Gjeneralmegafoni

MARTIN HEIDEGGER - LETER MBI HUMANIZMIN

E-mail Print PDF

Letër mbi humanizmin ju dërgua në vjeshtë të vitit 1946 Zhan Bofresë (Jean Beaufret), nga Haidegeri, si përgjigje për një varg çështjesh që Bofre ia shtronte Haidegerit në një letër të mëparshme. Humanizmi nuk është tema e vetme që paraqitet në këtë vepër të shkurtër. Madje, shpesh, vetë Haidegeri e prek në mënyrë indirekte përmes një ballafaqimi të mendimit të tij me postulatet themelore («metafizike») të këtij vizioni për njeriun. Interesi për këtë vepër vjen, para së gjithash, nga risjellja e temave haidegeriane ku realizohet ky ballafaqim. Dihet se këto tema janë paraqitur nga Haidegeri në veprën e tij Qenia dhe Koha, për të cilën hyrja më e mirë është leksioni Çfarë është metafizika?, botuar ne veprën Leksione dhe konferenca.

Dihet se mendimi i Haidegerit është mbisunduar vetëm nga një çështje: çfarë mund të themi për thelbin e vetë Qenies? Edhe para tij filozofët e kishin shtruar çështjen e Qenies, por, në përgjithësi, ata e konceptonin si një çështje që ka të bëjë me Totalitetin, me tërësinë. Që ta bazonin, ose duke u përpjekur për ta bazuar, një sistem të Totalitetit, ata mendonin se kështu i jepnin përgjigje çështjes së vetë Qenies. Haidegeri na siguron se çështja e Qenies (die Seinsfrage) nuk ishte prekur aspak prej tyre si çështje që ka të bëjë me Qenien (die Frage nach dem Sein). Duke e menduar, ose duke besuar se e mendonin, Qeniensi të tillë, ata, në realitet, mendonin vetëm të qenurit si të tillë. Më saktësisht, qenien e të qenurit. Qenia, që i jepej mendimit të tyre për t’u ndërtuar si dije e të qenurit, mbetej në harresë. Këtu ze fill një nga konceptet e njohura të filozofisë së Haidegerit si ai i «harresës së qenies». Në fillim të refleksionit të vet, Haidegeri na paraqet pohimin mbi «dallimin ontologjik». Është e rëndësishme që të dallohet në mënyrë absolute Qenia (das Sein) nga të qenurit (das Seiende), ose e shprehur në një mënyrë më të thjeshtë, ajo që ekziston (= Totaliteti), nga Qenia (ajo që është në thmel të asaj që ekziston në vetë ekzistencën e saj). Duke e rimarrë, në këtë kuptim absolut, ndërmarrjen kritike të Kantit, Haidegeri kërkon që të zbresë në vetë bazat e «metafizikës», drejt asaj që është në bazë të çdo pyetje të mundshme mbi të qenurit dhe kushtëzon mendimin në përpjekjen e tij për ta shpalosur; vetë Qenien.
Megjithatë, ky horizont i të gjitha horizonteve, nuk mund të arrihet me një përpjekje reflektive të ngjashme me ato që kanë krijuar sistemet e mëdha të Totalitetit, pasi vetë këto sisteme krijoheshin vetëm mbi bazën e një harrese paraprake të Qenies. Pikëpamjet objektivuese mbi realen lejojnë gjithnjë e më shumë të procedohet me një qartësim të të qenurit, të rregulluar për më tepër me efikasitetin e të vepruarit njerëzor; ato nuk të lejojnë që të hysh në dritën e Qenies. Qenia do të arrihet vetëm në një eksperiencë, dhe këtu qëndron tërë objekti i analitikës ekzistenciale që ka shtjelluar Haidegeri në veprën e famshme Qenia dhe Koha (Sein und Zeit).
Haidegeri mendon se pyetja që shtrohet për Qenien, është e kapshme vetëm duke u nisur nga një analizë fenomenologjike të qenies së njeriut, i vetmi të qenur që i është besuar mendimi dhe mbajtës i Qenies. Vepra Qenia dhe Koha merret me këtë analizë dhe shtron si «ekzistenciale» të privilegjuar kuptimin thelbësor të ankthit. Ankthi na hap drejt thelbësores, sepse te ankthi provohen kufijtë dhe që jepet rrallë, në atë që Haidegeri e quan, ekzistencë autentike, të qenurit që kthehet në totaliten e vet, peisazhi sigurues i të vepruarit tonë zhduket, duke na lënë në vetminë absolute, përballë të Paemëruarës. Ajo që «nuk është», që nuk është më asgjë nga «të qenurit, që na fut ankthin dhe tmerri i së cilës na zhyt më së pari, është vetë Qenia që, në kushtet e fundësisë tonë të tashme, nuk mund të na jepet vetëm nën këtë mbulesë të Asgjësë – dhe jo të Hiçit. Në fakt, këtu gjendet pika thelbësore. Ankthi na vendos përballë asaj që nuk ka asgjë si të «qenur», pra, ndaj asaj që është për të qenurit, asgjëja, dallimi i saj absolut. Por, ajo që është jo-të qenur nuk është aspak hiçi si mohim i kulluar. Nga thelbi, në të fshihet pozitivja, madje është velloja e Qenies. Kjo do të thotë se akuza për «nihilizëm» kundër Haidegerit nuk qëndron. Haidegeri vetëm niset nga strukturat e dhëna të ekzistencës së fundme, e cila mund ta bëjë Qenien veçse këtë eksperiencë “negative”. Megjithatë, duhet theksuar se ankthi nuk është mënyra eskluzive e prezencës së Qenies. Sein und Zeit e jep vetëm si një situatë të privilegjuar. Në Letër mbi humanizmin, ai tregon se ka mënyra të tjera të mundshme strukturash më pak “negative”. Por, të gjitha rezultojnë nga kushti ynë i fundëm.
Qenia i hapet njeriut vetëm në këtë marrëdhënie ekstatike (term që për Haidegerin nëkupton një marrëdhenie me ekstazën, që del nga ekstaza), të cilës ai i jep emrin “Eksistenz”. Në ekzistencën ekstatike, njeriu provon Qenien në shpinën e vet. Është “atjeja” e tij, ai që ka ruajtjen e Qenies, “fqinji” i tij, “bariu” i tij. I kërkuar nga Qenia, i caktuar nga ajo në mbrojtjen e vërtetë të të vërtetës – dhe i flakur në ek-zistencë me qëllim të kësaj ruajtje – njeriu i përgjigjet përmes mendimit të tij thirrjes së Qenies, me qëllim që, në këtë përgjigje dhe përmes kësaj përgjigjeje, Qenia i hapet historisë.
Këto janë temat e ndryshme që Letër mbi Humanizmin i rimerr në një vështrim sintetik duke qartësur pikat e mëposhtme:
Të tregojë se si analitika ekzistenciale e zhvilluar në veprën Qenia dhe Koha ka kuptim vetëm në qoftë se i referohet “ontologjisë”, objekti i vetëm i së cilës është që t’i sigurojë themelet;
Të tregojë si vetë kjo “ontologji” do të ngrihet vetëm mbi bazën e një përshkrimi të tillë fenomenologjik të qenies së njeriut, i vetmi të qenur, të cilit i është besuar ruajtja e të vërtetës së Qenies dhe mbi të cilin qëndron fati i shpalosjes.

Haidegeri gjithmonë është ngritur kundër interpretimeve psikologjike ose antropologjike të mendimit të tij, të cilët shikonin aty në mos një “ekzistencializëm”, sipas mënyrës së Sartrit, të paktën një “filozofi “ekzistenciale” të tipit të Karl Jaspersit që, në pamundësi për t’u ndërtuar si ontologji (i kuptuar si sistem i Totalitetit), e shikon fushën e saj të të shprehurit të reduktuar në një qartësim të kulluar të ekzistencës. Në qoftë se analitika e zhvilluar te Qenia dhe Koha (Sein und Zeit) mban cilësimin ekzistencial, kjo është pikërisht për të treguar se ky përshkrim i qenies së njeriut nuk e ka qëllimin e tij në vetvete, por është e rregulluar tërësish nga eksperienca e Qenies, së cilës ajo vetëm sa do që t’i përcaktojë kënvështrimet. Të tregonte se si ky përshkrim rregullohej në fakt nga “ontologjia”, i tillë duhej të ishte objekti i vëllimit të dytë të veprës Qenia dhe Koha, që duhej të kishte si titull Koha dhe Qenia (Zeit und Sein). Në fakt, në këtë vëllim të dytë, gjithka do të përmbysej. Por, në qoftë se ishte e mundur të procedohej me një qartësim të ekzistencës me gjuhën e filozofisë sunduese, një përmbysje e tillë nuk mund të kryhej me mjetet e vetë kësaj gjuhe, që ishte ajo e “metafizikës”. Prej këtej buron heshtja e Haidegerit që nuk qe aspak, siç e ka thënë, ai i dështimit ose pohimi i një impasi ku pati mbritur mendimi i tij, por më shumë dëshmi e një kërkimi të vështirë, kërkimi i asaj gjuhe të re ku zbatimi ngatërrohej me vetë ndërmarrjen “ontologjike”.
Haidegeri ndalet gjatë, në Letër mbi humanizmin, mbi këtë të vërtetë të parë. Ai është kundër një intepretimi abuziv të një fraze nga Qenia dhe Koha: “Das Wesen des Dasein liegt in seiner Existenz”. Dihet se Sartri ka parë aty pohimin e parimit, sipas të cilit pikërisht në të ekzistuarit njerëzor, ekzistenca paraprin thelbin. Por, pohon Haidegeri, parimi i parë i ekzistencializmit nuk ka pikën më të vogël të përbashkët me frazën që ndodhet te Qenia dhe Koha. “Ekzistenca”, për të cilën bëhet fjalë këtu, nuk ka asgjë të përbashkët me ego cogito, as edhe me nocionin kantian të realitetit, në kuptimin e objektivitetit të eksperiencës. Në Letër mbi humanizmin, dhe për të davaritur çdo keqkuptim, Haidegeri e shkruan fjalën në mënyrë të re: Ekzistenz, (madje shpesh duke e izoluar rrokjen Ek-), në mënyrë që të cilësojë karakterin ekstatik të kësaj strukture themelore të qenies-njeri. Egzistenca nënkupton tjetër gjë nga fakti i të egzistuarit; ajo cilëson, në perspektivën e “ontologjisë themelore”, prezencën ekstatike me Qenien që njeriu është thirrur për ta mbështetur në fatin e të vërtetës. Në egzistencë, njeriu përfshin Dasein: fakti i të qenurit atje. Kjo fjalë çelës në reflektimin haidegrian shpesh është përkthyer me shprehjen “realiteti njerëzor”. Kjo do të thotë që ta interpretosh në një sens antropologjik këtë ekzistencial që nuk cilëson aspak subjektin që ekziston dhe as qenien atje të ekzistencës rastësore. Da-sein nënkupton se njeriu, në shpalosjen e të vërtetës (Alèthéia) është atjeja e Qenies, ky të qenur, përmes të cilit Qenia ka mundësinë të jetë atje, të prodhohet si i ndriçuar. “Atjeja”, ku njeriu ekziston, është zona e ndriçuar e Qenies. I tillë është kuptimi i fundëm i “ekzistencës”, për të cilën flet Qenia dhe Koha.
Megjithatë, në këtë atje, njeriu nuk ndodhet menjëherë. Ai e përmbush këtë vetëm në një vëmendje të mbështetur në zërin e Qenies që e thërret. Kjo vëmendje është thelbi i “shqetësimit”, të cilin e shikojnë si një përbërës ekzistencial të Dasein. Qenia dhe Koha e shpreh në mënyrë të qartë; “temporaliteti si kuptim ontologjik i shqetësimit”. Letër mbi humanizmin e nënvizon; çdo shqetësim është shqetësim nga Qenia. Ai prodhohet në gjirin e ekzistencës së zakonshme si një kujtesë për të vetmen detyrë që i përket njeriut; të tregohet i vëmendshëm ndaj zërit të Qenies. I ngjashëm me bariun që e ngre siluetën e vet në lëndinë, njeriu duhet ta mbajë shikimin e tij drejt këtij “horizonti” nga ku i vijnë zëra të padëgjuar. “Njeriu është bariu i Qenies. Është eskluzivisht kjo që Qenia dhe Koha ka projekt për ta menduar kur ekzistenca ekstatike provohet si shqetësim”.
Në ekzistencë dhe si “atje”, njeriu është i flakur. Në këtë hedhje të Qenies e ka origjinën projekti i njeriut që, edhe ai, nuk ka asgjë të përbashkët me “projektin” ekzistencial, të konceptuar si vetpërcaktim i subjektit në dhe për lirinë e tij. Dasein është përgjigja ndaj flekjes së Qenies, replika e tij. “Ajo që flaket, në të projektuarit, nuk është njeriu, por vetë Qenia që i përcakton njeriut fatin në ekzistencë si qenie atje”.
Analitika e qenies së njeriut finalizohet vazhdimisht nga “ontologjia”. Sigurisht është e mundur që interpretohet përshkrimi fenomenologjik i Qenia dhe Koha në një kuptim moral ekzistencial, por me këtë arrihet vetëm në sipërfaqe të veprës. Për Haidegerin, rëndësi kanë këto zgjatime si “mendime për Qenien”. Edhe kur ai trajton harresën e të vërtetës së Qenies, ai synon të përgatisë përgjigjen për një pyetje; çfarë mund të themi për vetë Qenien?
Në qoftë se ky përshkrim synon veçse ardhjen e Qenies dhe ndriçimin e saj, nuk është më pak e vërtetë se vetë kjo ardhje dhe ky ndriçim do të prodhohen vetëm në qoftë se prodhohet ekzistenca. I tillë është kuptimi i formulës që ndodhet edhe në këtë vepër: “Ka Qenie vetëm për aq sa është qenia-atje”. Këtu lidhet një dialektikë e marrëdhënieve reciproke ndërmjet Qenies dhe thelbit të njeriut, që përbën edhe pikën më delikate të mendimi haidegerian. Ky pohim, që ka ngjallur shumë kundërshtime, nuk nënkupton se Qenia, në thelbin e saj, varet nga njeriu, se është produkt i shpirtit të fundëm, por kjo frazë na kujton se nuk do të ketë shpalosje, prodhim si të ndriçuar vetëm në qoftë se njeriu i përgjigjet thirrjes së saj në ekzistencën ekstatike. Si e tillë, Qenia mbetet “thjesht dhe e kulluar transhendente”, para çdo shpalosje, ndaj çdo projekti ek-zistues. Por, ai shpaloset veçse në këtë projekt. Fraza nënkupton: Qenia vjen dhe destinohet vetëm në “atje” që përmbush njeriu në ekzistencë. Sigurisht, Qenia mbetet zot i “atje” dhe ku përcakton njeriun, pra Qenia vjen përmes tij. Atje mund të quhet “rastësorja”, kjo varësi e ontikes që bën që të mos jetë pa të qenur dhe pa këtë të qenur të privilegjuar që është njeriu.
Kjo ndërthurje reciproke e Qenies dhe njeriut në shpalosje dhe vendin njëherësh dytësor dhe thelbësor që i bëhet ekzistenës kërkon edhe konceptimin e humanitas të homo humanus që na flet Haidegeri në këtë vepër. Në qoftë se thelbi i njeriut qëndron në ekzistencë, si pritës i ardhjes së Qenies, në qoftë se njeriu përcaktohet si njeri vetëm në këtë marrëdhënie ekstatike më të vërtetën e Qenies si të tillë, në një mendim të tillë ajo që ka rëndësi nuk është njeriu, por Qenia, përmes së cilës njeriu arrin rastësisht Qenien. Në këtë kuptim, “mendimi për Qenien” është “kundër humanizmit”. Në këtë kritikë ndaj humanizmit metafizk Haidegeri ngre këtë pyetje; në vetë këtë ndërvarësi me të vërtetën e Qenies, të shpalosur prej tij, njeriu a nuk fiton një dinjitet të veçantë, pafundësisht më të drejtpërdrejtë sa ai që i ka besuar “humanizmi”? Në thelbin e vet ky është një humanizëm “metafizik”. Ai e vendos njeriun si subjekt në qendër të të qenurit të konsideruar si objekt të njohjes së tij dhe të vepruarit të tij dhe, mbi të cilin, si subjekt, ai ushtron tërë pushtetin e tij. Në këtë pozicion qëndron madhështia e tij. Njeriu është “zot i të qenurit”. Por, ndërsa ai i nënshtrohet kështu të qenurit, në mendim përmes shfaqjes, njeriu i “metafizikës” konsumon harresën e Qenies. Ai mbetet i përjashtuar nga kjo dritë themelore që është, pa e ditur ai, imanente me vetë shfaqjen dhe, përmes së cilës, ai ka forcën për të menduar të qenurit. Burimin e kësaj drite, përmes së cilës ndriçohet, ai nuk e di dhe në mënyrë të vendosur e kthen vështrimin në të kundërt të diellit të vetëm. Ky është universi i përhershmërisë ku njeriu-mbret provon vetminë e tij. Sartri e shpreh në një fjalë, të marrë nga Haidegeri në këtë vepër: “Saktësisht ne jemi mbi një plan ku ka vetëm njerëz” që ai e korogjon kështu: “Saktësisht ne jemi mbi një plan ku ka kryesisht Qenie”. Cili është kuptimi i fjalës “kryesisht”? Aigurisht, ai i njeh Qenies prioritetin në shpalosje, por pohon edhe implikimin reciprok, që u fol më lart. Njeriu dhe Qenia janë bashkarisht të angazhuar në fatin e të Vërtetës. Por, ndërsa Sartri e ngre njeriun-mbret në qendër të të qenurit në vetminë e lirisë së tij bosh, Haidegeri pohon se njeriu është njeri vetëm për aq sa ai pranon Qenien dhe i korespondon Qenies në dialogun ekstatik.
I flakur nga Qenia në ekzistencë, i ngarkuar në ruajtjen e të vërtetës së saj në këtë “shtëpi” të gjuhës që është njëherësh banesë e Qenies dhe strehë e thelbit të njeriut (gjithmonë ky implikim), ai realizohet realisht vetëm në “shqetësimin” për Qenien, vazhdimisht në përmbushje. Ajo që është në themel të madhështisë së tij nuk është sundimi, që tek e fundit është i paqëndrueshëm, që ai ushtron ndaj të qenurit. Kjo do të thotë se ai duhet të jetë, në gjirin e të qenurit dhe në një akord të drejtë me të, “bariu i Qenies”, të pranojë në ndryshim me kushtin e tij të fundëm, këtë “varfëri thelbësore të bariut” që është tërë pasuria e tij, të ndjekë rrugën e një fundësie që mban në vetvete zbutjen, pasi vetëm ajo i jep akces në dritën e Qenies.
Në fakt, kjo është pika themelore ku Haidegeri kërkon të theksojë rëndësinë positive. Është në pranimin e kushtit të tij të fundëm, në rizbritjen në vetë bazat e e këtij kushti të vdekshëm ku ai është “flakur” ku ai mund të dëgjojë thirrjen e Qenies, që njeriu realizon thelbin e vet, sepse është në këtë kusht që ai ekziston. Ekzistenca, dhe duhet insistuar, nuk është aq ekstazë, tension tragjik drejt një jashtësie, në një farë mënyre e jashme me humanen, sa prezencë intime dhe brendësi ndaj Asaj që është për njeriun më e afërt se çdo të qenur, vetë e Tashmja. Vetëm kjo varfëri thelbësore e bariut, kundër çdo vullneti për fuqi, ky kthim drejt Afërsisë të më të Afërtit, drejt të përditshmes dhe banales ku banojnë perënditë, vetëm ky qëndrim thelbësor i jep njeriut Prezencën unike, që i qe refuzuar njeriut-subjekt nga “metafizika”.
Ka shumë diskutime se cili është ideali njerëzor sipas Haidegerit. Është ai i Greqisë antike, i Greqisë që merrej me të shenjtën para racionalizimit që po lindëte, ende plot me prezencën e perëndive, ideali që parandjeu Niçja, apo ai i Hëlderlinit? Kjo nuk ka shumë rëndësi. Haidegeri, me filozofinë e tij, synonte të hidhte bazat për kuptimin e zhvillimeve të ardhshme. Fjala nuk ishte vetëm për t’i dhënë fund tejtërsimit thelbësor të njeriut, qoftë edhe më radikalin, pasi ai e privon nga i vetmi element ku thelbi i tij të mund të shpaloset lirshëm: e vërteta e Qenies. Të shpëtonte Qenien nga harresa dhe njeriun nga tjetërsimi që sjell kjo harresë, e tillë është detyra paraprake në konfuzionin e “vlerave”. I tillë është kuptimi i fundit i “ontologjisë themelore”. Kjo ontologji nuk shprehet mbi etikën dhe nuk paragjykon as mundësinë e hynores dhe as mosqenien e saj. Ajo synon që ta vendosë njeriun në rrugën e thelbit të vet. Ajo do vetëm që t’i japë atij një “atdhe”, sigurisht jo në kuptimin nacionalist, siç e shprehet vetë Haidegeri. Dhe vetëm kaq, a nuk e meriton kjo filozofi një vëmendje më të madhe në mjerimin aktual të botës ku jetojmë?
Në këtë vepër, që përkthyesi E. Musabelliu ka ditur ta sjellë me shumë kujdes dhe vëmendje ndaj termave të vështirë të filozofisë së Haidegerit, autori thekson se humanistët nuk e bazojnë mjaft lart humanitas të njeriut, ata reflektojnë mbi të qenurit në vend të Qenies. Ata e lenë mënjënë problemin themelor të qenies së të qenurit dhe e asimilojnë njeriun me Qenien e vet. Ai bën kujdes që të saktësojë se, të bësh procesin e humanizmit nuk do të thotë të glorifikosh jo-humanen, instiktet, brutalen. Fjala është për të kuptuar se njeriu nuk është të qenurit më të lartë, as Qenia e vetes. “Brenda të qenurit,në tërësinë e saj, nuk mund të gjendet asnjë arsye për të vënë në dukje pikërisht këtë zonë të të qenurit që quhet njeri, dhe së cilës, ne vetë i përkasim rastësisht”. Pra, duhet duhet të heqim qendrën nga ky të qenur, që është njeriu dhe që nuk është Qenie, për t’ju drejtuar vetë Qenies.

                                                                                                        Tiranë, Janar 2010

                                                                            PARATHENIE PER BOTIMIN NE SHQIP nga Prof. Gjergj Sinani

                                                                                Perktheu dhe pershtati ne shqip Enkelejd Musabelliu

Share

Shto koment Kerko
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania