Gjeneralmegafoni

Solitaire!

E-mail Print PDF

Të mërkurën në darkë fillova të ndihesha keq në aspektin shëndetësor. Të enjten në mëngjes vazhdoja të isha sëmurë, por gjithsesi shkova në punë deri në drekë, më pas u ktheva në shtëpi, ndihesha shumë sëmurë (kisha temperaturë dhe ethe). Vjehrra dhe bashkëshortja më sugjeruan të vizitohesha.  Unë për disa arsye; e para se nuk i kam fare qejf mjekët dhe ambjentet spitalore në Shqipëri (ato shtetërore në veçanti), por edhe sepse mendoja se do të shërohesha (ah se harrova t’ju them unë në fakt ca ilaçe i pija, të blera ashtu me kokën e grave të familjes në farmacinë më të afërt) meqenëse po afronte edhe fundjava, ku një regjim shtrati në shtëpi do të më jëpte një dorë në shërimin tim.
E premte në mëngjes: jam prapë sëmurë, por sërish më duhet të shkoj në punë të paktën për disa orë. Kthehem në shtëpi nga dreka, dhe në vijim, të shtunën dhe të dielën,  krijoj një lidhje shumë të ngushtë me krevatin dhe divanin.


E hënë në mëngjes, ndihem shumë i acaruar (kam harrur t’ju them se sëmurem rrallë, çdo 4 vjet) që shëndeti im nuk është i rikuperuar plotësisht, kisha dalë jashtë kontrollit, dhe kështu mendova: “Po mirë hajde se po e bëj një vizitë te mjeku”. Problemi ishte se ku do të shkoja?  Bashkëshortja më tha: “Te mjeku i lagjes se ti e ke edhe librezën shëndetësore”. Por unë në fakt e kisha harruar librezën në shtëpi. Ndërsa mendja ime po më thoshte të shkoja te një klinikë private…. e nejse, mbasdite më bie rruga andej nga ambulanca e lagjes, ku gjendet njëkohësisht edhe urgjenca (pranë shkollës Emin Duraku). Në godinën fillestare po kryhej rikonstruksion, kështu që më orientuan të drejtohem mbrapa godinës… hyj dhe befasohem në fakt, se shikoj një dhomë të madhe me tre shtretër, 2 gra (me përparëse të bardhë) dhe dy burra (me përparëse të bardhë) dhe nuk kishte asnjë pacient.
Unë:  Më falni mjeku i lagjes ku ndodhet?
Ata: Është transferuar përkohësisht tek ambulanca 8. 
Unë: Po ju a mund të vizitoni?
Ata: Po varet sa rëndë je.
Unë: Pshshhhh!
Ata: Mirë, mirë mund të ulesh!

Ulem në një stol, pranë mjekut (te të gjashtëdhjetat), i cili po shikonte a po bënte diçka në kopjuterin e tij. Edhe gratë shfaqnin interes drejt kompjuterit. Filloj t’i shpjegoj kronologjinë e sëmundjes time : i them që mund të kem edhe pak temperaturë. Më japin një termometër, të cilin e vendos në vendin e duhur, dhe ndërkohë vërej që mjeku vazhdon dhe punon në kompjuter. Në fakt vërej që nuk është se po punonte por po luante Solitaire. Aty ndihem keq, e megjithatë mu kujtua që Kryeministri i Shqipërisë kishte folur para nja dy javësh në një mbledhje qeverie se askush nuk do të guxojë në të ardhmen të luajë më zyrat shtetërore. Dhe kështu filloj ta ngacmoj pak mjekun që po luante, e i them: “Ja dhe pak se do jua heqi ai sipër”.
Ai qesh: “Ah po”.
Unë: “Po, po, ai e ka seriozisht”.
Mjeku: “Ishalla  s’më heqin kompjuterin mua, se pastaj s’kam ç’ti bëj. Se lojën s’e kam problem, e fus me CD”.
Më tregoi dhe ca kuriozitete të tjera rreth lojrave, që nuk i mbaj mend, ndërkohë që vazhdonte të luante, ishte nga fundi i lojës, por edhe nën presionin e atij kolegut tjetër që donte ti zinte vendin. Lojën e fitoi, ishte e dyta radhazi, dhe ndihej në qiellin e shtatë për këtë, mburrej, dhe në fakt nuk e mohoj, pashë që kishte edhe admirimin e grave.
I them që nuk kam temperaturë (paksa i habitur me veten time, sepse ndihesha sikur kisha temperaturë).
Mirë më thotë mjeku, çohet nga karrigja e tij dhe spostohemi drejt krevateve. Ndërkohë në karrigen e mjekut tim u ul ai mjeku tjetër (te të dyzetat) dhe filloi turnin e tij të lojës. Mjeku më dëgjon për të ftohtë. Kthehet nga të tjerët dhe iu thotë: “Keni lugë”? (Aty tmerrohem, “O zot” them “Ishalla është sterile”)... “Po” përgjigjet ky mjeku që po luante, dhe me shpejtësi nxjerr nga xhepi lugën, që për fat ishte një përdorimshe.

Mjeku vazhdon dhe më viziton grykët dhe sikur përmend fjalën laringit. Pasi mbaron e pyes: “Çfarë kam”? Më përgjigjet që ndoshta jam ftohur pak. “Po ndonjë mjekim do më japësh”?  “Po”  më thotë, drejtohet te tavolina e grave dhe plotëson një regjistër, më kërkojnë emrin. “Andrea” ju them dhe pas një pauze të shkurtër: “Shqiptar”! Aty, marr aprovimin e grave dhe të atij mjekut tjetër. Ndërsa mjeku im më thotë: “Do të isha gëzuar më shumë po të më thoje grek”. “Po pse” e pyes? “Unë jam nga Mallakstra më thotë, por ne shqiptarët jemi mosmirënjohës, grekërit na kanë mbajtur me bukë”. “Jo” i them, “pas luftës së dytë edhe ne i kemi mbajtur me bukë”. “Jo” kundërshton, “ne jemi mosmirënjohës”. Unë revoltohem edhe më shumë dhe nga ky moment e tutje mbaj mend më mirë ato që kam thënë vetë sesa ato që ka thënë mjeku. Unë i them për herën e dytë që ne i kemi ndihmuar grekët pas luftës se ma kishte thënë gjyshi, ai kundërshton, por ato gratë më dalin në mbrojte, madje njëra thekson se ajo që thoja unë ishte e vërtetë sepse asaj ia kishte treguar vjehrri që ishte nga Gjirokastra. Unë i vë gjithashtu në dukje që Greqia ka pretendime territoriale…

Ndërkohë afrohet me recetën në dorë, dhe kur më erdhi afër unë nxjerr pesëmijëlekëshin e vjetër që kisha futur në xhepin e pantallonave paraprakisht, pasi kisha thyer një dhjetëmijëshe duke blerë një pako me çumçakiza (ka kohë që nuk ju kërkoj shitësve të më thyejnë lekë, më duket sikur ju kërkoj një gjë të madhe) dhe ia fus në xhepin e përparëses. Në fakt mbase ia vlen të ndaloj pak në faktin që në ato dy tre minuta që unë po rrija në këmbë, po studioja skemën se si do ti jepja pesëmijë lekëshin mjekut. Në fakt më vinte turp që në prani të katër vetave t’ia jepja pa ndrojtje. Prandaj duke parë mundësitë praktike (kisha avantazhin e të qenit në fund të dhomës),  kur mjeku të afrohej për të më dhënë recetën, unë me shpejtësi do ti fusja pesëmijëlekëshin në xhep, duke shmangur kështu shikimin e të tjerëve, por edhe duke shpresuar që ai nuk do të thoshte gjë. Dhe në të vërtetë gjysma e planit tim shkoi sipas parashkimit, por mjeku nuk e mbajti gojën mbyllur dhe më tha: “Po ç’e deshe!” Natyrisht nuk u habita aspak, se kjo është shprehja standard.

Mora recetën, shkëmbeva dhe nja dy batuta të tjera patriotike dhe dola.
U çlirova. “Punë e madhe” thashë, “kur s'i erdhi turp atij (për lekët që pranoi në sy të kolegëve), pse duhet të ndihem keq unë”. Menjëherë, me recetën në dorë, shkova te farmacistja ime, që njëherazi është edhe një shoqe e imja dhe i them: “shiko kam këtë recetën por ai mjeku s’ma mbushi  shumë mendjen prandaj më jep çfarë të duash”. Aty për aty bëmë një modifikim të recetës. Shkova në shtëpi, bashkëshortja më pyet: “Hë, çfarë të tha mjeku?” Unë që i them aq sa më kujtohej, që mund të jem ftohur pak, se pjesën më të madhe të kohës nuk fola me mjekun për shëndetin tim (edhe për fajin tim) po për lojën dhe grekërit. Bashkëshortja më thotë: “Ç’do të thotë pak i ftohur?”. “E pra”, i them edhe unë i çuditur. Vendos termometrin, i cili pas dy minutash tregon 37.7 gradë Celcius.
Aty vendosa që herën tjetër do të shkoj në një spital privat dhe do ta mbaj gojën mbyllur.

Marka X


 

Share

Shto koment Kerko
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Shpifja vs puçi

Sot Policia e Shtetit shkarkoi nga detyra të vetëshkarkuarin prej së paku një jave, ish komandantin i Forcave Speciale dhe Drejtorin e Policisë së Dibrës, Shemsi Prençin. Kjo taktikë e shkarkimeve pasi i shkarkuari jep dorëheqjen, kohët e fundit është kthyer në modë. Le të kujtojmë rastin e Nën Kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Edhe ky dha dorëheqjen, por këtu ka shtet që iniciativën e merr vetë. Pak me vonesë por ama e merr.

Prençi u shkarkua nga detyra për shkak të shpifjeve dhe shkeljes së ligjit. Ai akuzoi strukturat më të larta të shtetit si të implikuara në mafien e kromit.
Të hedhësh baltë mbi uniformën blu pasi ke dhënë dorëheqjen nga çdo strukturë e kësaj force, është e ndëshkueshme me shkarkim nga detyra. 

Mos harrojmë që Prençi ka edhe një precedent tjetër të shkarkimit nga detyra. Ai është filmuar gjatë sulmit të Kryeministrisë dhe Televizionit Shqiptar në 14 Shtator 1998, ndërsa udhëhiqte turmën e armatosur. Kujtojmë që gjatë kësaj periudhe Prençi ishte oficer i Policisë së Shtetit, i cili mori dënimin maksimal që jepet në vendin tonë për Puç të armatosur. Shkarkim nga detyra. Sesi u rikthye në detyrë Prençi dhe sesi i ngjiti shkallët e karrierës, askush nuk e di. Një oficeri policie i cili heq uniformën për të drejtuar armët kundër institucioneve të shtetit, për mendimin tonë modest atë uniformë nuk duhet t’ia vishnin më, sepse ndodh që ai mund ta njollosi sërish. Kësaj rradhe edhe më keq, duke shpifur (?!). Apo puçi është më i rëndë?! Shpifja apo puçi, puçi apo shpifja?! Le të presim qeverinë e majtë e të shohim nëse e rehabiliton oficerin Prençi duke i dhënë fund edhe dilemës tonë.

Barbarizëm

Civilizimi i një populli kuptohet nga mënyra si trajton kafshët. Mu kujtua kjo shprehje e Mahatma Gandit ndërsa shikoja një video që qarkullon kohët e fundit në ueb dhe që dokumenton fushatën e  ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit për shfarosjen e qenve endacakë. Ekzekutimi i kafshëve në mes të rrugës nuk është gjë tjetër veç barbarizëm. Në prag të sezonit turistik qëllimi, një qytet i pranueshëm për pushuesit, nuk mund të justifikojë mjetin, eliminimi fizik i qenve.

Problemi i kafshëve pa zot, ose që zot kanë rrugën, është i përhapur në çdo qytet të Shqipërisë. Kequshqyerja dhe kushtet në të cilat jetojnë bëhen shkas për sëmundje të ndryshme, sëmundje që përbëjnë rrezik edhe për shëndetin publik. Një problem tjetër, që lidhet me natyrën e qenve, është grumbullimi në tufë duke sulmuar në disa raste njeriun. Strukturat për kujdesin mungojnë dhe do të vazhdojnë të mungojnë për sa kohë shteti nuk ka struktura strehimi as për qytetarët. Të shumta dhe në rritje janë rastet e të varfërve që detyrohen të enden, rrugëve të qyteteve, si dhe mos më keq se kafshët. Edhe këta shteti i vret. Me indiferentizëm. Ndërsa për qentë shteti ka gjetur një metodë më të shpejtë dhe më efikase. Shfarosjen masive.

Dorëzimi përpara këtij akti makabër i cili ndodh rëndom në çdo qytet të Shqipërisë, është zgjedhja më e thjeshtë, por nuk është zgjedhja jonë. Kush i hap rrugë barbarizmit, zgjedh të largohet një orë e më parë nga ky vend, duke qenë se nuk mund të japë kontribut për ndryshim. Ne zgjedhim të qëndrojmë dhe të denoncojmë çdo akt çnjerëzor që nuk është pjesë e kulturës tonë, çdo barbarizëm që, i përkohshëm ashtu si shteti i kalbur i cili na përket, nuk na përfaqëson

 

Krym kundër dinjitetit

A e njihni Fatbardh Kadillin? Sigurisht që jo! As ne nuk e njohim por dimë që ka mandat deputeti si përfaqësues i Partisë Demokratike, ka qënë këshilltar i Kryeministrit Berisha, dhe herë pas here del në konferenca për shtyp. Po të kthehemi pak në kohë, do të zbulojmë që Bardhi vjen nga një familje e persekutuar gjatë Diktaturës Hoxhiste, si pak të tjerë në PD. Për të qënë më të saktë një sekretar partie si Berisha duhet të jetë figurë e urryer për Bardhin. Sa shumë kanë hequr familjet disidente nga sekretarët e partisë?!

Por Bardhi sot,  ashtu si edhe më parë e shfryu mllefin e akumuluar prej vitesh, kundër Edi Ramës. A thua se është ky i fundit apo shokët e këtij që luanin me top llastiku aso kohe, që e përndoqën e i nxinë jetën fatziut?! Kur prindërit e tij u internuan Edi i kishte buzët me qumësht, kurse Saliu me bozë pushteti...

Fatbardh hapi sytë e ruaj pak dinjitet! Dikur Saliu ishte zar i Enverit, sot ti po bëhesh zar i Saliut. Ndërsa Shqipëria po rrokulliset si zar drejt një rruge pa kthim.

 

Reforma në administratë

 

Zbardhet faksimilja midis një eksponenti të PD-së dhe shefit të burimeve njerëzore në Republikën e Shqipërisë:

Përshëndetje Lulo,

Më poshtë po të dërgoj listën e prurjeve nga PD-ja dhe aleatët, lista të azhornohet çdo orë, se po afrojnë zgjedhjet e përndryshe kena me fitu nji mut me komunistat e mutit. Berishë Ramë Sala, militant i thekur i PD, të emërohet sa më parë çoban në Kurvelesh. Medi Fatmiri, të emërohet teneqexhi bakërri në qafën e pazarit n' Gjinokastër. Metë Liri, të emërohet urgjent kasap pranë therrtores në Kapshticë. Dode Mesi, e përkushtuar deri n' vetflijim, të emërohet brigadiere në burgun e grave Vaqorr (të enjten lijani pushim se duhet të dali në Fevzi Bledi). Frangë Aleksi, tellall tek ura vajgurore, Voksana Albisha, të emërohet furrxheshë, edhe kjo tek burgu i grave…

Folim pas nji ore!

 

S'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

Shtypi i ditës na bën të njohur se me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë do hidhen plotë 5 milion euro që të na nderojë me prezencën e saj, askush më pak sesa Shakira. Këshilli i Ministrave e ka marrë seriozisht këtë punë. Kryeministri nga ana e tij dihet, kishte fjetur natën e 28 Nëntorit, të vitit të 99 të Pavarësisë, dhe pasi pati dialoguar në ëndërr me ëngjëllin Gabriel u kthye mes nesh me tre projekt-ide për festimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë.


1- Një stadium kombëtar që të na e ketë zili e gjithë Evropa (apo tha bota?).

2- Një parlament të ri për fukarenjtë e gjorë, deputetët fakirë të Shqipërisë, i cili duhet ndërtuar tek piramida duke simbolizuar kështu edhe karakterin e mbinatyrshëm të Kryeministrit: "me një dorë të shemb e me tjetrën të ngre më kult se përpara" dhe 

3- Shakira në Shqipëri, muza e vitheve perfekte, këngëtarja latine që aq bukur interpreton këngët me vallëzime orientale, duke na sjellë memorjen e paharruar historike të pashallëqeve...

Duke qënë se po merrej me punë të tjera më të rëndësishme, si ullinjtë e Rivierës, arrat e Veri-Lindjes, dhe pjeshkët e Lapardhasë, por edhe me plagën sociale të prostitucionit në Shqipëri, dhe nuk pati mundësi të realizojë dy projektet e para, Këshilli i Ministrave vendosi të investojë gjith çka është e mundur te Shakira. Në fund të fundit Kryeministri është burrë shteti (e tha Arvizuja) e s'ban me i dalë nga fjala Gabrielit!

 

Sondazh

Fatos Nano president, si ju frymezon ky lajm?

ilaç koke,Karikatura

Facebook

Simply Albania