Gjeneralmegafoni

Shteti përballë globalizimit (pjesa II)

E-mail Print PDF

Kur dëgjojmë për dëmet e një tërmeti në Turqi, për pllakosjen e urisë në Etiopi ose për një tsunami në Indonezi – pamjet e të cilave globalizimi arrin që t’i përçojë në çdo vatër – ne ndiejmë trishtim të madh për viktimat dhe secili bën atë që ka mundësi per të dhënë ndihmesën e tij. Por afërmendsh që nevojitet më shumë se aq.
Me zhvillimin e Shtetit-komb individët u lidhën me njëri-tjetrin në gjirin e kombit  - jo aq ngushtë sa me anëtarët e komunitetit të tyre lokal, por shumë më tepër se në krahasim me individët që nuk bënin pjesë në atë komb. Problemi qëndron të fakti që progreset e globalizimit nuk kanë ndryshuar aspak këtë situatë. Luftërat tregojnë më së miri këtë lidhje afektive: amerikanët mbajnë llogarinë e saktë të ushtarëve të tyre të vrarë në luftë, por kur janë publikuar vlerësime gati pesëdhjetë herë më të mëdha për viktimat irakiane të luftës, nuk kemi ndjerë rreth e rrotull nesh asnjë emocion të veçantë…

Vënia nën torturë të një shtetasi amerikan do të kishte ngjallur një indinjatë të pashembullt; tortura nga amerikanë ka prekur, me aq sa po shohim, vetëm anëtarët e grupimeve pacifiste, shumë të tjerë madje e kanë mbrojtur këtë praktikë duke e quajtur si të nevojshme për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara. Këto asimetri kanë paralelet e tyre dhe në rrafshin ekonomik. Amerikanët numërojnë me dhimbje vendet e punës së humbura në vendin e tyre, ndërkohë që nuk festojnë për krijimin e mijëra vendeve të tjera të punës të krijuara në shtete të tjera të botës shumë herë të më varfër.
Shumica prej nesh do kalojë jetën duke jetuar lokalisht – në qytetin, rajonin ose vendin tonë. Por me globalizimin në bejmë pjesë njëkohësisht në një komunitet planetar. Evropianët e kanë mjaft të vështirë të ambjentohen me të qënit njëkohësisht anglezë, gjermanë, italianë dhe evropianë. Progresi në fushën e ekonomisë i ka ndihmuar disi. E njëjta gjë vlen dhe në nivel botëror: ndoshta ne jetojmë lokalisht, por duhet të mendojmë gjithmonë e më shumë globalisht dhe të konsiderojmë veten si pjesë përbërëse e një komuniteti botëror. Kjo do të thotë diçka më shumë sesa të trajtohen të tjerët me respekt. Kjo do të thotë të pyesësh veten çfarë është e drejtë, çfarë mund të jetë për shembull një regjim tregtar ekuitabël. Kjo do të thotë të vihesh në lëkurën e tjetrit. Cfarë do të na dukej e drejtë nëse do të ishim në vendin e tjetrit? Dhe kjo do të thotë të dallosh me kujdes rastin kur është e nevojshme të imponosh ligje dhe rregulla të përgjithshme në mënyrë që të funksionojë sistemi botëror dhe rastet kur duhet respektuar sovraniteti kombëtar në mënyrë që gjithsecili të marrë ato vendime që i shkojnë për shtat.

Në mënyrë që të ndryshojë mënyra e menaxhimit të globalizimit, është e rëndësishme të ndryshohen mentalitetet. Një gjë e tillë ka filluar tashmë. Debati tashmë nuk qëndron në dikotominë anti apo pro globalizim. Tashmë e kemi kuptuar potencialin pozitiv të globalizimit: më shumë se gjysma e njerëzimit – Kina, India dhe vende të tjera – është duke u integruar në ekonominë botërore; 2,4 miliardë individë të cilat kanë vuajtur luftërat, pasojat e kolonializmit dhe të shfrytëzimit po njohin përqindje rritjeje të panjohura prej më shumë se tridhjetë vjetësh. Kjo përbën një ngjarje historike, e cila duhet vënë në një kontekst historik. Edhe në periudhat më të shkëlqyera ekonomikisht të Perëndimit, gjatë revolucionit industrial ose gjatë “boom-it” që shpërtheu fill pas Luftës së Dytë Botërore, rritja nuk e ka kaluar përveçse shumë rrallë 3%. Rritja mesatare e Kinës në tre dhjetë vjeçarët e fundit përfaqëson trefishin e Perëndimit. Ky sukses i takon edhe globalizimit. Megjithatë, duhet të përmendin dhe anën tjetër të medaljes: recesioni dhe depresioni që vijnë nga mungesa e stabilitetit botëror; degradimi i mjedisit që vjen si rezultat i rritjes botërore që ndodh pa ndonjë rregull të veçantë; një kontinent, Afrika, që po zhvatet nga të mirat e saj, nga burimet natyrore dhe që lihet nën peshën e borxheve, të cilat ajo nuk është në gjendje t’i shlyejë. Edhe vendet e zhvilluara kanë filluar të kenë dyshimet e tyre mbi globalizimin pasi ajo sjell pasigurinë ekonomike dhe pasigurinë. Materializmi ekonomik vlen më shumë se çdo parim tjetër, pasi shtetet e kuptojnë se mirëqënia e tyre, por edhe mbijetesa e tyre, varen nga forcat e jashtme që nuk iu ngjallin gjithmonë besim, siç janë për shembull regjimet pa stabilitet të Lindjes së Mesme. Mund të ketë rritje ekonomike, por për pjesën dërrmuese të popullsisë jeta mund të jetë ndoshta më e rëndë. Ekonomia e “rrjedhjes”, sipas së cilës nga rritja globale e ekonomisë do të përfitojë e gjithë bota, është hedhur poshtë në mënyrë të shpeshtë nga faktet.

Disa thonë se globalizimi është i paevitueshëm, ai thjesht duhet pranuar, rrjedhimisht dhe aspektet e tij negative. Por, meqënëse pjesa kryesore e rruzullit jeton tashmë në demokraci, nëse globalizimi nuk sjell përfitime për shumicën e njerëzve, ata do të fillojnë të reagojnë. Mund t’i mashtrojmë njëfarë periudhe – për shembull t’i bëjmë të besojmë se vuajtjet nuk do të zgjasin dhe që shpërblimi është shumë i afërt – por, pas një çerek shekulli, argumenti nuk do të jetë më i besueshëm. Ekonomia botërore ka njohur disa hapa prapa – niveli i integrimit ekonomik të planetit ka njohur ulje as Luftës së Parë Botërore – dhe mund të ketë akoma të tilla. Tashmë bota ka parë shenjat e parë të përplasjeve kundër globalizimit, edhe në vende të tilla ku globalizimi ka qënë shumë i favorshëm për ta, kur firma të shumta indiane, kineze ose nga Dubai  që dëshironin të blenin ndërmarrje në shtetet e zhvilluara kanë hasur në rezistencë të madhe.
Ndër problemet qe shtron globalizimi, disa janë të paevitueshëm dhe ne duhet të mësohemi t’u bëjmë ballë: teori ekonomike tashmë të mirënjohura kanë provuar se globalizimi do rrisë pabarazinë në vendet e zhvilluara industrialë pasi kjo gjë do të rëndojë mbi pagat, në mënyrë të veçantë ato të punëtorëve të pakualifkuar. Mund ti rezistohet kësaj trysnie mbi pagat, por do të kemi në mënyrë të pashmangshme rritje të papunësisë. Por drejtuesit politikë më të fuqishëm nuk mund të shfuqizojnë këto ligje ekonomike, pavarësisht përpjekjeve të tyre. Ata mund të ndihmojnë shoqëritë tona që të përshtaten me këtë transformim gjigand të shoqërisë sonë botërore, si për shembull Shteti-komb e bëri gjatë kalimit në industrializim para një një shekulli e gjysëm.

Të tjera probleme që lindin nga globalizimi vijnë nga përgjegjësia jonë: rezultojnë nga mënyra sesi është menaxhuar. E kuptojmë më mirë sot. Inkurajimi është shumë i madh kur shohim turma të mëdha, veçanërisht në Evropë, të cilat kërkojnë lehtësimin e borxhit dhe përgjegjës politikë me peshë të kërkojnë më shumë hapësirë për regjimin tregtar ekuitabël, më shumë luftë kundër ngrohjes globale ose më shumë angazhim në uljen varfërisë me 50% në 2015! Megjithatë ekziston një hendek i thellë midis fjalëve dhe realitetit – dhe shumë prej liderëve botërore janë më përpara se zgjedhësit e tyre, të cilët mund të jenë tërësisht dakord me propozimet e drejtuesve tV tyre politikë, por vetëm për aq sa nuk ju kushton gjë...
“Një botë tjetër” është më shumë se e mundshme, është e nevojshme dhe e paevitueshme. Nuk mund të vazhdohet në rrugën që kemi ndërmarrë deri më tani. Forcat e demokracisë janë shumë të fuqishme: zgjedhësit nuk do të lejojnë kurrsesi që të vazhdohet ky menaxhim që është sot. Një ilustrim të mirë e gjejmë në zgjedhjet në Amerikën Latine (vala e fitoreve socialiste radikale në shumë vende të Amerikës Latine). E rëndësishme është të nënvizohet se ekonomia mund të ribëhet, mund të ristrukturojmë globalizimin në përfitim të të gjithëve, të popullsive të vendeve të zhvilluara ashtu dhe në përfitim të vendeve në zhvillim, për gjeneratat aktuale si dhe për ato të ardhshme. Mund të kemi ekonomi dhe shoqëri më të forta, të cilat i japin më shumë rëndësi vlerave të tilla si mjedisi, kultura dhe jeta.
                                                                                                                                 (Joseph Stiglitz)
                                                                                                                            Përshtati në shqip: Oltion Spiro

Share

Shto koment Kerko
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania