Gjeneralmegafoni

KËRKESË PËR AZIL POLITIK

E-mail Print PDF

              

 

 

 

 

 

 

 

                                                                                                                                Tiranë, më 28 Nëntor 2009
                                                                            

                                                                       KËRKESË PËR AZIL POLITIK


                                                 DREJTUAR KONSULLATËS SË SHTETIT XXXXXXXXXXXXXXXXXX

I nderuar Konsull,
më lejoni t’ju paraqes kërkesën time, megjithëse një gjë të tillë nuk e kisha menduar kurrë deri më sot.

Unë quhem XXXXXXXXX, kam lindur në qytetin e Durrësit, në vitin 1977, i martuar me XXXXXXXXX, dhe babai i dy fëmijve, XXXXX dhe XXXXXXX, 3 dhe 5 vjeç përkatësisht. Në vitin 2001 jam diplomuar në degën e XXXXXX, kam kryer masterin (2005); më tej jam  punësuar si pedagog në Universitetin XXXXXXXXXXXXXXXXXX, si dhe kam kryer doktoratën (2004-2008).
Në aspektin personal, familjar, ekonomik dhe shoqëror jam në një pozitë tepër të kënaqshme, veçanërisht për rrethanat e Shqipërisë.
Atëhere përse më duhet të paraqes një kërkesë të tillë?
Po ja, ka të bëjë me demokracinë e vendit tim. Demokraci, e cila po na lodh së  tepërmi gjendjen shpirtërore si shoqëri, veçanërisht shtresat shoqërore që nuk punojnë për të jetuar, por që jetojnë për të punuar.
Kulmi i pakënaqësisë sime arriti para disa ditësh, kur Kryeministri i vendit tim kërcënoi hapur, në ditën me diell liderin e opozitës, dhe jo vetëm atë. Unë e kuptoj që politika shpeshherë përdor retorikë të ashpër, por kurrsesi nuk e pranoj që të arrijë deri në atë pikë sa të vrasi ndjenjën e lirisë dhe protestës së qytetarëve të vet.  Kjo nuk është demokraci, kjo është diktaturë, një diktaturë më e keqe se ajo që vepronte me anë të ligjeve jodemokratike gjatë sistemit komunist. Diktatura e sotme, ka një veçori tjetër, që ligjet i shkruan me frymë demokratike, ndërsa zbatimin e tyre e realizon në kah të kundërt.
Sa më sipër është vetëm fundi i historisë, se fillimi është më herët, në vitin 1997, 1998, më vonë me ngjarjen e Gërdecit dhe shumë e shumë ngjarje të tjera që dëshmojnë që drejtësia, liria dhe demokracia janë shumë larg normales në vendin tim, në vendin ku do dëshiroja të jetoja…
Unë kam frikë! Unë dhe bashkëshortja ime kemi frikë, madje edhe disa miq të mitë….jemi vërtet shumë që kemi frikë.
Unë do kisha shumë dëshirë të protestoja, të flisja i lirë, por kam frikë, do doja të protestoja për votën në radhë të parë, si themeli i demokracisë, do doja të protestoja për varfërinë, korrupsionin, për ujë e drita, për gjithçka, por ja që s’e bëj dot, se kam frikë, jam i tmerruar…se AI që më kërcënon nga ekrani i televizorit, apo zëri i radios, nuk është një rrugaç i rëndomtë, AI është Kryeministri im dhe i familjes sime.
Sot është 28 Nëntor, ditëlindja e vendit tim, siç u shpreh edhe Kryeminstri im. Ditëlindjet festohen. Jo! Kësaj here jo, unë nuk festoj, se vërtet vendi im është i pavarur në aspektin gjeopolitik, por është i varur nga një kastë politikanësh, që dhunën verbale e kanë më të voglin mëkat, në këndvështrimin tim për demokracinë.
Ju lutem më kuptoni.
Jeta është shumë e shkurtër, dhe unë kam arritur në një copë të mirë të kësaj rruge. Unë nuk jam hero, unë nuk dua të sakrifikohem, unë nuk mund të vendos, mbi të gjitha, për të gjithë familjarët e mi. Unë dhe familja ime duam të jetojmë në një vend ku të jetojmë të lirë dhe pa frikë.
Ju mund të pyesni përse kam zgjedhur vendin tuaj?!
Unë kam jetuar në Shtetin XXXXXXXXXXXXXXXXXXX, për 1 vit, gjatë një shkëmbimi universitar në vitin 2006. Pretendoj, se zotëroj mirë gjuhën dhe njoh zakonet e vendit tuaj dhe mbi të gjitha jam i mahnitur nga niveli i demokracisë në vendin tuaj.
Megjithëse, jam i ndërgjegjshëm që nuk do të jetë e lehtë, shpreh bindjen se unë dhe familja ime i kemi të gjitha  mundësitë për t’u integruar dhe më tej për të kontribuar në shoqërinë e vendit tuaj.
Ne mund të aplikonim edhe thjeshtë në kategorinë e emigracionit ekonomik, por sikundër përmendëm edhe më sipër pozita jonë ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri është mëse normale. Kështu, arsyet e vetme për të cilat dëshirojmë të braktisim Shqipërinë kanë të bëjnë vetëm dhe vetëm me nivelin tepër të ulët të demokracisë. Dhe me këtë rast donim të tërhiqnim edhe vëmendjen e shtetit tuaj, që të bëjë maksimumin në këtë drejtim.
Ju lutemi merreni parasysh kërkesën tonë. Megjithatë, do mirëkuptonin edhe një përgjigje negative, mbështetur në rregullat e shtetit tuaj.
Në çdo rast, do luteshim të ruhej konfidencialiteti i kësaj kërkese.


                                                                                                                             Me sinqeritet dhe respekt,


                                                                                                                          Xxxxxxxxxxxxx  xxxxxxxxxxxxxx

 

Share

Shto koment Kerko
stavri   |2009-12-01 03:37:50
pergezoj anonimin e ketyre rreshtave. duhet te shkruajme sa me shume komente nen
kete artikull, eshte mese e nevojshme pasi e ndjejme te gjithe qe autori ka
shume te drejte.
alma   |2009-12-01 04:18:59
Ndaj te njejtin trishtim me autorin e letres
indrit   |2009-12-01 12:49:05
akoma me qurravitje,na lodhet.duam ndonjegje me praktike.
Blerti   |2009-12-01 13:43:29
Cfare do ti indrit? Revolucion, gjak, rikthim ne 1997?
Sot e vetmja gje qe na
duhet eshte ta leme kete vend njehere e pergjithmone, ose te qendrojme deri ne
fund por pa e kthyer shqiperine ne tragjedite e mbrapshta ku e shpuri Saliu
anti christiano ronaldo   |2009-12-01 15:38:22
per cfare prakticiteti e ke fjalen indrit? si te gatuajme byrekun, ku te pijme
kafe te blloku apo si te jetojme ne shqiperi europiane? ky artikull nuk eshte
nga me optimistet po rrezaton nje te vertete therrese te se ciles te gjithe jemi
deshmitare.
Indriti   |2009-12-04 13:02:30
ky shkrimi duket sikur ec e i fusim nje gjilper ne vene.kush eshte zgjidhja
,sdua te degjoj largimi i sales,se as socialistet nuk jane me mire.
Onufri   |2009-12-04 13:35:50
Cfare do te degjosh ti Indrit? sepse ti deri tani je ankuar, ke thene edhe se
cfare nuk do te degjosh, por nuk po na thua cfare do e cfare mendon. Nuk je
aspak konstruktiv ne debat.
Sdq. po me krijohet pershtypja qe nuk jeton ne
Shqiperi dhe ke jashtezakonisht pak informacion mbi vendin tend te zemres (jo
vendit ku jeton qe eshte vendi i bukes)
CITOJ per informacionin tend:
Dje
kryeministri doli ne Tv dhe u tha nderkombetareve, pas 4 vitesh qe u mbushte
mendjen se kishte luftuar me sukses krimin e organizuar, qe Shqiperia na
paskerka mafien me te fuqishme ne Evrope dhe kete e kryesoka Lideri i opozites.

Pardje ai doli dhe u tha te gjithe shqiptareve qe Lideri i opozites eshte
Homoseksual dhe ka rrahur te gjitha grate e jetes se tij, perfshire edhe te
jemen.
Tmerroi nje popull te tere, sigurisht jo kundershtarin, duke perdorur
nje baterdi verbale te shoqeruar me gjeste qe ja kami pare vetem Hitlerit neper
dokumentare.
Foli per plumba mbrapa veshit, per daren e ligjit me te cilen do te
shkulte dhembe, dhemballe e madje edhe nofullat e mafies (qe eshte opozita),
shau nene e babe te opozitareve, ofendoi emra e mbiemra te te gjithe
sipermarresve te lire (ose kundershtare, si te duash) te medias.
Duke patur
parsysh se ku e coi vendin ne 97-en nuk e di se me cfare guximi kundershton
autorin e ketij shkrimi dhe shqetesimin e tij shume te kuptueshem.
Largimi nje
ore e me pare i despotit te fundit te Shqiperise, ne rradhitje kohore, eshte
zgjidhja e vetme dhe e fundit qe na ka mbetur.
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania