Gjeneralmegafoni

Shteti përballë globalizimit (pjesa I)

E-mail Print PDF

Njëqind e pesëdhjetë vjet më parë, ulja e kostos së komunikimeve dhe të transportit solli atë që mund ta quajmë si skicimin e parë të globalizimit. Deri në atë periudhë, pjesa kryesore e tregtisë kryhej brenda një kuadri të ngushtë lokal. Ndryshimet e shek. XIX patën si rrjedhim, ndër të tjera, dhe rritjen e ekonomive kombëtare dhe për pasojë forcimin e Shtetit-komb. Shtetit të ri i drejtoheshin kërkesa të reja: tregjet prodhonin rritjen ekonomike, por kjo shoqërohej me rritjen e problemeve sociale dhe ekonomike. Në këtë mënyrë, Shteti mori përsipër një rol që nuk e luante më parë: të pengonte monopolet, të hidhte bazat e një sistemi modern të sigurimeve shoqërore, të rregullonte funksionimin e bankave dhe të institucioneve të tjera financiare. Pati një përforcim reciprok: suksesi i Shtetit në këto fusha i dha hov ndërtimit të kombit dhe rritja e fuqisë së shtetit-komb bëri të mundur dinamizimin e ekonomisë dhe rritjen e mirëqënies individuale.

Ideja sipas së cilës zhvillimi i Shteteve të Bashkuara ishte vepër e kapitalizmit lënë në mëshirë të fatit nuk është e vërtetë. Edhe sot (libri është botuar më datë 2006), shteti amerikan luan një rol vendimtar për shembull në fushën  e financave. Ai jep ose garanton kredi të shumta nëpërmjet disa programeve: kredi imobiliare, kredi për studentët, për import-eksportin, për kooperativat dhe për ndërmarrjet e vogla. Ai jo vetëm rregullon veprimtarinë  e bankave dhe garanton depozitat, por përpiqet gjithashtu të garantojë që kredia të jetë e aksedueshme për kategoritë e popullsisë që janë lënë pas dore dhe – të paktën deri në një datë jo të largët – për tërësinë e rajoneve të SHBA-së dhe jo vetëm për qendrat e mëdha financiare.
Historikisht, Shteti amerikan ka luajtur një rol shumë të madh në ekonomi për të promovuar zhvillimin e teknologjisë dhe të infrastrukturës. Në shek. XIX, kur bujqësia ndodhej në zemër të ekonomisë, Shteti krijoi të gjithë sistemin e universiteteve bujqësore dhe të shërbimeve të “zgjerimit”. Dhurime tokash të sasive të mëdha stimuluan zhvillimin e hekurudhave drejt perëndimit. Në shek. XIX, Shteti amerikan financoi linjën e parë të telegrafit; në shek. XX, kërkimet shkencore që cuan në krijimin e Internetit.
Nëse Shtetet e Bashkuara njohën një hov të tillë ekonomik, ka ndodhur pjesërisht falë rolit që ka luajtur Shteti për të ndihmuar zhvillimin, për të rregulluar tregjet dhe për të siguruar shërbime shoqërore bazë. Dhe pyetja që i shtrohet sot vendeve në zhvillim është e thjeshtë: Shteti a do të mund të luajë një rol të krahasueshëm? Globalizimi përcakton detyra të reja për shtetet-kombe – t’i bëjë ballë globalizimit të pabarazisë dhe të pasigurisë që ai provokon, të reagojë ndaj sfidës së konkurrueshmërisë që ai përfaqëson –, por në të njëjtën kohë globalizimi ul aftësinë që kanë shtetet për të marrë përsipër këto përgjegjësi. Globalizimi, për shembull, ka cliruar forca të tregjeve të fuqive të tilla që shtetet, në mënyrë të vecantë në vendet në zhvillim, e kanë shpesh herë të pamundur që t’i kontrollojnë. Ata që tentojnë të kontrollojnë flukset e kapitaleve nuk do t’ja arrijnë, pasi individët gjejnë mënyrën që të anashkalojnë normat. Një vend i caktuar mund të dëshirojë të rrisë pagën minimale por njëkohësisht të zbulojë se nuk e ka mundësinë që ta bëjë një gjë të tillë, pasi firmat e huaja të pranishme në territorin e tij do të vendosnin të kalonin në një vend tjetër ku pagat janë më të ulëta.  
Gjithmonë e më shumë, mundësitë e Shtetit që të kontrollojë veprimet e individëve dhe të ndërmarrjeve janë të kufizuara nga marrëveshjet ndërkombëtare që shkelin mbi të drejtat e tij sovrane për të marrë vendime. Një shtet i caktuar që i kërkon bankave që të përcaktojë një përqindje të caktuar të huave të saj zonave gjeografike të lëna pas dore, ose që normat kontabile që reflektojnë me saktësi situatën reale të ndërmarrjeve, do të konstatojë me siguri se nuk mund të pajiset me ligjet e nevojshme për të zbatuar këtë politikë. Firmosja e marrëveshjeve tregtare ndërkombëtare mund ta pengojë në rregullimin e flukseve hyrëse dhe dalëse të kapitaleve spekulative, edhe pse liberalizimi i tregjeve të kapitaleve rrezikon të provokojë kriza ekonomike.
Globalizimi – integrimi gjithmonë e më i ngushtë midis vendeve të botës – nevojit një veprim kolektiv të fortë: popujt dhe vendet duhet të veprojnë së bashku për të zgjidhur problemet e tyre të përbashkëta, të cilat kryesoret – tregtia, kapitalet, mjedisi – nuk mund të trajtohen vecse në një nivel botëror. Por, nëse shteti-komb është dobësuar, institucionet demokratrike botërore që duhet të marrin përsipër në mënyrë të efektshme problemet që lindin nga globalizimi, mbeten për tu krijuar në nivel ndërkombëtar. Ky është një fakt: globalizimi ekonomik ka ecur më shpejt se globalizimi politik. Kemi një sistem kaotik, të paorganizuar të qeverisjes ndërkombëtare pa qeveri botërore, një sasi të madhe institucionesh dhe marrëveshjesh që trajtojnë një seri problemesh, nga ngrohja globale deri tregtia ndërkombëtare dhe flukset e kapitaleve. Ministrat e Financave diskutojnë për problemet finanziare botërore pranë FMN-së pa u interesuar shumë mbi impaktin e vendimeve të tyre mbi mjedisin e planetit dhe të ardhmen e njerëzimit. Ministrat e Mjedisit thërrasin për veprim kundër ngrohjes së klimës, por nuk kanë në dispozicion mjetet finanziare për të vepruar. Është e qartë se nevojiten institucione ndërkombëtare të forta për t’i bërë ballë sfidave të globalizimit ekonomik, por ato që ekzistojnë sot nuk frymëzojnë asnjë lloj besimi. Institucionet vendimmarrëse vuajnë nga një deficit demokratik dhe kjo përbën haptazi një problem. Ky sistem con në marrjen e disa vendimeve që shpesh nuk janë në interes të vendeve në zhvillim. Ajo që e rëndon më shumë situatën është mentaliteti i vendene të industrializuara të avancuara, qeveritë e të cilëve përcaktojnë kursin e zhvillimit të globalizimit ekonomik: ata nuk po tregojnë ende solidaritetin e nevojshëm në mënyrë që të funksionojë komuniteti botëror... (Joseph Stiglitz)

                                                                                                                     përshtati në shqip Oltion Spiro

Share

Shto koment Kerko
Onufri   |2009-11-11 10:53:07
Duhet thene qe Shqiperia se bashku me Armenine, jane te vetmet shtete qe nuk
kane Mc Donald, por kjo s'do te thote qe vendi yne nuk eshte perfshire tashme ne
vorbullen e globalizimit
olti   |2009-11-11 16:54:30
shto dhe islanden, po me siguri jo per te njejtat arsye...
bleta   |2009-11-12 08:29:57
ketu te ne nuk ka me sy per qabe qe te vije...sidomos tani qe i mbylli disa
lokale neper bote...
dha kjo eshte shume mire...se do beheshim
obeze...globalizimi me te mirat dhe te keqijat e tije ...!
olti   |2009-11-12 09:19:00
obeze behemi vet ne, kemi fasfoodet tona disa here me kalorike..
Franko   |2009-11-12 09:43:52
Vetem per ate akulloren duhet te jete ne shqiperi mcdonaldi... mmmm
Onufri   |2009-11-12 10:07:20
Franko na habite me kte akulloren?! Po mire Islanda qe falimentoi si shtet po ne
Shqiperi perse valle nuk ka Mc Donald's? Bullgaria qe nuk shquhet per mireqenie
te larte ka patur nje te tille qe ne fillim te viteve '90
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania