S'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!
Shtypi i ditës na bën të njohur se me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë do hidhen plotë 5 milion euro që të na nderojë me prezencën e saj, askush më pak sesa Shakira. Këshilli i Ministrave e ka marrë seriozisht këtë punë. Kryeministri nga ana e tij dihet, kishte fjetur natën e 28 Nëntorit, të vitit të 99 të Pavarësisë, dhe pasi pati dialoguar në ëndërr me ëngjëllin Gabriel u kthye mes nesh me tre projekt-ide për festimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë.
1- Një stadium kombëtar që të na e ketë zili e gjithë Evropa (apo tha bota?).
2- Një parlament të ri për fukarenjtë e gjorë, deputetët fakirë të Shqipërisë, i cili duhet ndërtuar tek piramida duke simbolizuar kështu edhe karakterin e mbinatyrshëm të Kryeministrit: "me një dorë të shemb e me tjetrën të ngre më kult se përpara" dhe
3- Shakira në Shqipëri, muza e vitheve perfekte, këngëtarja latine që aq bukur interpreton këngët me vallëzime orientale, duke na sjellë memorjen e paharruar historike të pashallëqeve...
Duke qënë se po merrej me punë të tjera më të rëndësishme, si ullinjtë e Rivierës, arrat e Veri-Lindjes, dhe pjeshkët e Lapardhasë, por edhe me plagën sociale të prostitucionit në Shqipëri, dhe nuk pati mundësi të realizojë dy projektet e para, Këshilli i Ministrave vendosi të investojë gjith çka është e mundur te Shakira. Në fund të fundit Kryeministri është burrë shteti (e tha Arvizuja) e s'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!