Po sikur WikiLeaks të jetë pjesë e një loje të madhe të orkestruar nga Shtetet e Bashkuara?! Kjo është teza e fundit e formuluar nga opinionistë, gazetarë dhe ekspertë të çështjeve ndërkombëtare por sidomos nga mbështës dhe të apasionuar të teorive konspiracioniste. Argumentat në këtë pikë janë të panumërt por edhe kaq të ngjashëm, për të mos thënë të njëjtë, me argumentat e teorive të tjera të konspiracionit duke filluar që nga vrasja ende misterioze e J.F.K., zbarkimi fiktiv i njeriut në Hënë, 11 Shtatori etj. Për të mos u bërë pjesë e qarkut të shkurtër që krijohet sa herë që ndodhin ngjarje mediatikisht të bujshme, po mjaftohem duke përmendur dy shtyllat bazë ku mbështetet kjo teori konspiracioni dhe të tjerat që e kanë paraprirë.
Në rradhë të parë qëndron argumenti i probabilitetit, domethënë ai i pamundësisë që një superfuqi e cila komandon dhe telekomandon në arenën ndërkombëtare, të pësojë një rrjedhje kaq masive dhe të rëndësishme informacionesh, pikerisht në epokën e informacionit, në epokën kur një informacion vlen më shumë se një diamant. Argumenti i dytë është ai që shpjegon arsyet e një inskenimi me përmasa globale. Shpesh herë është tërheqja e vëmendjes nga çështje më të rëndësishme si lufta në Irak dhe Afganistan, kriza ekonomike, apo nevoja e krijimit të një armiku artificial për Administratën e Presidentit të radhës që ndodhet në vështirësi elektorale. Teori të tilla stimulojnë fantazinë e shumëkujt, apasionojnë mijëra njerëz por nuk gjejnë kurrë një zgjidhje finale.
Më konkretisht shpjegojmë se:
Nuk është e vërtetë që informacionet me të cilat na ka pasuruar Wikileaks janë kaq të rëndësishme, madje shpesh ato nuk përbejnë lajm. Që Berluskoni është ai që është nuk duhej të na e thoshte Julian Assange dhe nuk besoj që ndonjë italian, francez apo evropian në përgjithësi mbeti i shtangur nga rrëfimet e WikiLeaksit. Mbase ky “zbulim” ka habitur një qytetar të Singaporit, jo shumë të informuar mbi festat private të kryeministrit italian, por kjo lidhet vetëm me përhapjen e lajmit dhe interesat e ndryshme midis shteteve e kulturave të largëta. Opinioni i ulët i SHBA-së për presidentin e Pakistanit nuk është asgjë e re për ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare e aq më pak për qytetarët e Pakistanit, Indisë etj. Përbën sigurisht lajm për një evropian i cili nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë më parë emrin e presidentit të Pakistanit, Asif Ali Zardari. E kështu me radhë zbulimi i informacioneve “TOP SECRET” mbi kryeministrin e Rusisë Putin, presidenten e Argjentinës Kirchner etj.
Nga sa u kuptua shteti i cili më shumë u gozit dhe u befasua nga rrjedhja e informacionit të Departamentit të Shtetit është Turqia, deri në atë pikë sa filluan të lëkunden mardhëniet e ngushta shekullore midish dy shteteve. Asgjë më pak e vërtetë se kjo. Që Erdogan ka ndryshuar politikën e jashtme të Turqisë qëkurse ka ardhur në pushtet ështe një fakt i njohur. Që de facto politikën ndërkombëtare të Turqisë nuk e përfaqëson Tayyip Erdogan, por Ahmet Davutoglu profesori i hekurt që drejton Ministrinë e Jashtme, edhe ky është një fakt i njohur. Në artikullin tonë të para një viti (Turqia e Ataturkut apo Turqia osmane?), në rubrikën gjeopolitike, e kemi trajtuar më me hollësi këtë çështje dhe ato që kanë të bëjnë me politikat e reja të Turqisë me fqinjët e saj, Iranin dhe Sirinë, duke rënë ndesh me interesat e SHBA-së, aleatit të tyre kryesor. Është për t’u habitur që në media na u paraqit sikur Kryeministri i Turqisë nuk i priti mirë zbulimet e Wikileaks, kur në fakt ato çdo gjë mund të quhen përveçse zbulime dhe për Erdoganin çdo gjë mund të themi përveçse që u befasua.
Personalisht i vetmi lajm që më ka bërë përshtypje ka qënë ndërhyrja dhe lobimi i Vatikanit për të penguar futjen e Turqisë, një vend myslyman, në BE. Por edhe ketu nuk më bind mendimi që liderët e shteteve të interesuara nuk paskan qenë në dijeni të fakteve.
Për të përfunduar, u trumbetua që Wikileaks do të bënte një revolucion në botën e informacionit, madje kishte nga ata që u shtynë deri atje sa hodhën hipoteza konfliktesh të armatosura si pasojë e informacioneve që do të zbuloheshin. Por nuk janë këto zbulime që shqetësojnë SHBA-në. Është kriza ekonomike nga e cila nuk duket se do të mund të dalë paq dhe pasoja kryesore që sjell kjo krizë, humbja e kredibilitetit në arenën ndërkombëtare. Ndërsa deri më sot Wikileaks është një flluskë e madhe sapuni. Nuk është përkufizimi më i saktë por është i pari që më vjen në mendje. Në pritje të ndonjë të reje që të mos jetë edhe aq e vjetër, po apasionohemi me telenovelën Assange dhe problemet e tij me drejtësinë, që këtë herë sipas disa teorive të tjera konspiracioniste, të cilat bien ndesh me ato të parat të përmendura më lartë, është një inskenim i agjenturave perëndimore...
Onufri
| Share |



Civilizimi i një populli kuptohet nga mënyra si trajton kafshët. Mu kujtua kjo shprehje e Mahatma Gandit ndërsa shikoja një video që qarkullon kohët e fundit në ueb dhe që dokumenton fushatën e ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit për shfarosjen e qenve endacakë. Ekzekutimi i kafshëve në mes të rrugës nuk është gjë tjetër veç barbarizëm. Në prag të sezonit turistik qëllimi, një qytet i pranueshëm për pushuesit, nuk mund të justifikojë mjetin, eliminimi fizik i qenve.