicë të tilla, kemi vëllezërit që çirren lart e poshtë që krizë nuk ka, që zgjedhjet u çertifikuan nga të huajt (koncept i ri ky i çertifikimit të zgjedhjeve nga të huajt, po ne ç’m.. sovraniteti kemi?!), se kutitë nuk hapen pasi kështu ka thënë gjykata, po ama jo çdo lloj gjykate, po flas për këtë të mirën, të bukurën, me gjykatës që e kanë drejtësinë në ADN, pasi 6 muajt ju dolën për të përvetësuar dijet juridike, dhe jo për gjykatën e vrasësve dhe mafiozëve që japin vendime të kobshme (term shumë i përdorur nga pretendentët e ndryshimit të Shqipërisë), me pak fjalë që tentojnë të maskojnë realitetin, për të mos thënë që nuk duan ta shohin me sy. Tamam si në kohërat e diktaturave ku kriza, vuajtja dhe mjerimi bërtasin po dylli i senilitetit u kishte bllokuar aparatçikëve veshët, zemrën dhe trurin për të kuptuar se vendi ishte në prag përmbytjeje. Një aftësi e pashoq për të injoruar transparencën. Se këtu qëndron çështja. Përpiqen të fshehin të vërtetën, duke ngritur teorira juridike nga më të çuditshmet për të legjitimuar të palegjitimueshmen. Dhe në këtë valle futen të gjithë, me jurist, që struken, me media, që u mbin lepuri në barkë dhe me fqinjë që gajasen.

Kundër kësaj verbërie të kërkuar, plaku i huaj së bashku me çunin e kombit mendojnë se do i japin zgjidhje duke i ulur të gjitha palët në tavolinë. Gabimi është i shumëfishtë. Së pari, çuni i kombit është çuni i partisë dhe nuk e dimë sa i aftë do të jetë të ruaj figurën e Presidentit. Së dyti, i huaji i moçëm që do të vijë për negociata nuk e kupton se përveçse nuk mund të hyjë në imtësitë e politikës shqiptare të paprinciptë nuk mund të sigurohet se pas njëfarë kohe kjo bandë të krekosurish nuk do të shkojë sërish te ai për t’i marrë mendim ose për t’i treguar që unë jam shembullor ndërsa tjetri është vagabond. Së treti, duhet ta ketë të qartë se kjo tavolinë nuk vlen as një lek, flas për lekun e kohës së tanishme se ai i monizmit vlente diçka. Nuk vlen sepse do të ishte një kompromis i turpshëm me të vërtetën dhe transparencën, do të ishte shembulli më i shëmtuar që do t’i jepej këtij populli nga i dërguari i Evropës, që rrezaton ndryshe nga Ai, vlera të tjera.

Do të ishte një dështim nëse tavolina do të kishte sukses, pasi do të anashkalohej e vërteta dhe do të humbisnim si popull mundësinë që njëherë e mirë ta shikonim veten në sy të paktën njëherë gjatë historisë sonë moderne. Një dështim i tryezës nuk duhet parë si një shans i humbur për Shqipërinë për të ecur përpara drejt Evropës. Përkundrazi. Dështimi i asaj tryeze na afron akoma më shumë me Evropën. Si? Nëse arrihet një kompromis, praktikisht do të kishim lëshime nga të dyja palët: pala opozitare do të hiqte dorë nga hapja e kutive dhe kësisoj do t’i jepte një goditje shumë të rëndë transparencës për të cilën të gjithë jemi të etur, ndërsa mazhoranca do të lëshonte në disa poste kyçe duke i lënw opozitës të vendosë njerëzit e vet në disa poste politike ose institucionale. Rrjedhimisht, do të mbetemi në të njëjtin batak. Do i lëmë fatet e kombit tonë në duar të disa batakçinjve që po vërtetojnë se kombin e kanë si plaçkë (shih marrëveshjen e turpshme mbi detin) dhe do të largohemi gjithmonë e më shumë nga vizioni evropian për shtetin tonë. Prandaj themi se kjo tryezë është e pavlerë dhe se e vetmja rrugëdalje është mbyllja e kësaj farse, ku për herë të parë kompromisi duhet përçudnuar dhe kërkesa për të vrojtuar se çfarë është bërë me votat tona duhet mbrojtur, duke luftuar për këtë ide parreshtur. Megjithatë, të shkulësh një kompleks nga një pacient është e vështirë, atëherë ç’duhet të mendojmë për këtë operacion kirurgjikal kur flitet për një popull? Këto dy muaj do të na e tregojnë…
                                                                                                                                                                    Stavri

Share

Shto koment Kerko
JM  - Pyetje!   |2010-02-11 07:11:20
Shoku Stavri cfare zgjidhjesh propozon, ne vend te ketij lloj dialogu
fars?

Pergjigjen, te lutem, ma jep per kushtet e Shqiperise dhe jo te vendeve
Skandinave!
keperele   |2010-02-11 09:12:54
per mendimin tim:

1. hapje kutish;
2. nese zbulohen parregullsi, ndeshkim i
rrepte atyre qe kane futur duart ne to;
3. zgjedhje te parakohshme ose protesta
per te kerkuar legjitimisht zgjedhje te parakohshme
4. nese nuk hapen kutite
protesta per te kerkuar legjitimisht zgjedhje te parakohshme
5. nese e njejta
histori zgjat dhe me qeverine e krahut tjeter, lufte ose prejre bilete vetem
vajtje per perendim.
stavri   |2010-02-11 09:40:25
keperele e ka permbledhur me se miri.
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania