Gjeneralmegafoni

Pas 29 qershorit, fiton Partia e Eurodyshuesve

E-mail Print PDF

Vendi ndodhet përpara një krize të gjithanshme; politike, institucionale dhe ekonomike. Kriza politike është ajo që ka më pak nevojë për komente pasi është përpara syve tanë me të gjithë repertorin e saj, duke filluar që nga mungesa në parlament e opozitës dhe zbritja e saj nëpër sheshe e deri tek gjuha tejet e  ngjyrosur e Kryeministrit në foltoren e Parlamentit dhe përpara kamerave duke vajtur kështu në një përballje që ka precedentë vetëm në Shqiperinë e ’97-ës. Kriza institucionale është edhe më problematike. Qeveria Berisha pretendon të bëjë vetë Ligjin e vetë Maliqin duke harruar që në pluralizëm pushtetet janë të ndara dhe të pavarura...

Përpjekjet për gllabërimin e gjyqësorit dolën në pah ashiqare me  përpjekjen për të kaluar ligjin antikushtetues të lustracionit i cili u rrëzua pikërisht nga Gjykata Kushtetuese. Sot kemi një Prokurori të frustruar nga presionet e pushtetit, e paaftësuar nga dhuna psikologjike e Maliqit, që të ngrejë padi mbi afera me pasoja të rënda financiare si tuneli i Kalimashit, dhe njerëzore si tragjedia e Gërdecit. Me zgjedhjen e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së në krye të shtetit, institucioni i Presidentit u bë i tejdukshëm. Sot kemi një President kukull, i cili nuk prononcohet mbi krizën politike, nuk prononcohet për problemin e kufirit detar me Greqinë dhe nuk ka kthyer thuajse asnjë ligj nga ato që propozon Kryeministri (Parlamenti që të paktën formalisht e ka këtë kompetencë është institucion fantazëm që nga momenti i bojkotit të thuajse gjysmës së deputetëve). Krahasimi me numrin e madh të ligjeve që ka kthyer pararendësi i tij na bën të buzëqeshim me hidhërim dhe të konstatojmë se sot kemi të bëjmë me një President si ata të Republikave të Bananeve.

Kriza ekonomike: ashtu siç kemi thënë qysh një vit më parë në artikullin gjeopolitik “perandoria e naftës”, kriza ekonomike dhe financiare globale nuk mund t’i kalonte tangjent ekonomisë së brishtë shqiptare. Rreziku i falimentimit ekonomik të shteteve si Shqipëria, (dhe shembujt nuk mungojnë, Argjentina mbi te gjitha) duhet të na shqetësojë më shume ne, sesa Evropën fqinje, që ka boll probleme me ekonomitë e secilit prej shteteve që e përbëjnë. Në këtë kohë krize, shtete eurodyshuese (euroskeptike) si Anglia dhe Danimarka po i afrohen zonës së euros, ndërsa shtete kyçe të BE-së si Gjermania po distancohen nga politikat qëndrore të Brukselit duke tentuar një politikë paradoksalisht euroskeptike. Ekonomistët më në zë, sidomos nga shoqëria civile u munduan të vinin përpara përgjegjësisë qeverinë Berisha, por qoftë për arsye se zgjedhjet po afroheshin, qoftë për papërgjegjshmëri politike, morale dhe kombëtare, në vend që të ndërmerrej një ndërhyrje e vrullshme me reforma,  u boshatis arka e shtetit, u largua FMN-ja dhe u morën kredi të fuqishme për të mbyllur me ngut dhe në kohë rekord punët e nisura e deri më sot të pa bitisura. Mjafton të shohim katastrofën financiare të Tunelit të Kalimashit, financimi diletant dhe korruptiv i të cilit do t’u kushtojë borxhe të paimagjinueshme fëmijeve dhe nipërve tanë...

Në një revistë prestigjoze angleze, situata në Tiranë krahasohet me atë në Teheran. Të ngjashme në mënyrë shqetësuese, si dy pika uji, do të shtonim ne. Situata pre-elektorale dhe post-elektorale në Iran është trajtuar në disa artikuj gjeopolitikë të Gjeneralmegafonit. Po cilat jane keto ngjashmëri? Ashtu si edhe në Shqipëri, zgjedhjet në Iran u zhvilluan në muajin qershor. Me perqasje të ngjashme me atë të Kryeministrit Berisha, presidenti Ahmadinexhad përdor një fjalor shumë popullor dhe nxjerr nga goja e tij perla të kushtueshme me pasojë dyfishe; denigrimin moral të kundershtarëve dhe  gazmorizimin e imazhit të shtetit të tij në arenën ndërkombëtare. Edhe në Iran ashtu si në Shqipëri, opozita nuk i njeh zgjedhjet dhe akuzon vjedhje masive duke vërshuar cdo ditë nëpër sheshe. Ky krahasim pra, duhet të pakten të na bëjë të meditojmë. Ndërkombëtarët kanë bërë verejtjet e tyre me gjuhë diplomatike, dikush (sidomos SHBA-ja) edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke parashtruar nevojën e një dialogu i cili duhet të çojë në një marrëveshje, por cdo përpjekje ka rëne në vesh të shurdhër sidomos nga ana e pushtetit, i cila ka mjetet, fuqinë dhe detyrimin për të gjetur një kompromis.
Por ndër të gjitha perpjekjet e të huajve në të dyja rastet, si në Tiranë edhe në Teheran, vërehet një mefshtësi e BE-së dhe mungesë e një zëri të fortë të saj.  Evropa sot nuk është gjë tjetër veç një makinë gjigande burokratike e përbërë nga shume ingranazhe, të cilat përpara se të cojnë deri në fund një iniciativë, rrezikojnë të mbeten të bllokuara në një prej këtyre niveleve, duke çuar deri në tragjedi njerëzore. Le të kujtojmë masakrat në Bosnje-Hercegovinë, bashkefajtore e të cilave është Evropa e ngathët dhe e vonuar.

“Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa” është një parrullë tashmë e vjetër, është një ëndër nga e cila shqiptarët duhet të shkëputen ose së paku ta mendojnë dhe ta ëndërrojnë me më shumë objektivitet, pasi sot nuk kemi më të bëjmë me  Evropën e rrëzimit të mureve dhe ndryshimeve të medha por  thjeshtë kemi të bëjmë me Kontinentin Plak.  Kjo nuk do të thote që jemi kundër integrimit të vendit në Evropë. Por asgjë s’na pengon të qëndrojmë me këmbë në tokë, të jemi Eurodyshues dhe ndonjeherë Eurokritikë.
Integrimi në Evropë nga shqiptarët nuk duhet të shihet me romanticizmin e fillimviteve ’90, por me besimin e një pikësynimi. Duhet të shihet si një qëllim i asaj që duhet të arrijmë në aspektin e reformave, demokratizimit, liberalizimit dhe emancipimit të shoqërisë. Është e qartë që ekonomikisht jemi dhe vështirë të mos mbetemi ndër vendet më pak të zhvilluara. Kjo nuk përbën problem në vetvete pasi do të ishte e pamundur që të gjitha shtetet e një federate të ishin njësoj të pasura. Psh: shtetet që bëjnë pjësë në SHBA nuk kanë të njëjtat nivele ekonomike.
 Por në momentin që institucione të BE-së, pjesë të ingranazhit të kesaj makine gjigande burokratike, mbyllin një sy përpara standardeve të pa arritura, mbyllin një sy përpara shbërjes së shtetit të së drejtës, dhe i mbyllin të dy sytë përpara keqnumërimit të 1/3-ve të kutive të votimit (shifra i referohet pikërisht raportit të OSBE/ODIHR–it), duke përdorur një tjetër kandar për matjen e standarteve që duhet të arrijë vendi ynë në krahasim me vendet (e tyre) e BE-së; pra në këtë moment qëllimi që i kemi vënë vetes për të hyrë në BE, e gjen rrugën e mbyllur dhe pushon së ekzistuari. Në këtë moment partia e Eurodyshuesve bëhet më e  fortë se ajo e Euroromantikëve.

                                                                                                                                                                Onufri

Share

Shto koment Kerko
Anonim   |2009-12-19 03:41:01
Mu nuk me ka pelqy ndonje here menyra si po hym ne europe. Sdomos kur duhet ti
bojm leshime Greqise. Maqedonia e ka bo mir, nuk i ka leshu hic Greqise per
emrin dhe nuk do me dit per te hy ne Nato.
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania