Gjeneralmegafoni

Tokë e premtuar konflikteve

E-mail Print PDF

Në 60 vitet e fundit, qysh prej krijimit të shtetit të Izraelit, Lindja e Mesme është kthyer në zonën më të nxehtë të globit. Brishtësia e ekuilibrave në këtë rajon ndikon pashmangshmërisht edhe ne ekuilibrat ndërkombëtarë. Është e kuptueshme që shtetet më të prekur janë ato të cilat gjeografikisht ndodhen më pranë me Lindjen e Mesme, duke patur edhe interesa ekonomike, politike dhe ushtarake më të ngushta. Në periudha të ndryshme kohore, konfliktet e armatosura kanë ndjekur njëri-tjetrin. Në Egjipt, Jordani, Liban, Siri, Iran, Irak dhe së fundmi sërish Irak dhe Liban. Në përfundim të çdo konflikti vëmendja ndërkombëtare fokusohet sërish te përleshja izrealo-palestineze, duke u rikujtuar se aty konflikti nuk ka rreshtur për asnjë sekondë, pasi aty, në Tokën e Shenjtë, qëndron zanafilla e çdo konflikti në rajon.

Në vorbullën e konflikteve të këtij rajoni është përfshirë edhe Afganistani, paçka se lufta që zhvillohet atje erdhi si pasojë e atentateve të 11 shtatorit. Vazhdimi i konfliktit dhe zvarritja e tij deri më sot, 9 vjet pas fillimit, flet qartë jo vetëm për një strategji të nxituar të Aleatëve, por sidomos për ndërthurjen e interesave strategjikë të shteteve fqinje, Pakistanit dhe Iranit. Sot është pikërisht ky i fundit që është kthyer në qendrën kryesore të konfliktualitetit të rajonit. Teherani synon lidershipin në Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme duke qenë se zotëron gjithçka të nevojshme për t’ia arritur qëllimit. Por me zhvillimet e kohëve të fundit po kuptohet se ëndrra e Iranit nuk ka gjasa që të kthehet në realitet. Le të shohim më nga afër disa prej faktorëve në favor dhe në disfavor të Republikës Islamike.

 Dy vendet fqinje me Iranin,  si Iraku dhe Afganistani prej disa vitesh ndodhen në  një situatë mjaft të vështirë. Ndërhyrja ushtarake amerikane në këto dy shtete jo vetëm që nuk solli demokracinë (një prej arsyeve të pushtimit), por prishi edhe atë pak rregull dhe qetësi që garantonin regjimet diktatoriale që u rrëzuan. Sot të dyja këto shtete kanë hyrë në një vorbull konfliktesh ndëretnike ndër të tjera, dhe për zotërimin e trafikut të drogës. Terrorizmi përbën problemin më të madh për aleatët, por më të voglin për qeveritë e Bagdadit dhe Kabulit. Dobësimi i këtyre shteteve ka sjellë si pasojë fuqizimin në rajon të Iranit. Sot, Republika Islamike kontrollon pjesën më të madhe të Irakut nëpërmjet influencës që ka në krahinat e jugut, shiite dhe persianofone. Teherani ushtron influencë të ngjashme por disi më të vogël edhe në disa krahina kufitare të Afganistanit. Shtete të tjera shiite ose nën influencën e Iranit janë Siria, Libani, Rripi i Gazës në Izrael, dhe Omani. Kështu pra në pjesën më të madhe të rajonit, Republika Islamike ushtron një hegjemoni jo vetëm kulturore dhe fetare por edhe ekonomike e politike dhe pajisja me armën bërthamore do të ishte elementi përfundimtar në ndërtimin e një perandorie të padiskutueshme. Këta janë të gjithë faktorë që shkojnë në favor të ambicjeve iraniane.
Por cilët janë faktorët që i shkojnë ndesh kësaj logjike?

Irani është një teokraci e ndërtuar pas Revolucionit Islamik të 1979-ës, ku Lideri Suprem është figura më e lartë e shtetit.  Deri përpara një viti dukej se themelet e këtij sistemi qeverisës ishin të palëkundshme. Presidenti Ahmadinexhad ndjehej aq i sigurt sa të sfidonte (dhe te sfidojë) në mënyrë të hapur SHBA-të dhe Izraelin, duke mohuar edhe ekzistencën e Holokaustit. Ndërsa faktet po tregojnë se këto lëvizje të forta politike të tij, shërbenin për të maskuar problemet reale të vendit. Revoltat popullore të kohëve të fundit tregojnë për një pakënaqësi të madhe të popullsisë, e cila vjen qoftë për arsye të embargos ndërkombëtare, qoftë për shkak të gërryerjes që po pëson një sistem jo i qartë ekonomik, i diktuar nga ambicja e Iranit dhe megalomania e Presidentit. Pas zgjedhjeve jo të rregullta të qershorit të 2009-ës, Irani ndodhet shumë pranë një revolucioni të dytë (pas atij islamik) i cili ka marrë emrin Revolucioni Jeshil. Por kjo nuk është e vetmja lëvizje që gëlon në brendësi të gjigandit shiit. Prej disa muajsh, edhe pse larg vëmendjes së mediave ndërkombëtare, ka shperthyer një valë protestash punëtore nëpër fabrikat e zonave industriale. Nëse do të kemi bashkimin e këtyre dy lëvizjeve të cilat kanë fillesa të ndryshme por qëllim të përbashkët, atëherë shkërmoqja e Republikës Islamike do të ishte e paevitueshme...

Koha do ta tregojë më mirë se kush do të mbizotërojë, dora  e hekurt e Revolucionit Islamik apo shpresa që buron nga Revolucioni Jeshil për një të ardhme ndryshe. Fitorja e njërës apo tjetrës rrymë do të diktojë edhe zhvillimet e mëtejshme në rajon. Ndërkohë një gjë është e sigurtë. Vëmendja shumë shpejt do të kthehet aty ku është zanafilla e cdo konflikti. Në tokën e shenjtë.
                                                                                                                                                      Onufri

Share

Shto koment Kerko
keperele   |2010-02-08 14:53:48
jam shume dakord. por po e zgjas pak me iranin. autoritet atje ben te ditur se
do te fillohet pasurimi i uranimut me 20% (do te me falni per perafersine po nuk
jam teknike i fushes). ajo qe mund te them eshte se shume specialiste e shikojne
kete si rrugen drejt pasurimit 80% te uraniumit ose thene ndryshe ndertimi i
armeve berthamore. ne kete raste, ajo harte do te jete shume e vertete dhe mund
te krijoje balanca te reja jo vetem ne lindjen e mesme por edhe me gjere.
Andi   |2010-02-09 02:32:36
une shpresoj qe ky revolucioni i mundshem ne Iran mos pesoje fatin e atij ne
Ukraine
Franko   |2010-02-09 09:17:06
Jam kunder ndryshimeve me arme, pasi shembujt ne ate rajon tregojne jo
qendrueshmeri politike qe ka cuar ne mungesen e sigurise dhe ne varferi. Keto
ndryshime duhet te behen ne menyre te vetedijshme dhe graduale, ashtu sic po
ndodhe edhe ne kine.
onufri   |2010-02-09 09:32:44
qendrueshmeria e Kines sipas mendimit tim eshte akoma per tu vertetuar. Por edhe
nese e marrim si te mireqene kete qe thua ti Franko, nuk mund te thuhet
kurresesi e njejta gje edhe per Iranin. Ndersa Kina po shkon drejt
liberalizimit, Irani po shkon drejt radikalizimit. Nje shtet i bazuar mbi fene
nuk mund te sjelle asgje te mire per popullin e vet...
Mos harro qe Irani
perpara revolucionit islamik ka qene nje nga shtetet me te perparuara ndersa sot
ka marre tatepjeten(kulturalisht te pakten)
Franko   |2010-02-09 10:43:50
Se kape mendimin tim te hodh i dashur onufer. Ajo qe po thoja ishte qe iranin
duhet ta mollosin dhe ti thonin bejse si kina se e ke mire dhe jo ta refuzojne
me percmim, ose ti shpallin lufte. Persa i perket kohes se shaut, ekonomikisht
nuk ndriste, ishte plack monopoli europiane.
ana  - iiii   |2010-04-27 11:23:39

stavri   |2010-06-29 08:07:27
matilda, jam dakord me analizen tende. po bibliografine e ke? jam i interesuar
ta thelloje si ceshtje.
Komento
Emri:
Email:
 
Titulli:
 
:D:):(:0:shock::confused:8):lol::x:P:oops::cry:
:evil::twisted::roll::wink::!::?::idea::arrow:
 
Ju lutemi fusni kodin anti-spam qe eshte ne imazh.

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

M'afishe të freskëta

Previous Tjeter
Ministri i Jashtëm që nuk shkoi jashtë shtetit

Zoti Haxhinasto në datën 3 Shkurt 2012 vendosi të bënte bilancin e sukseseve të Ministrisë së Jashtme për vitin 2011. E kotë të riprodhojmë lajmin pasi e kemi të qartë të gjithë çfarë u tha: “Bilanc pozitiv madje meriton notën 10 me yll”...

Tani s’po merremi me faktin që Ministria e Jashtme nuk ka dhënë fare kontribut që shtete akoma skeptike të njohin Kosovën. Shqipëria mbase nuk e ka detyrë, as ligjore as morale, sipas ministrit. Vëllezër po, por na bashkon veç gjaku dhe aspak interesi.

S’po merremi me ngeljen në klasë për të dytën herë radhazi. As kandidate për të hyrë në BE nuk bëhet dot Shqipëria, çfarë faji ka Ministria?

S’po merremi as me diplomatët tanë e shoferët e tyre nëpër ambasadat e kryeqyteteve evropiane. Një kilogram kokainë e kapur në ambasadën e Pragës e 2 heroine te ambasada tjetër nuk janë përgjegjësi e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk është polic ta hajë dreqi.

Edhe ky bilanc i ardhur kaq vonë s’po më duket ndonjë mangësi e madhe. Dakord qe mund ta bënte në fillim të Janarit, në mes ose në fund... po edhe në gusht po ta bënte s’ka problem. Rëndësi ka që gjërat të bëhen.

Shqiptari i gjorë u mundua më shumë të kuptonte kë quan sukses Haxhinasto por meazallah!

Shqiptari i shkathët ama e gjeti pas një kërkimi fare të shkurtër. Në 1 Maj 2011 Zoti Haxhinasto për një ditë të vetme drejtoi Shtetin. Atëherë kur Topi, Topalli, e Berisha vrapuan kush të ikë i pari jashtë shtetit për ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, Ministri i Jashtëm (por edhe Zv. Kryeministër për faj të Metës) qëndroi brenda dhe drejtoi shtetin. Kryetar shteti për një ditë...

Ja ku u zbulua edhe enigma e suksesit të Haxhinastos!

 

Zgjidhe shokun më të mirë se vetja

Ky aforizëm duhet të vlejë dhe për vartësit, bashkëpunëtorët ose kryetarët e institucioneve kushtetutese...  Saliu, pasi vuri Bamirin në Presidencë, pasi dha pëlqimin për Inën në Prokurori, Kreshnikun në KLD, tani është bërë pishman dhe ua ka bërë benë atyre.  Tani ai premton një hetim të ri nga një prokuror i ri që do të emërohet nga Presidenti, të cilin Saliu do e zgjedhë vet, në saj të ndryshimeve kushtetuese.  Skenare që as në mendjen më të sëmurë të regjisorit më të dobët dhe që ka frikë nga hija e vet, nuk do e zhbirrilonim dot.

Saliu nuk do të na lërë rehat me skuthëritë e tij prapaskenike për të mbajtur një pushtet që po na helmon të gjithëve.  Duhet t’i kishe zgjedhur shokët më të mirë se vetja o Sali, më të egër, më mashtrues, më të bindur dhe më patologjikë pas mbajtjes së pushtetit.  Dhe mbi të gjitha, duhet të kishe zgjedhur një periudhë tjetër udhëheqjeje ku nuk do të kishte demokraci.

Punëdhënësit zagarë të Shqipërisë

Me këtë soj e sorollop punëdhënësish gjakpirës që kemi në Shqipëri të lind spontanisht dëshira për një revolucion të tipit proletar.  Dhe dëshira më e madhe nuk vjen nga ata që e vuajnë në kurriz makutërinë e tyre tashmë proverbiale, por nga vet ata, nëse do të provonin në kurrizin e tyre sjelljen që ua imponojnë të tjerëve.

Mashtrues, të pafytyrë, injorantë, një përzierje e servirur me një buzëqeshje legene dhe me një rreptësi gjoja profesionale por që nxjerr në pah përkëdhelinë objekt i të cilës kanë qënë tërë jetës së tyre, ose paaftësinë e tyre për të qënë në radhë të parë njerëz pastaj punëdhënës.  Si s’më thahën duart kur u them punëdhënës!  Se ata nuk japin punë, ata zhvatin në mënyrë të pacipë, të mbrojtur nga ideologjia që është kthyer në teologji, e liberalizmit pafund.  Premtojnë rritje profesionale, rritje page me kalimin e muajve, bonuse e lloj lloj karamelesh që fatkeqësisht të gjithë bëhemi pre.  Të thonë se “nuk ka si ty”, se “je i përgjegjshëm” dhe “korrekt” dhe kur kalon një ose dy ditë e kthejnë pllakën me fuqinë e arrogancës së tyre dhe bëjnë sikur nuk kanë thënë gjë, ose shpikin kriza globale që rëndojnë në atë pagë, që deri dje ishte objekt i rritjeve por që tani është synimi i uljeve, se vetëm kështu mund të mbijetojë biznesi i tyre i pështirë.

Nuk duam të kontrollojmë llogaritë e tyre të majme bankare, nuk na intereson se njëri njeh Edin, tjetri Lulin dhe tjetri pi çdo natë me Fatosin ose se ka mik familje Salën, nuk na intereson mirëqënia e tyre, trashja e tyre fizike dhe mendore.  Duam dinjitetin tonë të nëpërkëmbur nga ca idiotë të cilëve u shërben shteti në çdo plotësim teke që ata kanë.  Vjedhja e punës dhe e shpresës së tjetrit është krim.  Nuk e shfarosim dot, po ama duhet ta dënojmë duke ngritur zërin, dhe këtë duhet ta bëjë çdokush që përballet me këta kafshë që i hyn në hak jetëve të të tjerëve dhe pa iu dridhur qerpiku, se u është bërë lëkura sholl.  I duhet zbutur pak. Të ndarë nuk e bëjmë dot, të bashkuar ndoshta. Të bashkuar dhe pandërprerje, me siguri!

Mendjet e sëmura

"Ina Rama ia ka shitur provat Edi Ramës". Tashmë nuk kemi më ç'presim nga reagimet e Kryeministrisë. Nuk ka më asnjë shenjë përmirësimi ose iluminimi në këto deklarata vetëm me rroitje pafund. Për të ruajtur karrigen e vet, vazhdon të na turpërojë të gjithëve duke përbaltur detyrën e Kryeministrit. Bravo i qoftë!

Bravo i qoftë dhe Gjykatës, që ka mbetur vetëm hija e vetvetes. Ajo ka emrin gjykatë, por është një lokal bastesh, madje më keq, se në lokalet e bastit mund të ketë një përqindje rastësie në përcaktimin e rezultateve, por jo. Të gjithë e dyshonim dhe ja ku u bë realitet: duke i dhënë masën e arrestit në shtëpi një personi të veshur me pushtet që ka vrarë, ajo i vuri vulën përfundimisht kalbjes së saj të pakthyeshme. Dikush thotë që të mblidhet KLD-ja dhe të diskutojë këtë rast. Në fakt, nuk duhet të presim asgjë nga KLD-ja që i zgjati në mënyrë kriminale mandatin pensionistes Sashenka dhe që ka një bredharak në krye që e ka harruar funksionin e tij. Përgjigja qëndron tjetërkund.  Ajo duhet të vijë nga ne!

 

Tërmeti

Të gjithë e kemi përjetuar në jetën tonë përvojën e tërmetit. Ajo dridhje, që sa të kap në befasi, po aq të trondit dhe nuk të lë reagosh; disa herë më ka rastisur që kam qenë i shtrirë në krevat kur ka rënë tërmeti, nga ata të lehtit natyrisht, ata 3-6 ballëshit, dhe nuk kam patur as kohë të mendoj që duhet të çohem, të lëviz, të dal; jo diçka më ka buçitur në kraharor, kam patur frikë, por nuk kam reaguar. E natyrisht, e gjitha kjo ka ndodhur për shumë pak sekonda.

Po, ku dua të dal? Thjesht po mundohem të kuptoj gjendjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e saj të reagimit, dhe i vetmi paralelizëm që më kënaqi është krahasimi me gjendjen e tërmetit. Nuk reagojmë, sepse ne jemi duke përjetuar një tërmet, si ai i llojit 3-4 sekondësh dhe 3-5 ballësh, por ky tërmet ka 20 vjet që vazhdon pa ndërprerje, bie tërmeti i parë, 3-5 ballë, 3-4 sekonda, ej tek e fundit tërmet është dhe pushon, por sa pushon tërmeti i parë fillon menjëherë i dyti, pushon i dyti, fillon i treti… e me radhë e me radhë… dhe ne, të shtrirë e të tmerruar, nuk lëvizim nga krevati.

O njerëz duhet të çohemi, nuk mund të presim të pushojnë tërmetet. Në Shqipëri, tërmetet  nuk kanë për të pushuar kurrë. Duhet të çohemi edhe pse tërmetet bien pa pushim, të çohemi e të futemi thellë në ato pllaka të mallkuara në fund të tokës, e të marrim me mijëra çekiçë, e t'u biem atyre, t'u biem e t'i lëmojmë, t'i vendosim në vendin e duhur, t’ua këputim dhëmbët me darë që të mos lëvizin më.

Ose, le të rrimë shtrirë, deri sa të bier një tërmet i madh fare, i cili do zhdukë bashkë me ne edhe vet tërmetin!

Jani Marka

Facebook

Sondazh

Ilir Meta është:

ilaç koke,Karikatura

Simply Albania