Gjeneralmegafoni

Fetishizimi i mallrave (Pjesa e II)

E-mail Print PDF

Procesi me anë të të cilit malli mund të qarkullojë si i tillë është i njëjtë me procesin me anë të të cilit feja imponon normat e saj në raportet njerëzore. Kjo shpjegon përse malli ka një natyrë “metafizike”. Duke patur si pikënisje pohimin më lart, Marksi kalon në analizën e formave fetare. Sipas tij, bota fetare nuk është tjetër veçse një pasqyrim i botës reale. Në një shoqëri ku produkti i punës merr formën e një malli dhe si rrjedhim raporti midis prodhuesve qëndron në krahasimin e vlerave të produkteve të tyre dhe kësisoj në krahasimin e punëve private në formën e punëve njerëzore të barabarta, feja e krishterë me kultin e saj të njeriut abstrakt dhe sidomos në mishërimin e tij  borgjez, protestant, deist etj, shërben si plotësuesi fetar më i rehatshëm për të.

Po sipas Marksit, pasqyrimi fetar i botës reale do të mund të zhduket vetëm nëse kushtet e punës dhe te jetës praktike do t’i mundësojnë njerëzve raporte transparente dhe racionale me njëri-tjetrin dhe me natyrën. Jeta shoqërore, e cila bazohet mbi prodhimin material dhe raportet që ky prodhim krijon, do të çjerrë maskën mistike ditën kur të shfaqet vepra e njeriut të asociuar lirisht, i cili vepron në mënyrë të ndërgjegjshme dhe si zot i lëvizjes së vet shoqërore. Por një gjë e tillë kërkon në shoqëri një tërësi kushtesh ekzistence materiale që kërkojnë një zhvillim të gjatë dhe të dhimbshëm.
Feja pra paraqitet si një kopje e jetës sociale, një kopje e fshehur dhe vështirësisht e dallueshme. Kjo analizë shpjegon në mënyrë globale përmbajtjen e ideve fetare në kushtëzimin social, fillesën e tyre në formën e ndërgjegjes sociale por nuk shpjegon nevojën e ekzistencës së tyre dhe forcën që ato zotërojnë. “Feja pasqyrim” duket se nuk ka forcë të vetën. Ajo ekziston vetëm si një kopje e jetës reale. Por atëherë shtrohet çështja, përse njerëzit kanë nevojë për një kopje të tillë? Përse shoqëritë njerëzore kapen fort pas saj duke përdorur të gjitha mjetet që ajo ka në dispozicion? Ekziston një shpjegim funksionalist gjerësisht i përhapur tek i cili gjejmë dy modalitete.

Modaliteti i parë: individët nuk mund të qeverisen veçse me anë të supersticionit (bestytnive). Kjo është teza që mbështet me forcë Spinoza në parathënien e veprës së tij “Traktati teologjiko-politik”. “Asnjë mjet qeverisjeje nuk është më i efektshëm se bestytnia. Nëpërmjet saj, mund të adhurojmë mbretërit si të ishin perëndi, ashtu sikundër t’i urrejmë si murtajë e përbashkët e qenies njerëzore. Për të evituar këtë të keqe, janë kujdesur që të mbështjellin fenë me një kult të caktuar dhe me aparatin institucional të përshtatshëm për t’i dhënë asaj para syve të opinionit më shumë peshë dhe për ta kthyer për të gjithë shpirtrat në objektin e respektit më konstant dhe më skrupuloz.”
Shpjegimi i dhënë nuk është vetëm funksionalist pasi Spinoza tregon se njerëzit janë të prirur, për shkak të një lëvizjeje natyrore, të zhyten në bestytni. Nga origjina, bestytnia shikohet prej tij si diçka natyrore, por më pas ajo formëzohet dhe institucionalizohet në fe për qëllime politike.

Modaliteti i dytë: “feja është opiumi i popujve”. Shprehja e njohur e Marksit është aktualisht e keqinterpretuar pasi është nxjerrë prej konteksit të saj, brenda të cilit duhet të integrohet sërish: “Mjerimi fetar është  së pari shprehja e një mjerimi real dhe së dyti shprehja e një proteste kundër këtij mjerimi real. Feja është rënkimi i krijesës së goditur nga fatkeqësia, është shpirti i një bote pa zemër si dhe shpirti i një epoke të pashpirt. Është opiumi i popujve.” Këtu nuk bëhet fjalë për fenë në kuptimin e institutit social, por për mjerimin fetar që konsiston në mjerimin e njeriut, i dënuar të vuajë nga frikat e kota dhe për Marksin, ky mjerim është njëherësh shprehje dhe protestë kundër mjerimit real.

Pra feja arrin të çajë për dy arsye që kombinohen me njëra-tjetrën: ajo jep një zgjidhje imagjinare ndaj dhimbjeve të njerëzve dhe në të njëjtën kohë, ajo mundëson qeverisjen e tyre. Por duhet të shkojmë pak më tej. Në analizën e tij të formave elementare të jetës fetare, Emile Durkheim e përkufizon fenë si një fakt social. Sipas tij, paraqitjet fetare janë paraqitje kolektive që shprehin realitete kolektive: ritet fetare janë mënyra veprimi që lindin vetëm në gjirin e grupeve të bashkuar dhe që janë të destinuar të mirëmbajnë, provokojnë ose të rikthejnë disa situata të caktuara të grupit. Sipas tij, feja nuk është një tregim pak a shumë fantazist kundër të cilit duhet të luftojmë në emër të të vërtetës shkencore. Ekzistenca fetare e shoqërisë na mundëson të kuptojmë si jeton realisht shoqëria. Durkheim niset nga ideja e “natyrës fetare të njeriut”. Feja duhet konsideruar si një institucion dhe Durkheim shton se “një insititucion njerëzor nuk mund të mbështetet mbi gabimin dhe mashtrimin. Nëse nuk bazohet në natyrën e gjërave, ai do të haste në rezistenca të jashtme përballë të cilave nuk do të kishte mbijetuar. Dhe në këtë kuptim, çdo fe është e vërtetë, në llojin e saj. Nuk janë të vërteta fabulat dhe legjendat që ajo përpunon me shumë zotësi, por të vërteta në kuptimin e organizimit të klasifikimit të elementëve përbërës të botës, të asaj që është e shenjtë dhe asaj që është profane.” Efektshmëria shoqërore e fesë është reale, ajo përbëhet nga gjëra sociale, gjëra të cilat përbëjnë dhe çështjet njerëzore.

Analizat e Marksit në lidhje me fetishizimin e mallrave janë aktuale nëse i referohemi përhapjes së markave tregtare dhe komunikimit që përdorin firmat zotëruese të kapitaleve të konsiderueshëm. Nëpërmjet tyre kuptojmë qartë se malli ka një karakter të pamohueshëm fetishist. Malli është fetish, domethënë mund të konsiderohet si një gjë metafizike. Njësoj si Kisha Katolike që arriti të bënte sintezën midis të resë dhe të vjetrës, midis legjendave pagane dhe ritualit të krishterë (tërësia e shënjtorëve është mjaft e ngjashme me perënditë që mblidheshin në Olimp), njësoj dhe kulti i mallit abstrakt, i lekut të dematerializuar që nuk rresht së rrëzuari barrierat gjeografike, kompletohet me kultin e mallrave mbajtëse të një simboli të vënë në skenë mjeshtrisht nëpërmjet paraqitjes së markave nëpër bluza, produkte, shërbime etj.

Reklama shërben si gjenerator i këtij kulti të ri. Efekti final i saj është nxitja e konsumizmit në maksimum por ky finalitet nuk është dhe aq i rëndësishëm sa transformimi që ndjell reklama. Çdo gjë në këtë botë, nëpërmjet reklamës kthehet në mall. Kështu, rastet janë të pafundme ku një vepër muzikore klasike identifikohet me reklamën më shumë sesa me produktin dhe kësisoj e kthen atë në një vegël të parandësishme të produktit. Trupi, dëshira erotike, bukuria e peizazheve natyrore, jeta familjare, mitet dhe fetë, veprat letrare por edhe motot e aksioneve subversive hyjnë në tornadon e reklamave dhe të gjitha këto kthehen në një mall abstrakt të konsumueshëm. Reklamat kësisoj nxitin dëshirën e posedimit të gjësë, një dëshirë abstrakte, e ngjashme me moralin protestant.

Hegeli thoshte se leximi i gazetave është lutja e çdo qytetari. Reklama është lutja e individit shkëmbyes të shoqërisë moderne.  Lutja nuk ka vetëm si funksion të nxjerrë në pah një besim ose shpalljen e një të vërtete, por ajo ka gjithashtu si qëllim përgatitjen e një sjelljeje, palosjen e trupave dhe shpirtrave, si kërcimet rituale ose stërvitjet ushtarake. E njëjta gjë vlen dhe për reklamën. Ajo ka si qëllim informimin e blerësve të ardhshëm për cilësitë e produktit, por ajo gjithashtu e “zbut” shpirtin e njeriut që të mësojë të pranojë një rend shoqëror të caktuar të bazuar në konsum dhe në pakufishmërinë e produkteve.

(Marrë nga libri i filozofit Denis Colin “Makthi i Marksit – A është kapitalizmi një histori pafund?”)

 

Share

Shto koment Kerko
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Shpifja vs puçi

Sot Policia e Shtetit shkarkoi nga detyra të vetëshkarkuarin prej së paku një jave, ish komandantin i Forcave Speciale dhe Drejtorin e Policisë së Dibrës, Shemsi Prençin. Kjo taktikë e shkarkimeve pasi i shkarkuari jep dorëheqjen, kohët e fundit është kthyer në modë. Le të kujtojmë rastin e Nën Kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Edhe ky dha dorëheqjen, por këtu ka shtet që iniciativën e merr vetë. Pak me vonesë por ama e merr.

Prençi u shkarkua nga detyra për shkak të shpifjeve dhe shkeljes së ligjit. Ai akuzoi strukturat më të larta të shtetit si të implikuara në mafien e kromit.
Të hedhësh baltë mbi uniformën blu pasi ke dhënë dorëheqjen nga çdo strukturë e kësaj force, është e ndëshkueshme me shkarkim nga detyra. 

Mos harrojmë që Prençi ka edhe një precedent tjetër të shkarkimit nga detyra. Ai është filmuar gjatë sulmit të Kryeministrisë dhe Televizionit Shqiptar në 14 Shtator 1998, ndërsa udhëhiqte turmën e armatosur. Kujtojmë që gjatë kësaj periudhe Prençi ishte oficer i Policisë së Shtetit, i cili mori dënimin maksimal që jepet në vendin tonë për Puç të armatosur. Shkarkim nga detyra. Sesi u rikthye në detyrë Prençi dhe sesi i ngjiti shkallët e karrierës, askush nuk e di. Një oficeri policie i cili heq uniformën për të drejtuar armët kundër institucioneve të shtetit, për mendimin tonë modest atë uniformë nuk duhet t’ia vishnin më, sepse ndodh që ai mund ta njollosi sërish. Kësaj rradhe edhe më keq, duke shpifur (?!). Apo puçi është më i rëndë?! Shpifja apo puçi, puçi apo shpifja?! Le të presim qeverinë e majtë e të shohim nëse e rehabiliton oficerin Prençi duke i dhënë fund edhe dilemës tonë.

Barbarizëm

Civilizimi i një populli kuptohet nga mënyra si trajton kafshët. Mu kujtua kjo shprehje e Mahatma Gandit ndërsa shikoja një video që qarkullon kohët e fundit në ueb dhe që dokumenton fushatën e  ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit për shfarosjen e qenve endacakë. Ekzekutimi i kafshëve në mes të rrugës nuk është gjë tjetër veç barbarizëm. Në prag të sezonit turistik qëllimi, një qytet i pranueshëm për pushuesit, nuk mund të justifikojë mjetin, eliminimi fizik i qenve.

Problemi i kafshëve pa zot, ose që zot kanë rrugën, është i përhapur në çdo qytet të Shqipërisë. Kequshqyerja dhe kushtet në të cilat jetojnë bëhen shkas për sëmundje të ndryshme, sëmundje që përbëjnë rrezik edhe për shëndetin publik. Një problem tjetër, që lidhet me natyrën e qenve, është grumbullimi në tufë duke sulmuar në disa raste njeriun. Strukturat për kujdesin mungojnë dhe do të vazhdojnë të mungojnë për sa kohë shteti nuk ka struktura strehimi as për qytetarët. Të shumta dhe në rritje janë rastet e të varfërve që detyrohen të enden, rrugëve të qyteteve, si dhe mos më keq se kafshët. Edhe këta shteti i vret. Me indiferentizëm. Ndërsa për qentë shteti ka gjetur një metodë më të shpejtë dhe më efikase. Shfarosjen masive.

Dorëzimi përpara këtij akti makabër i cili ndodh rëndom në çdo qytet të Shqipërisë, është zgjedhja më e thjeshtë, por nuk është zgjedhja jonë. Kush i hap rrugë barbarizmit, zgjedh të largohet një orë e më parë nga ky vend, duke qenë se nuk mund të japë kontribut për ndryshim. Ne zgjedhim të qëndrojmë dhe të denoncojmë çdo akt çnjerëzor që nuk është pjesë e kulturës tonë, çdo barbarizëm që, i përkohshëm ashtu si shteti i kalbur i cili na përket, nuk na përfaqëson

 

Krym kundër dinjitetit

A e njihni Fatbardh Kadillin? Sigurisht që jo! As ne nuk e njohim por dimë që ka mandat deputeti si përfaqësues i Partisë Demokratike, ka qënë këshilltar i Kryeministrit Berisha, dhe herë pas here del në konferenca për shtyp. Po të kthehemi pak në kohë, do të zbulojmë që Bardhi vjen nga një familje e persekutuar gjatë Diktaturës Hoxhiste, si pak të tjerë në PD. Për të qënë më të saktë një sekretar partie si Berisha duhet të jetë figurë e urryer për Bardhin. Sa shumë kanë hequr familjet disidente nga sekretarët e partisë?!

Por Bardhi sot,  ashtu si edhe më parë e shfryu mllefin e akumuluar prej vitesh, kundër Edi Ramës. A thua se është ky i fundit apo shokët e këtij që luanin me top llastiku aso kohe, që e përndoqën e i nxinë jetën fatziut?! Kur prindërit e tij u internuan Edi i kishte buzët me qumësht, kurse Saliu me bozë pushteti...

Fatbardh hapi sytë e ruaj pak dinjitet! Dikur Saliu ishte zar i Enverit, sot ti po bëhesh zar i Saliut. Ndërsa Shqipëria po rrokulliset si zar drejt një rruge pa kthim.

 

Reforma në administratë

 

Zbardhet faksimilja midis një eksponenti të PD-së dhe shefit të burimeve njerëzore në Republikën e Shqipërisë:

Përshëndetje Lulo,

Më poshtë po të dërgoj listën e prurjeve nga PD-ja dhe aleatët, lista të azhornohet çdo orë, se po afrojnë zgjedhjet e përndryshe kena me fitu nji mut me komunistat e mutit. Berishë Ramë Sala, militant i thekur i PD, të emërohet sa më parë çoban në Kurvelesh. Medi Fatmiri, të emërohet teneqexhi bakërri në qafën e pazarit n' Gjinokastër. Metë Liri, të emërohet urgjent kasap pranë therrtores në Kapshticë. Dode Mesi, e përkushtuar deri n' vetflijim, të emërohet brigadiere në burgun e grave Vaqorr (të enjten lijani pushim se duhet të dali në Fevzi Bledi). Frangë Aleksi, tellall tek ura vajgurore, Voksana Albisha, të emërohet furrxheshë, edhe kjo tek burgu i grave…

Folim pas nji ore!

 

S'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

Shtypi i ditës na bën të njohur se me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë do hidhen plotë 5 milion euro që të na nderojë me prezencën e saj, askush më pak sesa Shakira. Këshilli i Ministrave e ka marrë seriozisht këtë punë. Kryeministri nga ana e tij dihet, kishte fjetur natën e 28 Nëntorit, të vitit të 99 të Pavarësisë, dhe pasi pati dialoguar në ëndërr me ëngjëllin Gabriel u kthye mes nesh me tre projekt-ide për festimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë.


1- Një stadium kombëtar që të na e ketë zili e gjithë Evropa (apo tha bota?).

2- Një parlament të ri për fukarenjtë e gjorë, deputetët fakirë të Shqipërisë, i cili duhet ndërtuar tek piramida duke simbolizuar kështu edhe karakterin e mbinatyrshëm të Kryeministrit: "me një dorë të shemb e me tjetrën të ngre më kult se përpara" dhe 

3- Shakira në Shqipëri, muza e vitheve perfekte, këngëtarja latine që aq bukur interpreton këngët me vallëzime orientale, duke na sjellë memorjen e paharruar historike të pashallëqeve...

Duke qënë se po merrej me punë të tjera më të rëndësishme, si ullinjtë e Rivierës, arrat e Veri-Lindjes, dhe pjeshkët e Lapardhasë, por edhe me plagën sociale të prostitucionit në Shqipëri, dhe nuk pati mundësi të realizojë dy projektet e para, Këshilli i Ministrave vendosi të investojë gjith çka është e mundur te Shakira. Në fund të fundit Kryeministri është burrë shteti (e tha Arvizuja) e s'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

 

Sondazh

Fatos Nano president, si ju frymezon ky lajm?

ilaç koke,Karikatura

Facebook

Simply Albania