Pas zgjedhjeve të 12 qershorit dhe protestave masive që karakterizuan shpalljen e rezultateve, në Iran duket se po mbretëron një qetësi e rreme. Nga njëra anë qëndrojnë të moderuarit të përfaqësuar nga Mousavi, nga ana tjetër ekstremistet në pushtet Ahmadinezhad dhe lideri shpirtëror Ajatullah Khamenei. Por në këtë ndeshje ka një pjesëmarrje aktive edhe nga faktorë të jashtëm, Obama dhe Netanjahu në krye, ndërsa ndjehet si gjithmonë mungesa e një Evrope pa identitet, pa krye dhe si rrjedhojë, pa politikë të jashtme. Në lojë nuk janë vetëm interesat e rajonit të Lindjes së Mesme, por të gjithë ekuilibrat gjeopolitikë ndërkombëtarë...
Ndërsa me politikën e re të presidentit Obama dukej se konflikti dhe pozicionet e forta po zbuteshin. Obama premtoi dialog me Iranin dhe Ahmadinezhad e pranoi atë duke ia lënë gjuhën e ashpër të shkuarës dhe “fajtorit” kryesor, ish presidentit Bush. Sic e kemi përmendur edhe në shkrime të mëparshme, administrata e SHBA-së do të mbyllte një sy edhe nëse gjatë zgjedhjeve do të kishte shkelje të hapura madje deri në përgjakje të shesheve. Por ajo që
nuk parashikohej ishte fitorja e Netanjahut në Izrael dhe qëndrimi i fortë e pa kompromise i këtij të fundit. Izraeli nuk heq dorë nga plani për të sulmuar ushtarakisht vendndodhjet bërthamore të Iranit dhe kjo ka vënë në vështirësi Uashingtonin. Aleanca me mikun më të fuqishëm të popullit të Izraelit nuk vihet në dyshim, por Obama është i paralajmëruar dhe nuk duhet të tejkalojë vijën e kuqe. Sipas MOSSAD-it (sherbimet sekrete Izraeliane) pajisja e Teheranit me rraketa berthamore do të kishte një efekt domino. Shtete të tjera (sunite) të rajonit do të provonin të prodhonin nuklearen, si kundërpërgjigje ndaj gjigandit Shiit. Si rjedhojë në këtë vorbull do të përfshiheshin edhe grupe terrosriste të Palestinës apo Libanit. Hipoteza këto, të papranueshme dhe që detyrojnë Tel Avivin të ndërmarrë rrugën e vetme të mundshme, atë të ndërhyrjes ushtarake. Ndërsa nga ana tjetër taktika e Izraelit është ajo e mohimit ose e mospranimit se zotëron armë bërthamore edhe pse është e njohur ekzistenca e një numri të konsiderueshem raketash të këtij lloji në pronësi të Tel Aviv-it (mendohet 150).
Ndeshja tashmë luhet midis tre faktorëve dhe jo vetëm midis SHBA-së dhe Iranit. Shtypja e dhunshme e protestave në Iran e vendos Obamën përpara një përgjegjësie të madhe. Nëse do të pranojë të ulet në një tavolinë me një bashkëbisedues si Ahmadinezhad, ndërsa liritë dhe të drejtat e njeriut u shkelën me të dyja këmbët nga ky i fundit, nëse do të pranojë pajisjen e Iranit me armën bërthamore, ndërsa aleati i vjeter i SHBA-së në rajon e refuzon në mënyrë të padiskutueshme një opsion të tillë. Një gjë është e sigurtë: për herë të parë që nga krijimi i shtetit të Izraelit, Uashingtoni dhe Tel Avivi ndodhen kaq larg njëri tjetrit…
| Share |


