3519 ditë pas 11 Shatorit 2001 vritet Osama Bin Laden. Një komando e specializuar amerikane ka kryer blicin në “resortin” ku strehohej truri i terrorizmit islamik ndërkombëtar, në afërsi të kryeqytetit pakistanez Islamabad. Ekzekutim me një plumb pistolete në kokë. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me forcat e armatosura të Pakistanit. Zona strategjike nga e cila lideri i Al-Qaedës drejtonte aksionin e tij politik, ndodhet midis Afganistanit, krahinave tribale te Pakistanit dhe Kashmirit (zonë separatiste e kontestuar midis Indisë dhe Pakistanit). Vdekja e Bin Ladenit sigurisht shënon një sukses të madh për Uashingtonin por nuk zgjidh problemet e mëdha të Pakistanit dhe Afganistanit dhe nuk i jep fund luftës kundër terrorizmit, përkundrazi. Fakti që kreu i Al-Qaedës strehohej shume pranë kryeqytetit Pakistanez tregon qartë për mbështetjen e fortë që gëzonte Bin Ladeni në këtë vend, mbështetje që jepej nga vetë shërbimet sekrete të Islamabadit dhe ushtria. Deklaratat për shtyp të SHBA-ve dhe Pakistanit janë kontradiktore; nga njëra palë bëhet e ditur se aksioni ishte i përbashkët, ndërsa nga pala tjetër një fakt i tillë përgënjeshtrohet. Madje edhe në brendësi të shërbimit sekret pakistanez ka patur një çarje dhe rrjedhje informacioni, që më pas ka çuar në aksionin e ditës së sotme.
E gjitha kjo nuk mund të mos lidhet me situatën e përgjithshme që po përjetojnë vendet muslimane, me valën e revolucioneve në thuajse tërësinë e botës islamike dhe pranverën e re që po përjetojnë këta popuj.
Al-Qaeda e ka humbur mbështetjen politike dhe popullore jo rastësisht në këtë kohë të re protestash që shpërthyen në Tunizi, vazhduan në Egjipt e tashmë janë përhapur kudo që nga Siria në Bahrein, Libi, Jemen, Jordani etj. Në momentin që njerëzit e hekurt, diktatorët e Lindjes së Mesme dhe Magrebit filluan të lëkunden e të bien njëri pas tjetrit, fuqia politike e Al-Qaedës u zbeh dhe pikërisht në këtë moment lideri i saj rrëzohet...
Shërbimet sekrete amerikane dhe aleate janë vënë në gjendje alarmi në pritje të një kundërpërgjigjeje të grupeve terroriste të lidhura me Al-Qaedën. Nga Guantanamo kanë rrjedhur informacione sipas të cilave, Bin Ladeni duke e ndjerë rrezikun që i kanosej dhe duke kuptuar që nuk kishte më fuqinë e dikurshme politike, e ka deleguar pushtetin në duart e disa grupe lokale terroriste, të cilat disponojnë një armë sekrete bërthamore. Besueshmëria e këtij lajmi mbetet për t’u verifikuar por kjo tregon më së miri që lufta kundër tërrorizmit nuk mbaron këtu.

Ajo që kuptohet menjëherë është se problemi i vërtetë nuk është Afganistani dhe lufta e pafund me talebanët por Pakistani dhe kaosi që pritet ta përfshijë këtë të fundit. Ka një përplasje midis shërbimit sekret pakistanez dhe ushtrisë ose së paku një pjese të saj, Presidenti i vendit është i pafuqishëm, militantë të grupimeve të ndryshme terroriste kanë shtuar eksponencialisht sulmet në terren duke shkaktuar mijëra viktima dhe revolta popullore, zonat tribale në kufi me Afganistanin dhe Kashmirin janë plotësisht jashtë kontrollit të pushtetit qëndror. Pra eleminimi i liderëve të ndryshëm nuk shënon fundin e aktivitetit terrorist të organizatave të tyre në këtë teritor përkundrazi.
Sfida më e madhe sot është shpëtimi i Pakistanit i cili, të mos harrojmë, është një fuqi bërthamore.
Onufri
| Share |
|



Civilizimi i një populli kuptohet nga mënyra si trajton kafshët. Mu kujtua kjo shprehje e Mahatma Gandit ndërsa shikoja një video që qarkullon kohët e fundit në ueb dhe që dokumenton fushatën e ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit për shfarosjen e qenve endacakë. Ekzekutimi i kafshëve në mes të rrugës nuk është gjë tjetër veç barbarizëm. Në prag të sezonit turistik qëllimi, një qytet i pranueshëm për pushuesit, nuk mund të justifikojë mjetin, eliminimi fizik i qenve.