Gjeneralmegafoni

Kokëfortësia e fakteve të javës së parë

E-mail Print PDF

Java e parë e vitit, natyrisht që meriton të rrëfehet, për më tepër që shumë njerëz janë besëtytnorë: java e parë është e rëndësishme për javët e tjera të vitit, dita e parë e javës ka rëndësi për ditët e tjera të javës, ora e parë e ditës ka rëndësi për orët e tjera të ditës - kot nuk thonë që, “dielli duket që në sabah”. Kështu, po jap përshtypjet e mia, të qëmtuara rreth e rrotull, kryesisht nga mediat televizive dhe të shkruara, të qëmtuara gjatë orarit të punës, gjatë kafes, para gjumit, gjatë gjumit, dhe natyrisht pas gjumit.

Po nga duhet t’ia fillojmë? Nga politika natyrisht, e nga çfarë tjetër, jemi apo jo shqiptarë?! E nga politika kë mendoni se duhet të zgjedhim si ngjarjen apo protagonistin e parë? Po Kryeministrin, ou më falni, Berishën, e kë tjetër – tek e fundit Rama mesazhe në Twitter  ka shkruar.

Berisha e filloi fuqishëm, energjik si gjithmonë, javën e parë të vitit; e filloi me arritjet në grumbullimin e të ardhurave nga sektorët e tatimeve dhe doganave, dhe tek e fundit tek rritja mahnitëse e ekonomisë shqiptare, e kështu befas na bëri të lumtur siç shkruan në Twitter Rama. E më tej, me vrap prezantoi një projektligj për varësinë e sekreteve shtetërore direkt në varësinë e tij, tek e fundit një sekret nuk është më sekret nëse e dinë edhe servilët e Këshillit të Ministrave, megjithëse disa analistë në rastin më të mirë e konsiderojnë enigmatike këtë lëvizje të Berishës, të tjerë të fusin frikën, ndërsa Artan Hoxha na jep qetësi shpirtërore: ëndrrat që shohim natën, Berisha nuk do i marrë vesh. Ai pastaj, Berisha pra, jo Artani (mos u hutoni), fluturoi në Paris (gojët e liga thonë që nuk është e vërtetë që e ftoi direkt Sarkozy), me aeroplan natyrisht, se Ai asnjëherë nuk ka pretenduar të fluturojë, Ai notin dhe ngjitjen në male ka për zemër; fluturak janë të tjerë si, Eduard Selami, Spartak Ngjela, e të tjerë e të tjerë, apo dhe Bamiri së fundmi. Ai mori pjesë në seminarin “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”. Por çfarë tha Berisha në Paris? Tha se kriza përballohet me reforma të thella. Uaaaauuuuu. Tha që korrupsioni është një e keqe e madhe “Dy fjalë tani për korrupsionin. Sipas mendimit tim, përfundimisht  është  mater-matrix e të gjitha të këqijave të një vendi të lirë.  Prandaj luftimi i tij në mënyrë të përhershme  është kushti  “sine qua non” për konsolidimin e të drejtave të njeriut,  sepse nuk ka asnjë faktor tjetër që i prek të drejtat e njeriut në një shoqëri të lirë përveçse korrupsioni.” Uaauuuuu 2.

Tjetër, na tha që Shqipëria nga blu do bëhet e gjelbër “Vendi im ka shumë pak tokë bujqësore, për momentin ka 1800 m2 për frymë, më e ulëta në Evropë, por potenciali është shumë i madh nëse zbatojmë pyllëzimin nëpërmjet drurëve frutorë”. O Zot (ta dish që nuk bën vetëm ti mrekullira) si ka mundësi që kjo të jetë e mundur, pasi u shkretuan pyjet, pasi u betonizuan përbindshëm toka bujqësore, pasi lumenjtë gërryen shtretërit e tyre? Apo mos vallë kjo ka qenë dëshira që Berisha i ka pëshpëritur në vesh babagjyshit të vitit të ri? Shqipëria e gjelbër! Uauuuu 3. Po kur?! Nesër jo një herë, madje as vitin tjetër... Ai, tha edhe një gjë fare të madhe, po të madhe fare ama, tha që jo vetëm Shqipëria, por e gjitha bota ka mundësi të bëhet e gjelbër. Tek e fundit, Ai kot nuk ishte thirrur... ishte thirrur për t’i dhënë mend botës, edhe me Kinën përfshirë brenda. E sërish, e sërish, foli edhe për Shqipërinë si superfuqi të vogël energjetike – një herë midis miqsh dëgjova për gallatë emërtimin e një biznesi si “super-mini-market”. Ai di, ai di shumë, ai bën edhe gallatë! Katërqind e dyzet e tre hidrocentrale mund të ndërtohen në Shqipëri, tha Ai ndër të tjera, mu në Paris. Gjykoni vetë paragrafin e mëposhtëm të Berishës, unë nuk mundem: “...unë mbetem optimist. Jam thellësisht i bindur se të gjitha këto arritje dhe sidomos arritjet që ka bërë Kina janë veçanërisht për sa i takon kërkimit. Dhe kjo është një gjë e mirë. Kina ka kaluar në krye sa i përket kërkimit dhe kjo është në interes të të gjithë njerëzimit. Ku ndodhet fuqia? Fuqia ndodhet tek liria. Unë besoj ende se bota është njëpolare. Modeli i vjetër duhet të reformohet, por edhe duhet të ndiqet, nuk duhet kundërshtuar. Modeli i vjetër ka fytyrën njerëzore dhe fytyra njerëzore është vitale. Ai është më tepër se disa ekzagjerime, fatura të shtrenjta dhe disa reforma, por nuk është kurrë për tu kundërshtuar”

Berisha, ndër të tjera, na tha që paska ndjekur modelin e Reganit në gjithë vitet e pushtetit të tij. Regani ka qenë edhe aktor më duket! Berisha nuk harroi të përmendte edhe Shqipërinë dixhitale, dhe këtu paska ndjekur shembullin e Kosta-Rikës, unë këtë nuk e dija.

***

Njeriu i viti në Shqipëri u shpall Albin Kurti, Kreshnik Spahiu në Maqedoni. Po në Kosovë, mos vallë është Berisha njeriu i vitit? E pse jo, ata e duan atë, ai i “do” ata. Ej dreqin, por pse për njeriun e vitit u dashka parë disi larg? Ndoshta ngaqë këta që kemi afër mbajnë erë, erë të keqe natyrisht!

***

Për koincidencë, apo jo, fiks pas një viti në tryezën tonë vjen sërish Meta. Çështje ordinere e quan ai, ou më falni se me “ai” nënkuptoj vetëm Berishën, pra korrigjohem: Meta tha që ky gjyqi ndaj tij është çështje ordinere. Po pra, qenkemi në një mendje, si rrallëherë, se unë nuk para pajtohem me zotin Meta, por jo kësaj here ai, shiko prapë më shpëtoi, më falni dhe një herë, unë dhe Meta jemi në një mendje: çështje ordinere. Ore mos befas kaluam nga politika tek drejtësia, apo mos këto janë të lidhura?  “Jo mo çne”, pushtetet janë të ndara. Ehhhh, drejtësia, duhen reforma, po reforma të thella ama, jo dosido, tamam si ato reformat e thella që tha Ai në Paris. Dritan Prifti do publikojë video të re, dhe ka kohë që e thotë një gjë të tillë; kureshtarë jemi të gjithë, edhe vetë Meta ma ha mendja, por dhe durimi po na soset: nxirri pra, çfarë pret?! Tek e fundit është janar, është kohë e përshtatshme. Prokuroria kërkon dy vjet burg për Metën dhe një milion lekë gjobë. Analistët opozitarë e quajnë sukses faktin që, më në fund, një prokurori shqiptare arriti të japi një pretencë ndaj një politikani të lartë, se sa për vendimin e gjykatës së “lartë” dihet që... ou më falni nuk shprehem se, Artan Hoxha na sugjeron të mos paragjykojmë gjykatën. Ore po pse, pak ju duket dhënia e pretencës ndaj një politikani të lartë? Kënaquni me kaq, hë për hë, dhe hë për nesër. Ndërsa mua më vjen për të vjellë! Spartak Braho (avokati i Metës) tha që prokuroria u tregua e paaftë. Ej bela, po pse edhe me këtë do më duhet të bie dakord! Po pra po Braho, e paaftë u tregua prokuroria që nuk arriti të zbardhte bllokun e zi të Metës. Mossssss dreqin, mu kujtua Mediu. E pse  u dashka harruar tek e fundit? Jo mo jo, unë nuk e harroj, nuk dua ta harroj, ja kam caktuar detyrë vetës që nuk do harroj që, Mediu shpëtoi në mënyrë të pamoralshme nga gjykimi. Epo ka edhe peshq të mëdhenj rreth e rrotull, apo peshkaqenë, siç do e meritonin më mirë. Peshkaqenë të lyer në gjak!

***

Lubonja tha që nuk është patriot, dhe shumë njerëz e keqkuptuan idenë e tij rreth vlerave njerëzore, dhe pikë së pari të qenit i ndershëm dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Ndërsa, Çilin dhe Islamin nuk i kam hasur këtë javë, nuk e di ç’kanë thënë e ç’kanë bërë. Opinionistë të tjerë vazhdojnë të shkruajnë rrjedhshëm.

***

Po mirë hajt të kapim një fushë tjetër nga java e parë e vitit. Ekonomia për shembull, Instat, edhe në përputhje më vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, publikon që në muajt e fundit ka rënë konsumi, gjë e cila është një tregues shqetësues për ekonominë, por që Berisha ende nuk e di; të shpresojmë që tani që Instat do raportojë direkt tek Ai, këto sekrete ti mbajë brenda ngërdheshjes së tij, se për ndryshe, po foli keq edhe Ai, vendi futet në panik. Gjithashtu, vazhdon dhënia me koncesion e hidrocentraleve. Vazhdon rritja e çmimit të karburanteve. Epo normale, nuk ka rritje ekonomike pa rritje çmimesh. Pas suksesit të arritur nga deklarimi i rregullt i thërrimeve të përfituara nga politikanët e lartë, do jenë edhe qytetarët e thjeshtë që do duhet të deklarojnë të ardhurat. Mirë, shumë mirë, le të luftohet informaliteti dhe evazioni edhe në popull, tek e fundit populli është shumica, shumica e varfër.

***

Nga fusha sociale, Bashkia e Tiranës pushon nga puna 70 punonjës të ndërmarrjes funerale. Dhe këtu shumë interesant togfjalëshi "mbivendosje funksionesh" që u shqiptua nga zyrtarë të bashkisë. Këtë se kisha dëgjuar ndonjëherë për punonjës të thjeshtë gjelbërimi për shembull. Si ta përfytyroj këtë? Për shembull, dy punonjëse pastronin të njëjtin metër katror, apo njëra pastronte e tjera e bënte pis, apo, apo...? Në spitalet e rretheve kanë humbur jetën njerëz në rrethana të dyshimta, madje në një rast tragjik vdes nëna lehonë dhe prokuroria ka hapur hetim për këtë çështje, sepse ka akuza që “mjekët” kanë kërkuar lekë për të ushtruar humanizmin e tyre...Po këtu nuk ka ndonjë gjë të re, apo jo? Edhe krime ka pasur, të vdekur gjithashtu, të rinj që zihen me thika, grabitje, disa edhe nga vajza adoleshente. Po aksidente rrugore? Sa të duash, për fat shumica pa të lënduar, por edhe me të vdekur (një rast në rrugën e kombit). Sipas statistikave të fundit rruga më e rrezikshme  është “autostrada” Tiranë-Durrës. Le të shpresojmë që, tani që hyn në fuqi kodi i ri rrugor, të shikojmë rezultate në uljen e aksidenteve. Megjithëse, përshtypja ime rreth dyfishimit të vlerës së gjobave, më tepër se rezultate në uljen e aksidenteve mund të dyfishojë ryshfetet kundrejt patrullave rrugore.

***

Nga sporti, Aleanca Kuq e Zi kërkon bashkimin e federatës Shqiptare të futbollit me atë të Kosovës. Ore, ky është sport apo politikë? Gjykoni vetë, unë nuk mundem.

***

Edhe diçka nga jeta personale, në rrugën Mahmut Allushi (rruga e teleferikut), një pusetë ka nja 6 muaj që nuk është zëvendësuar, pas vjedhjes nga ndonjë fakir-fukara. Unë nuk kam hallin tim se e di “symbyllur”, por aty kalon edhe Ai, herë pas here, kur shkon në Dajt; dhe ja i bie rrota në pusetë...do na zërë derën neve. Në rrugën e Dibrës përballë ish Shkollës së Bashkuar është gërryer (prej shumë muajsh, ju betohem) një goxha gropë, kujdes kur të kaloni andej me makinë se është vërtetë e rrezikshme. Rruga 5 maji (tregu i Medresesë) vazhdon të funksionojë prej vitesh në kaos nga ora 7 deri në orën 15, kur kaloj aty çdo mëngjes më duket sikur jam në Kinë – nëse çmendeni dhe doni të shtypni njerëz, apo t’ju shtypin makina, vizitoni rrugën 5 Maji.

***

E në përfundim, nëse të gjitha javët e vitit 2012 do jenë si java e parë, do presim retorikë nga Berisha, mesazhe Twitteri nga Rama, sistem drejtësie të paaftë, shkurtime të vendeve të punës, rritje çmimesh, aksidente rrugore, krime ordinere, .... ose mund të kemi një Shqipëri të lirë, dixhitale dhe të gjelbër! Besoni kë të doni!

Epo, takohemi javën tjetër, ose një javë tjetër.

Jani Marka

 

Share

Shto koment Kerko
Raviku  - Brilant   |2012-01-09 04:13:17
Thjeshte, paster, bukur
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Shpifja vs puçi

Sot Policia e Shtetit shkarkoi nga detyra të vetëshkarkuarin prej së paku një jave, ish komandantin i Forcave Speciale dhe Drejtorin e Policisë së Dibrës, Shemsi Prençin. Kjo taktikë e shkarkimeve pasi i shkarkuari jep dorëheqjen, kohët e fundit është kthyer në modë. Le të kujtojmë rastin e Nën Kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Edhe ky dha dorëheqjen, por këtu ka shtet që iniciativën e merr vetë. Pak me vonesë por ama e merr.

Prençi u shkarkua nga detyra për shkak të shpifjeve dhe shkeljes së ligjit. Ai akuzoi strukturat më të larta të shtetit si të implikuara në mafien e kromit.
Të hedhësh baltë mbi uniformën blu pasi ke dhënë dorëheqjen nga çdo strukturë e kësaj force, është e ndëshkueshme me shkarkim nga detyra. 

Mos harrojmë që Prençi ka edhe një precedent tjetër të shkarkimit nga detyra. Ai është filmuar gjatë sulmit të Kryeministrisë dhe Televizionit Shqiptar në 14 Shtator 1998, ndërsa udhëhiqte turmën e armatosur. Kujtojmë që gjatë kësaj periudhe Prençi ishte oficer i Policisë së Shtetit, i cili mori dënimin maksimal që jepet në vendin tonë për Puç të armatosur. Shkarkim nga detyra. Sesi u rikthye në detyrë Prençi dhe sesi i ngjiti shkallët e karrierës, askush nuk e di. Një oficeri policie i cili heq uniformën për të drejtuar armët kundër institucioneve të shtetit, për mendimin tonë modest atë uniformë nuk duhet t’ia vishnin më, sepse ndodh që ai mund ta njollosi sërish. Kësaj rradhe edhe më keq, duke shpifur (?!). Apo puçi është më i rëndë?! Shpifja apo puçi, puçi apo shpifja?! Le të presim qeverinë e majtë e të shohim nëse e rehabiliton oficerin Prençi duke i dhënë fund edhe dilemës tonë.

Barbarizëm

Civilizimi i një populli kuptohet nga mënyra si trajton kafshët. Mu kujtua kjo shprehje e Mahatma Gandit ndërsa shikoja një video që qarkullon kohët e fundit në ueb dhe që dokumenton fushatën e  ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit për shfarosjen e qenve endacakë. Ekzekutimi i kafshëve në mes të rrugës nuk është gjë tjetër veç barbarizëm. Në prag të sezonit turistik qëllimi, një qytet i pranueshëm për pushuesit, nuk mund të justifikojë mjetin, eliminimi fizik i qenve.

Problemi i kafshëve pa zot, ose që zot kanë rrugën, është i përhapur në çdo qytet të Shqipërisë. Kequshqyerja dhe kushtet në të cilat jetojnë bëhen shkas për sëmundje të ndryshme, sëmundje që përbëjnë rrezik edhe për shëndetin publik. Një problem tjetër, që lidhet me natyrën e qenve, është grumbullimi në tufë duke sulmuar në disa raste njeriun. Strukturat për kujdesin mungojnë dhe do të vazhdojnë të mungojnë për sa kohë shteti nuk ka struktura strehimi as për qytetarët. Të shumta dhe në rritje janë rastet e të varfërve që detyrohen të enden, rrugëve të qyteteve, si dhe mos më keq se kafshët. Edhe këta shteti i vret. Me indiferentizëm. Ndërsa për qentë shteti ka gjetur një metodë më të shpejtë dhe më efikase. Shfarosjen masive.

Dorëzimi përpara këtij akti makabër i cili ndodh rëndom në çdo qytet të Shqipërisë, është zgjedhja më e thjeshtë, por nuk është zgjedhja jonë. Kush i hap rrugë barbarizmit, zgjedh të largohet një orë e më parë nga ky vend, duke qenë se nuk mund të japë kontribut për ndryshim. Ne zgjedhim të qëndrojmë dhe të denoncojmë çdo akt çnjerëzor që nuk është pjesë e kulturës tonë, çdo barbarizëm që, i përkohshëm ashtu si shteti i kalbur i cili na përket, nuk na përfaqëson

 

Krym kundër dinjitetit

A e njihni Fatbardh Kadillin? Sigurisht që jo! As ne nuk e njohim por dimë që ka mandat deputeti si përfaqësues i Partisë Demokratike, ka qënë këshilltar i Kryeministrit Berisha, dhe herë pas here del në konferenca për shtyp. Po të kthehemi pak në kohë, do të zbulojmë që Bardhi vjen nga një familje e persekutuar gjatë Diktaturës Hoxhiste, si pak të tjerë në PD. Për të qënë më të saktë një sekretar partie si Berisha duhet të jetë figurë e urryer për Bardhin. Sa shumë kanë hequr familjet disidente nga sekretarët e partisë?!

Por Bardhi sot,  ashtu si edhe më parë e shfryu mllefin e akumuluar prej vitesh, kundër Edi Ramës. A thua se është ky i fundit apo shokët e këtij që luanin me top llastiku aso kohe, që e përndoqën e i nxinë jetën fatziut?! Kur prindërit e tij u internuan Edi i kishte buzët me qumësht, kurse Saliu me bozë pushteti...

Fatbardh hapi sytë e ruaj pak dinjitet! Dikur Saliu ishte zar i Enverit, sot ti po bëhesh zar i Saliut. Ndërsa Shqipëria po rrokulliset si zar drejt një rruge pa kthim.

 

Reforma në administratë

 

Zbardhet faksimilja midis një eksponenti të PD-së dhe shefit të burimeve njerëzore në Republikën e Shqipërisë:

Përshëndetje Lulo,

Më poshtë po të dërgoj listën e prurjeve nga PD-ja dhe aleatët, lista të azhornohet çdo orë, se po afrojnë zgjedhjet e përndryshe kena me fitu nji mut me komunistat e mutit. Berishë Ramë Sala, militant i thekur i PD, të emërohet sa më parë çoban në Kurvelesh. Medi Fatmiri, të emërohet teneqexhi bakërri në qafën e pazarit n' Gjinokastër. Metë Liri, të emërohet urgjent kasap pranë therrtores në Kapshticë. Dode Mesi, e përkushtuar deri n' vetflijim, të emërohet brigadiere në burgun e grave Vaqorr (të enjten lijani pushim se duhet të dali në Fevzi Bledi). Frangë Aleksi, tellall tek ura vajgurore, Voksana Albisha, të emërohet furrxheshë, edhe kjo tek burgu i grave…

Folim pas nji ore!

 

S'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

Shtypi i ditës na bën të njohur se me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë do hidhen plotë 5 milion euro që të na nderojë me prezencën e saj, askush më pak sesa Shakira. Këshilli i Ministrave e ka marrë seriozisht këtë punë. Kryeministri nga ana e tij dihet, kishte fjetur natën e 28 Nëntorit, të vitit të 99 të Pavarësisë, dhe pasi pati dialoguar në ëndërr me ëngjëllin Gabriel u kthye mes nesh me tre projekt-ide për festimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë.


1- Një stadium kombëtar që të na e ketë zili e gjithë Evropa (apo tha bota?).

2- Një parlament të ri për fukarenjtë e gjorë, deputetët fakirë të Shqipërisë, i cili duhet ndërtuar tek piramida duke simbolizuar kështu edhe karakterin e mbinatyrshëm të Kryeministrit: "me një dorë të shemb e me tjetrën të ngre më kult se përpara" dhe 

3- Shakira në Shqipëri, muza e vitheve perfekte, këngëtarja latine që aq bukur interpreton këngët me vallëzime orientale, duke na sjellë memorjen e paharruar historike të pashallëqeve...

Duke qënë se po merrej me punë të tjera më të rëndësishme, si ullinjtë e Rivierës, arrat e Veri-Lindjes, dhe pjeshkët e Lapardhasë, por edhe me plagën sociale të prostitucionit në Shqipëri, dhe nuk pati mundësi të realizojë dy projektet e para, Këshilli i Ministrave vendosi të investojë gjith çka është e mundur te Shakira. Në fund të fundit Kryeministri është burrë shteti (e tha Arvizuja) e s'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

 

Sondazh

Fatos Nano president, si ju frymezon ky lajm?

ilaç koke,Karikatura

Facebook

Simply Albania